Mesazh ngushëllimi i Kryeministrit Berisha për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Slloven Janez Drnovsek
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi Presidentit të Sllovenisë z.Danilo Turk për humbjen e ish-presidentit Drnovsek.Lajmi për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Drnovsek ishte një lajm i hidhur për popullin slloven që ka patur tek Janez Drnovsek Kryeministrin dhe Presidentin e nderuar me kontribut në shkëputjen e Sllovenisë nga ish Federata Jugosllave dhe regjimi totalitar, si dhe shndërrimin e saj në nërin nga vendet e zhvilluara të Europës, anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian të cilin sot e kryeson me sukses.
Por ky ka qenë një lajm i dhimbshëm edhe për të gjithë miqtë e Sllovenisë dhe ata që e kanë njohur Presidentin Drnovsek dhe kanë bashkëpunuar me të.
Duke ndarë me ju hidhërimin e kësaj humbjeje të madhe, ju përcjell Ju z. President, familjes së të ndjerit dhe popullit slloven ngushëllimet më të sinqerta të miat dhe qeverisë shqiptare dhe lutemi së bashku me ju që shpirti i Presidentit Dranovçek të gjejë prehjen e amëshuar.
Me respekt,
Sali Berisha