Prezantim nga Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim BASHA. “Diplomacia shqiptare para përgjegjësive të reja»

Të nderuar zotërinj Ministra,
Të nderuar Shkelqësi,
Zonja e zotërinj,
Të dashur miq,
Është tashmë një traditë që të organizojmë këtë takim, jo vetëm e thjeshtë për të analizuar punën dhe aktivitetin tonë por edhe për të analizuar parametrat e situatës në vend, në rajon, të zhvillimeve gjeopolitike në hapësirën që na rrethon e me të cilën ne kemi të lidhur interesat tona të së sotmes dhe të së ardhmes. Në vijim të momenteve që Kryeministri Berisha theksoi dje, dëshiroj të shfrytëzoj këtë moment të ndaj me ju mendimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme mbi sfidat që na presin në dy muajt e këtij viti dhe në mënyrë të veçantë gjatë vitit të ardhshëm.
Viti 2007, edhe pse ai ende nuk ka përfunduar dhe mund të na rezervojë ndonjë surprizë, është, në këndvështrimin tonë, një vit i mbarë: gjatë këtij viti u negociua dhe u përfundua marrëveshja për lehtësimin e vizave me Bashkimin Evropian, 9 vende anëtare të BE-së ratifikuan marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe disa të tjera pritet ta bëjnë këtë deri në fund të këtij viti, Presidenti amerikan vizitoi për herë të parë Shqipërinë, Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit të Guvernatorëve të IAEA-s si dhe e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Në një plan më të gjerë, BE-ja miratoi Traktatin e Reformës që sjell një rregullim institucional të shumëpritur që do të ketë një impakt thelbësor jo vetëm për funksionimin më të zhdërvjellët të BE-së por edh për të hequr ndonjë ngërç për të vazhduar zgjerimin e natyrshëm në të ardhmen.
Por nëse ka ndonjë ngjarje që e ka qenë pandërprerë në krye të agendës politike ndërkombëtare gjatë këtij viti, është procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës. Gjatë këtij viti, në formula e formate të ndryshme por me të njëjtin objektiv: atë të zgjidhjes së statusit në rrugë paqësore, kjo çështje ka qenë preokupimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar e natyrshëm edhe i diplomacisë sonë. Mbështetur në mirëkuptimin e shoqërisë kosovare në tërësi dhe të klasës politike dhe ekipit të Unitetit në veçanti, Komuniteti ndërkombëtar, përkundrejt premtimeve të mëparshme, ka marrë maksimalisht kohën që e ka gjykuar të nevojshme për procesin e bisedimeve. Fakt është se edhe mbas një viti, palët janë në të njëjtat pozicione, qëndrimet e tyre janë po aq të papajtueshme dhe perspektiva e një zgjidhjeje të negociuar e largët. Një zgjidhje e negociuar është gjithnjë e dëshiruar dhe ne shpresojmë sinqerisht që një gjë e tillë të ndodhë deri me 10 dhjetor, por, nga ana tjetër, mungesa eventuale e saj nuk përbën ndonjë surprizë. Ndihma e komunitetit ndërkombëtar është materializuar në një propozim konkret, paketën Ahtisari. Ne e kemi mbështetur pa rezervë Paketën Ahtisari jo vetëm sepse ajo përbën garancinë e padiskutueshme për një zgjidhje të drejtë, paqësore, afatgjatë, që siguron legjitimitetin e nevojshëm dhe sjell për herë të parë një standard të të drejtave të minoritetit të pazbatuar më parë por edhe sepse jemi të bindur se ajo është alternativa e vetme për të zgjidhur kapitullin e hapur në vitin 1999 e që i jep një herë e përgjithnjë fund procesit të shpërbërjen së ish-Jugosllavisë. Ne e kemi theksuar vazhdimisht dhe dëshiroj ta theksoj edhe në këtë moment qartësisht: çdo tentative stërzgjatjeje open ended e procesit duke testuar në maksimum durimin e sprovuar kosovar do të rezultojë të jetë vetëm zvarritje e tij dhe mbart rrezikun real të humbjes së besimit tek procesi në tërësi, tek përpjekjet e lavdërueshme të komuniteti ndërkombëtar, do ta vërë gjithë klasën politike kosovare në vështirësi dhe të ardhmen e sigurisë në Kosovë dhe në rajon në një sprove panevojshëm të rrezikshme. Nëse mbas datës 10 dhjetor 2007 elementët dhe faktorët bllokues vazhdojnë në të njëjtin qëndrim, atëherë komuniteti ndërkombëtar që është investuar maksimalisht, që po punon intensivisht, që shpreson dhe, që sipas të gjitha gjasave, është thirrur të garantojë zgjidhjen përfundimtare, duhet të marrë vendimin e vetëm që mbetet: pranimin e zbatimit të Paketës Ahtisari. Do të ishte modesti e pakuptueshme nëse nuk do të përmendja se brenda përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar është edhe gjithë ai kontribut energjik, i vazhduar, i përhershëm prej të gjithë aktorëve të shtetit shqiptar dhe i gjithë klasës politike të vendit, në favor të qëndrimeve të moderuara dhe të bashkërenduara duke kontribuar në një zgjidhje paqësore në pajtim me angazhimet e mara dhe besimin e shprehur. Duke i qëndruar besnik parimit të mos ndryshimit të kufijve me forcë, ne jemi të mendimit se midis Serbëve dhe Shqiptarëve duhet të ngrihet një proces pajtimi, sipas modelit të pajtimit franko-gjerman. Është pikërisht pavarësia e Kosovës që do ta çlirojë Serbinë, pasi do t’i lejojë asaj të dalë përfundimisht nga e kaluara, t’i kthehet së ardhmes së saj evropiane.
