Përfaqësuesit e Parlamentit Rinor falënderojnë Kryeministrin Berisha për përkrahjen dhe mbështetjen për të rinjtë shqiptarë
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim mjaft të ngrohtë e të hapur, përfaqësues të Parlamentit Rinor të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi, grupi i Parlamentit Rinor shqiptar i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin dhe mirënjohjen e mijëra të rinjve nga të gjitha shkollat e mesme të vendit, për përkrahjen dhe kontributin që Kryeministri Berisha ka dhënë dhe jep për të rinjtë shqiptarë përmes nismave dhe reformave të qeverisë së tij si dhe përmes mbështetjes reale që Kryeministri tregon për aktivitetin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në jetën dhe zhvillimin e vendit.
Parlamentarët e rinj përgëzuan dhe falënderuan Kryeministrin për nismat e lidhura direkt me jetën dhe shkollimin e tyre, si matura shtetërore, projektin e internetit nëpër shkolla dhe Shqipërinë në moshën digjitale, reforma kundër korrupsionit, të rinjtë shqiptarë në një Shqipëri në NATO dhe drejt integrimit në BE, nxitjen e investimeve të huaja etj.
Kryeministri Berisha i falënderoi të rinjtë për vizitën e tyre, ndërsa tha se e ndiqte me vëmendje dhe kujdes të veçantë veprimtarinë e tyre, duke qenë progresi i te rinjve një prioritet i tij dhe i qeverisë së tij, sepse duke mbështetur të rinjtë mbështetet e ardhmja e vendit.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha bisedoi hapur mbi problematikën dhe fushat e veprimtarisë së të rinjve, duke theksuar se në fushën e luftës kundër korrupsionit duhet dhe do të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes strukturave që luftojnë korrupsionin dhe Parlamentit Rinor, roli i të cilit është shumë i rëndësishëm dhe i fuqishëm.
Gjatë bisedës, Kryeministri kërkoi ndihmën e të rinjve për të t’i thënë “Jo” ryshfetit dhe korrupsionit, në përkrahje të meritës dhe të vlerave të vërteta që do t’u japin të rinjve të ardhmen që prindërit tyre dëshirojnë për ta.
Përfaqësuesit e Parlamentit Rinor të Shqipërisë i dorëzuan Kryeministrit Berisha dhuratën simbolike të Parlamentit Rinor, duke i shprehur edhe njëherë gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontributin e tyre përmes pjesëmarrjes së të rinjve në proceset e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë.
Parlamenti Rinor Shqiptar është krijuar në vitin 2000 nga UNICEF dhe përbëhet nga të rinj e të reja nga të gjitha shkollat e mesme të 12 Prefekturave të vendit tonë.. Ai ka në strukturën e tij 13 komisione që trajtojnë problematika të ndryshme si, arsimi, lufta kundër korrupsionit, shëndetësia, sipërmarrja rinore dhe pjesëmarrja rinore në vendimmarrje, teknologjia online, sportet, barazia rinore, kultura, etj.