E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri viziton pacientët e helmuar në spitalin e Librazhdit

Drejtori i Spitalit: Investimet e qeverisë në shëndetësi rrisin nivelin e shërbimeve për qytetarët

Kryeministri Berisha vizitoi sot spitalin e Librazhdit ku janë trajtuar 172 pacientë të helmuar gjatë 48 orëve të fundit.

Gjatë bashkëbisedimit me të sëmurët, Kryeministri u uroi atyre shërim të shpejtë, ndërsa vlerësoi punën e jashtëzakonshme të personelit të spitalit prej 18 mjekësh, disa prej të cilëve ndërprenë pushimet për të përballuar këtë situatë. Ai vizitoi disa pacientë midis të cilëve dhe disa fëmijë.

"Mjekët kanë dëshmuar përkushtim duke kaluar një situatë të jashtëzakonshme. Rasti i helmimit është i rrezikshëm dhe këta mjekë kaluan një provë shumë të vështirë", tha Kryeministri.

Gjithashtu Kryeministri u takua me familjarë të pacientëve, të cilët i shprehën atij dhe qeverisë falenderimet më të thella për punën e ekipit mjekësor të spitalit të Librazhdit. Ata u shprehën të kënaqur me cilësinë dhe nivelin e shërbimit që ky spital u ofroi të afërmve të tyre në këto momente të vështira.

Nga ana e tij Drejtori i Spitalit të Librazhdit, Avdi Koçi, shprehu mirënjohjen e tij dhe të stafit për mbështetjen që i ka dhënë qeveria këtij spitali, ku vetëm në dy vitet e fundit janë realizuar 300 milionë lekë investime. Kjo mbështetje ka ndikuar në rritjen e nivelit të shërbimeve për të gjithë pacientët e spitalit. Personeli i mjekëve i shprehu Kryeministrit Berisha falenderimet për mbështetjen e qeverisë dhe theksoi se nuk kishte patur asnjë mungesë në medikamente dhe serume. Ata gjithashtu theksuan se furnizimi me ujë dhe energji elektrike gjatë kësaj periudhe ka qenë i vazhdueshëm.

Kryeministri u shpreh krenar që disa nga studentët e tij janë bërë mjekë të aftë për të përballuar situata të vështira si kjo e Librazhdit.
"Përkushtimi i mjekëve dhe infermierëve të këtij spitali bëri që kjo situatë të kalohet pa pasoja më të rënda, të cilat do të ishin një dramë jo vetëm për Librazhdin, por për gjithë Shqipërinë", tha Kryeministri duke theksuar se kishte ndjekur me mjaft shqetësim këtë rast.

Ai inkurajoi pacientët për kalimin e kësaj situate, ndërsa theksoi se vetëm mobilizimi i mjekëve dhe infermierëve të Librazhdit bëri që kjo fatkeqësi të mos ketë pasoja të padëshirueshme në një emergjencë me 172 pacientë në 48 orë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›