Objektivi ynë kryesor dhe imediat është marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, ndaj edhe 2007 mund të konsiderohet si viti i NATO-s. Samiti i Bukureshtit shënon 15 vjetorin e një bashkëpunimi të suksesshëm, të pandërprerë, të Shqipërisë me Aleancën dhe ne shpresojmë se kjo do të kurorëzohet me ftesën për anëtarësi. Samiti i Rigës përçoi një mesazh të madh jo vetëm për vendet e A3 por për të gjitha vendet e Ballkanit për të vazhduar këtë formë partneriteti duke punuar së bashku për të ardhmen. Ne jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në një organizatë e cila bashkon demokraci që ndajnë vlera dhe parime në organizmin e shoqërisë dhe shtetit, e përfshin vendin në hapësirën më të sigurt që ka njohur historia njerëzore deri më sot. Por ne i kemi po aq të qartë edhe detyrimet që rrjedhin prej këtij anëtarësimi dhe siç e kemi theksuar jemi të gatshëm t’i marrim ato përsipër. Qeveria ka dyfishuar kontingjentin e trupave në Afganistan dhe duke filluar nga 1 janari 2008, 2% e buxhetit të shtetit i dedikohet Ministrisë së Mbrojtjes. Për më shumë se një dekadë Aleanca ka qenë e pranishme në rajonin tonë duke kontribuar në sigurinë e tij. Më anëtarësimin e vende të A3 ne synojmë të kemi më shumë Evropë Juglindore në NATO dhe më pak NATO në rajon, në pajtim me evoluimin e situatës në vendet tona dhe aspiratat tona për zhvillim.
Me Bashkimin Evropian dhe 27 vendet e tij anëtare Shqipëria është e lidhur me një marrëdhënie solide dhe të pakthyeshme. Në vitin 2003 Këshill Evropian mori vendimin historik duke pranuar për herë të parë perspektivën reale të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se harta e BE-së nuk do të ishte e plotë deri sa këto vende të bëheshin anëtare. Ne nuk mund të jemi më shumë dakord. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është udhërrëfyesi (road map) ynë dhe objektivi parësor është mbyllja e procesit të ratifikimit brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Gjatë gjithë këtyre viteve vendet e BE-së dhe Komisioni Evropian kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në Shqipëri. Ne i jemi përgjigjur këtij kontributi jo vetëm me mirënjohjen e natyrshme, por së pari, me angazhime konkrete, me programe pune të përbashkëta e të bashkërenduara si në fushën e mirëqeverisjes, funksionimin institucional, zhvillimin ekonomik, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit etj. dhe me rezultate të dukshme. Shqipëria nuk është më një vend origjine i viktimave të tregtisë së qenieve njerëzore dhe ne po dalim përfundimisht edhe nga harta e vendeve të tranzitimit. Edhe në luftën kundër korrupsionit është bërë progres. Kemi adoptuar ligje të reja mbi rekrutimin e nëpunësve, kemi transformuar legjislacionin dhe praktikat e prokurimit publik. Ne vlerësojmë se përqindja e korrupsionit ka rënë 40%, gjatë dy viteve të fundit. Këto pak elementë, të cilëve do t’u shtohen shumë detaje prej kolegëve të mi që do të flasin më pas, janë një provë që ne respektojmë angazhimet tona për vazhdimin e progresit tonë në procesin e integrimit euro-atlantik. Para pak ditësh u nënshkrua marrëveshja e financimit në kuadër të IPA, instrumenti financiar i ndihmës komunitare e që shënon një faqe të re: fillimin e besimit të BE tek aftësitë menaxhuese të aktorëve vendas. Ndryshe nga deri më sot kur ato janë menaxhuar nga vetë BE përmes agjencive të tij, kësaj here do të jenë autoritetet kombëtare ato që do të mbulojnë gjithë hallkat e përdorimit të ndihmës financiare të BE. Ne kemi miratuar një plan kombëtar të rishikuar për zbatimin e prioriteteve të Partneritetit Evropian dhe të MSA-së, si pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim e cila është duke u diskutuar publikisht. Ne presim të marrim raportin e progresit 2007 dhe do të shohim me vëmendjen maksimale konkluzionet dhe rekomandimet. Ne planin e bashkëpunimit politik ne presim të punojmë ngushtë me Presidencën Sllovene BE-së dhe atë franceze gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008, për të avancuar më tej projektet tona të përbashkëta.
