Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të grupit investues japonez në fushën e shëndetësisë, "Takushukai Group"
Kryeministri Berisha priti dje një delegacion të grupit të njohur investues japonez në fushën e shëndetësisë "Takushukai Group", i cili është grupi i tretë në botë për nga madhësia në fushën e mjekësisë.
Grupi "Tokushukai" zotëron mbi 60 spitale, 65 klinika, dhe 23 sanatoriume në Japoni si dhe një rrjet spitalesh dhe klinikash në mjaft vende të tjera të botës.
Në kuadër të shtrirjes së biznesit të tyre në Europën Qendrore dhe Juglindore, ky grup ka përzgjedhur Shqipërinë si vendin e dytë pas Bullgarisë, për investime në fushën e shëndetësisë.
Kryeministri Berisha e njohu delegacionin japonez me reformat dhe strategjinë e qeverisë në fushën e shëndetësisë duke shtuar se ajo është prioritet i qeverisë shqiptare.
Ai theksoi se mbështetja e investimeve private në sektorin e shëndetësisë synon rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve dhe rritjen e kujdesit për shëndetin e popullsisë.
Kryeministri garantoi përfaqësuesit e grupit japonez se qeveria shqiptare ndan të njëtën filozofi në fushën e shëndetësisë për një shërbim shëndetësor cilësor dhe të barabartë për të gjithë.
Ai shprehu besimin dhe gjithashtu garantoi grupin japonez se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe përkrahë investimet e tyre për ndërtimin e një klinike apo spitali në Shqipëri.
Kryeministri tha se lehtësimi i barrës fiskale për bizneset dhe miratimi i ligjit për sigurimet shëndetësore si dhe shërbesat ndaj sektorit privat janë faktorë nxitës për investimet e huaja në Shqipëri.
Vëmendja e grupit japonez për investime në fushën e shëndetësisë u drejtua nga Shqipëria për faktin se ajo tashmë karaterizohet nga një klimë e sigurtë dhe e favorshme për biznesin.
Më 28 nëntor 2006, kompania "Tokushukai" inaguroi spitalin Tokuda, në Sofje të Bullgarisë, vlera e të cilit është mbi 110 milionë USD.