E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e i Grupit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Administratorin e PNUD-it Kemal Dervish

Në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me zotin Kemal Dervish, Kryetar i Grupit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Administratorin e  Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Kemal Dervish vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis qeverisë shqiptare dhe agjencive  të OKB-së në Shqipëri si PNUD, UNICEF, etj, bashkëpunim i cili do të zgjerohet në të ardhmen, duke rritur në këtë mënyrë ndihmën për Shqipërinë.

Nga ana e tij, Kryeministri u shpreh se ndihma që jep OKB-ja, nëpërmjet agjencive të saj, në Shqipëri është e çmuar dhe përbën një kontribut thelbësor në të gjitha përpjekjet  për ndërtimin e ekonomisë së tregut dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri ndau të njëjtin mendim me zotin Dervish për  intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen, për zbatimin me sukses të projekteve të tjera.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Dervish me ecurinë e disa projekteve të rëndësishme që po zbatohen në vendin tonë, si psh projekti për  ekstralegalitetin, i cili po njeh zhvillime të mira, projekti i shtrirjes së internetit në shkollat 9- vjeçare dhe të mesme të vendit, si dhe projekti “Brain Gain”, për të cilën Kryeministri u shpreh se është i një rëndësie të veçantë për vendin, në këto faza të zhvillimit të tij. Në këtë kuadër, kryeministri e njohu zotin Dervish me nismat e ndërrmarra nga qeveria për zbatimin e programit “Brain Gain” në universitete dhe administratën publike,në mënyrë që potencialet intelektuale të shoqërisë të mund të shfrytëzohen në interesin më të mirë.

Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit  folën për ecurinë e nismës së rëndësishme “Një OKB”, e cila po zbatohet me sukses në vendin tonë, si dhe ranë dakort që PNUD mund të luajë një rol më të madh në promovimin e arritjeve të qeverisë shqiptare.

Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një frymë të ngrohtë dhe miqësore, Zoti Dervish u shpreh i angazhuar për të zgjeruar ndihmën ndaj qeverisë shqiptare në të ardhmen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›