Zonja e zotërinj,
Edhe pse çështja e Kosovës, për të cilën fola më lart, mban ende në rajon gjurmë të së kaluarës, dëshiroj të theksoj se situata e përgjithshme në rajonin e Evropës Juglindore është transformuar rrënjësisht. Për ne marrëdhëniet e fqinjësisë se mirë me vendet e Evropës Juglindore, mbeten prioritet i politikës së Jashtme. Të gjitha vendet e rajonit drejtohen prej autoritetesh të zgjedhura me votën e lirë, janë sot demokraci funksionale dhe shoqëritë e tyre janë të gjitha të orientuara drejt Evropës. Kjo situatë u ka dhënë një impuls të madh zhvillimit të marrëdhënieve dy e shumëpalëshe. Me të gjitha vendet e rajonit ne do të vazhdojmë të zhvillojmë një marrëdhënie cilësore që i ka bërë vendet tona të ndërlidhura jo vetëm nga gjithë ai numër marrëveshjesh dypalëshe por edhe nga projektet e përbashkëta të integrimit në NATO dhe BE. E njëjta dëshirë ekziston edhe me Serbinë. Ne e kemi bërë të qartë se çështja e Kosovës nuk është një problem i marrëdhënieve dypalëshe dhe kemi ofruar gjithë dëshirën tonë që, pavarësisht nga pikëpamjet e kundërta në lidhje me zgjidhjen e procesit të Kosovës, marrëdhëniet dypalëshe të zhvilloheshin normalisht.
Ne planin shumëpalësh, vendet tona ia kanë dalë të ndërtojnë një rrjet kontaktesh, marrëdhëniesh forumesh të shumëllojshëm që na shërbejnë jo vetëm për të diskutuar për çështje të përbashkëta por edhe për të bashkuar energjitë dhe mjetet për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Realizimi në praktikë i agjendave tona integruese varet para së gjithash nga projektet e zhvillimit të infrastrukturës, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në rrjedhat evropiane. Prandaj del e domosdoshme qe së bashku, duke përdorur edhe strukturat e ardhshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) të bashkëpunojmë për projektet tona në sektorin e transportit, konkretizimin e Tregut Rajonal Energjetik, veçanërisht për realizimin e projekteve të interkoneksioneve dhe të linjave të transmetimit të energjisë në rajon, me qëllim bërjen efektive të këtij tregu dhe rritjen e ndikimit të tij në kapërcimin e situatave të emergjencave energjike që prekin herë pas here vendet tona. Krijimi i një zone të lirë tregtare për Evropën Juglindore është tashmë një arritje konkrete e integrimit tonë rajonal. Por ky proces integrimi tregjesh nuk është i plotë pa sigurimin e kushteve për lëvizjen e lirë të njerëzve në rajon. Konkretizimi i hapave në këtë drejtim, mendojmë se duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e bashkëpunimit të vendeve tona për periudhën afatmesme në fushën e drejtësisë e të punëve të brendshme. Takimet e tre Tryezave të Paktit të Stabilitetit që do të mbahen në Tiranë në datat 3 dhe 4 dhjetor 2007, do të jenë një rast i mirë për të analizuar progresin dhe problematikat tona në këto fusha. Njëkohësisht, edhe për vazhdimësinë e ndjekjes së punëve nga strukturat që do të koordinojnë në të ardhmen bashkëpunimin rajonal dhe angazhimin e donatorëve në EJL.
