E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin e Dhomës së Tregtisë së Greqisë, njëkohësisht Zëvendëskryetar i Dhomës Europiane të Tregtisë dhe Industrisë Jorgos Kasimati

Kryeministri Berisha u takua sot me Presidentin e Dhomës së Tregtisë së Greqisë, njëkohësisht Zëvendëskryetar i Dhomës Europiane të Tregtisë dhe Industrisë Jorgos Kasimati.

Kryeministri shprehu vlerësimin për rolin pozitiv që biznesi grek ka luajtur në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe për bashkëpunimin e suksesshëm ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Zoti Kasimati bëri një vlerësim për legjislacionin për investimet dhe të klimës së biznesit në tërësi, si dhe shprehu gatishmërinë që, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë të lehtësojë lëvizjen e lirë të biznesit shqiptar. Zoti Kasimati shprehu gjithashtu mbështetjen për projektet në fushën energjetike si në naftësjellës, gazsjellës dhe mbështetjen që do t’i japë lidhjes së Shqipërisë me këto korridore energjetike.

Gjatë takimit, Kryeministri bëri një ekspoze të reformave ekonomike që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të lehtësuar klimën e biznesit në Shqipëri, duke u fokusuar në reformën fiskale dhe modernizimin e administratës tatimore, si dhe me reformën administrative për thjeshtimin e procedurave burokratike për zhvillimin e veprimtarisë ekonomike në Shqipëri.

Kryeministri shprehu mbështetjen e plotë që qeveria shqiptare do t’u japë firmave greke të interesuara për të investuar në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›