E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i siguron fermerëve investime për 800 milion lekë

- Projekti 2KR lehtëson punën dhe nxit prodhimin vendas

Kryeministri Sali Berisha, në vazhdim të vizitës në Pogradec, u takua me fermerë të fshatit Petrush, si dhe vizitoi fermën e zotit Qemal Sejko, një nga fermerët ka përfituar nga projekti 2 KR i qeverisë.

Kryeministri premtoi dyfishimin e fondit të projektit 2KR në mbështetje të fermerëve shqiptarë. Projekti 2KR është një projekt i qeverisë shqiptare që mbështet zhvillimin e prodhimit bujqësor. Nga ky projekt kanë përfituar 208 fermerë në qarkun e Korçës, me një vlerë prej rreth 500 milion lekë. Nga fshati Petrush kanë përfituar 9 fermerë. Ky projekt është i shtrirë në shumë rrethe të vendit, kryesisht në zonën e Vlorës, Fierit, Beratit dhe Korçës.

Me këtë mbështetje financiare është realizuar mbjellja e 1100 ha tokë, nga të cilët 480 ha janë mbjellë me fruta, 330 ha janë ullishte dhe 300 ha vreshtari. Kryeministri Berisha siguroi fermerët se vitin e ardhshëm ky fond do të dyfishohet, duke arritur në shifrën prej 800 milion lekë. Kjo do të lehtësojë punën e fermerit dhe do të nxisë prodhimin vendas.

Në vazhdim, Kryeministri përmendi një tjetër iniciativë të ndërmarrë në kuadër të ndihmës ndaj fermerëve, vendosjen e skemës së rimbursimit të TVSH-së. Kjo skemë, vijoi më tej Kryeministri, përbën një lehtësi shumë të madhe për të gjithë fermerët, pasi ndihmon që të marrin TVSH-në për prodhimet që shesin.
Për këtë iniciative Kryeministri shprehu besimin se do të realizohet brenda vitit të ardhshëm, pasi të diskutohet dhe me përfaqësues të fermerëve.

Kryeministri Berisha shprehu angazhimin se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet e duhura për të lehtësuar punën e fermerëve shqiptarë. Ai tha se fillimisht këto përpjekje nisën me skemën e akcizës së naftës, por me këtë skemë u abuzua nga zyrtarë jo të përgjegjshëm. Nisur nga kjo situatë, vijoi më tej Kryeministri, u vendos që këtë sasi parash, që po vjen në rritje, ta kalojmë direkt te fermerët për t'i investuar në forma të ndryshme.

Kryeministri vlerësoi se prodhimet e vendit kanë njohur shitjen më të madhe se ndonjëherë tjetër, falë edhe masave të marra nga qeveria në mbështetje të prodhimit vendas. Ne, u shpreh Kryeministri, do të vazhdojmë përpjekjet duke respektuar rregullat baze të tregut të hapur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›