Zonja e zotërinj,
Demokracitë kanë për detyrë tu bëjnë ballë dhe të fitojnë sfidat në fushën e sigurisë për të mbrojtur popullsitë e tyre, zhvillimin dhe vlerat e përbashkëta. Shekulli i 21-të i ka vënë ato para sprovash të reja, më e vështira nga të cilat është ajo e Terrorizmit global. Nëse Shqipëria në tërësi i gëzohet procesit të globalizimit dhe në disa fusha përfiton nga ulja e kostove, terrorizmi është ana e errët e globalizimit. Si i tillë ajo kërkon trajtim dhe përgjigje të gjerë e të mirëkoordinuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushte si me partnerët tanë evropianë ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Para pak javësh Shqipëria u zgjodh për herë të parë në Bordin e Guvernatorëve të IAEA-s dhe gjatë dy viteve të pranisë sonë në këtë forum të rëndësishëm do të luajmë rolin që na takon dhe do të marrim përgjegjësitë e duhura. Shqipëria i kushton një rëndësi të veçantë zbatimit të të gjitha rezolutave të miratuara nga Konferenca e Përgjithshme dhe Bordi, në mënyrë të veçantë ato që sigurojnë një sistem masash mbrojtëse dhe kanë karakter universal. Bota nuk ka nevoje për rreziqe shtesë prandaj edhe duhet siguruar përdorimi i energjisë atomike ekskluzivisht për qëllime paqësore, ndërkombëtarisht të verifikuara, transparente dhe në përputhje me parametrat e sigurisë maksimale.
Ne jemi të interesuar dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë për të pasur një OKB të fortë, funksionale dhe të suksesshme, si zemra e sistemit shumëpalëshe global dhe jemi të gatshëm të shtojmë kontributin tonë në favor të bashkëpunimit ndërkombëtar, paqes, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektimit të të drejtëve të njeriut dhe lirive themelore. Ne jetojmë në një botë tërësisht të ndërvarur dhe për t’iu përgjigjur suksesshëm oportuniteteve politike, ekonomike na nevojitet një mekanizëm efektiv për të siguruar rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Është e qartë dhe e paevitueshme: sfidat globale mund të marrin përgjigjen e duhur vetëm nëpërmjet një mekanizmi koordinimi dhe bashkëveprimi global. Kësaj nuk mund t’i shmanget më askush dhe kombet, të vogla apo të mëdha, të pasura apo të varfra, do të duhet të bashkëpunojnë, të ndihmojnë njëri tjetrin. Në këtë kontekst ne mbështesim reformën e Këshillit të Sigurimit, sado komplekse dhe e vështirë të duket, të bindur se strukturat e themelimit nuk mund të përfaqësojnë një OKB me një numër anëtarësh të trefishuar, në një botë të transformuar, me aktorë, kërkesa dhe sfida krejt të tjera nga ato të mesit të shekullit të kaluar. Para disa ditësh ne nënshkruam marrëveshjen për programin ONE UN në Shqipëri. Është një projekt pilot në të cilin ne jemi angazhuar dhe me anë të së cilit, së bashku me agjencitë e sistemit të OKB-së, tentojmë të sjellim më shumë koherence, më shumë efikasitet dhe një koordinim të shkallës së lartë në zbatimin e projekteve të agjencive të OKB-së në Shqipëri.
Me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, Shqipëria ka një marrëdhënie të veçantë. Prej disa vitesh ne punojmë ne mënyrë të suksesshme me praninë e saj në Shqipëri. Është me vend të theksoj se prania e OSBE-së ka dhënë një ndihmë të çmuar në zhvillimet demokratike në vend. Duke u mbështetur në këtë rekord, dëshiroj të theksoj gatishmërinë tonë për të hyrë në një fazë të re marrëdhëniesh me Organizatën duke synuar kështu përmbushjen e disa prioriteteve madhore të programit tonë të zhvillimit. Në këtë kontekst ne mendojë se është momenti që të rishikojmë mandatin e pranisë në Shqipëri me qëllimin e vetëm për ta përshtatur atë me nevojat reale për të cilat ne kemi ende nevojë për asistencë e të cilat janë në pajtueshmëri me aftësitë dhe ekspertizën e organizatës.
Vjet Shqipëria u pranua anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Organizata e ka shtrirë aktivitetin e saj, ka forcuar ndjeshëm dimensionin politik, ka vënë një theks të vërtetë në çështjet e të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore dhe dimensioni Evropian I saj është zgjeruar ndjeshëm. Pjesëmarrja jonë në këtë organizatë është po ashtu ngushtë e lidhur me mbrojtjen e kulturës në tërësi, në mënyrë të veçantë me mbrojtjen dhe zhvillimin e diversitetit kulturor. Asnjëherë më shumë se sot nuk ka qenë i nevojshëm dialogu I kulturave, bashkëpunimi i sensibiliteteve të ndryshme, në rajone e kontinente të ndryshëm dhe ne këtë drejtim ne kemi çfarë të ofrojmë.
Shqipëria ka kërkuar të bëhet anëtare e Procesit të Barcelonës dhe ne shpresojmë që në Konferencën e Ministrave të Jashtëm që mbahet mbas pak ditësh në Lisbonë, kërkesa jonë të marrë përgjigje pozitive. Shqipëria është natyrshëm një vend mesdhetar, me lidhje gjeografike, historike dhe kulturore me vendet e tjera mesdhetare. Partneriteti Euro-Mesdhetar është mekanizmi më i rëndësishëm i dialogut dhe bashkëpunimit mes të gjitha vendeve mesdhetare që përfshin të gjithë spektrin e sipërpërmendur. Anëtarësimi ynë në procesin e Barcelonës veçse e pasuron profilin dhe identitetin evropian të Shqipërisë, jo vetëm si vend i Ballkanit Perëndimor por edhe si vend mesdhetar. Interesimi ynë për anëtarësim në Procesin e Barcelonës është vetëm një vlerë e shtuar e perspektivës tonë evropiane, por ajo në asnjë mënyrë nuk konsiderohet si zëvendësuese e SAP apo instrumenteve të tjerë që përcillen nëpërmjet tij.
Zonja e zotërinj,
Ne jemi angazhuar për të bërë edhe një reformë në Shërbimin e Jashtëm duke synuar modernizimin dhe afrimin e tij me praktikat që zbatohen në vendet perëndimore, kryesisht ato të Bashkimit Evropian, në mënyrë të veçantë për sa u përket aspekteve të funksionimit të përfaqësive diplomatike.
Në muajin gusht ne miratuam një etapë të parë të reformës tërësore që Ministria e Punëve të Jashtme ka filluar të zbatojë në Shërbimin e Jashtëm, duke transformuar sistemin e pagesës së nëpunësve tanë jashtë vendit. Ne do të propozojmë së shpejti një strukture të re të Ministrisë siç do të rishikojmë edhe strukturat e përfaqësive tona diplomatike, duke rritur numrin e personelit me anëtarë të rinj të Shërbimit të Jashtëm të rekrutuar mes kandidatësh që kanë formim solid në Universitetet më të mira brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me kushtet e reja në të cilat zhvillohet aktiviteti diplomatik, në funksion të zbatimit të programit të qeverisë në fushën e marrëdhënieve me jashtë. Në përputhje me synimet tona ne do të zgjerojmë më tej përfaqësimin tonë diplomatik. Këtë vit do të hapim edhe dy përfaqësi të reja diplomatike dhe në vitin 2008 do të hapim edhe pesë të tjera, kryesisht në hapësirën evropiane.
Unë jam i ndërgjegjshëm se edhe me këto përmirësime thelbësore situata në Shërbimin e Jashtëm në përgjithësi ka nevojë për përmirësime të tjera, të cilat do të kërkojnë edhe përpjekje edhe burime njerëzore e materiale shtesë, për çka po punohet dhe unë jam tërësisht I angazhuar. Objektivat tona për anëtarësim në NATO, anëtarësim në Bashkimin Evropian, për një diplomaci aktive e profesionale të lidhur në mënyrë të qenësishme me përmirësimin e imazhit dhe tërheqjen e investitorëve e turizmit të huaj, për një rol më të madh në rajon e në Evropë, do të na çojnë natyrshëm në parashikimin e mjeteve në përputhje me synimet tona.
Po kështu, prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm duhet punë serioze e cilësore, profesionalizëm i shtuar e angazhim i vazhdueshëm. Shërbimi i Jashtëm duhet të jetë në gjendje të ofrojë mbrojtje të shkëlqyer të interesave të vendit e të shtetasve, të dije të prezantojë në çdo kohë vendin, vlerat e tij të trashëgimisë e të kulturës, në dritën e zhvillimit dhe dinamikën e avancimit të gjithanshëm.
Zonja dhe zotërinj,
Këto ishin disa nga momentet kryesore në të cilat do të konsistojë aktiviteti ynë diplomatik në muajt e ardhshëm. Gjatë këtyre ditëve ne do të kemi mundësi të analizojmë më në hollësi e deri në detaje elementë specifikë, çështje të veçanta, për të bërë që Shërbimi i jashtëm t’u përgjigjet në kohë, me profesionalizëm kërkesave që i parashtron programi i qeverisë dhe politika e jashtme e shtetit.