E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Australisë për Shqipërinë, zotin Jeremy Roger Newman

Kryeministri Berisha priti sot në Tiranë një takim kortezie ambasadorin e Australisë për Shqipërinë, zoti Jeremy Roger Newman, me rezidencë në Athinë, me rastin e emërimit të tij në këtë detyrë.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen i shprehu Ambasadorit vullnetin dhe angazhimin e qeverisë Shqiptare për të forcuar marrëdhëniet shumë të mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe për të rritur bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat.

Ambasadori australian pasi shprehu falënderimet e tij më të mira për pritjen, i transmetoi Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit Australian, Kevin Rudd, dhe i shprehu gatishmërinë e qeverisë australiane për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta politike, si dhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat.

Ambasadori Newman theksoi se dy vendet ndajnë pikëpamje të njëjta për zhvillimet rajonale dhe globale dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Australia i shërben stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht ambasadorin dhe qeverinë australiane për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se me njohjen e saj Ballkani bëhet më i lirë dhe i sigurt se kurrë.

Të dy personalitetet u shprehën për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare dypalëshe. Ambasadori Australian vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri kohëve të fundit dhe e njohu Kryeministrin Berisha me interesin e madh të biznesit australian për të investuar në Shqipëri.

Kryeministri Berisha e siguroi ambasadorin Newman se qeveria shqiptare do t’u japë këtyre investitorëve mbështetje të plotë dhe i prezantoi atij reformat më të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për sa i përket klimës së favorshme për investitorët e huaj në vend, si dhe me reformat e tjera si ato për luftën kundër korrupsionit, eliminimin e konfliktit të interesit, shkurtimin e shpenzimeve administrative abuzive, uljen e taksës së sheshtë në 10%, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit si pasojë e luftës kundër evazionit në dogana e tatime, rritjen e të ardhurave me 7% të PBB-së, si dhe me rritjen e konsiderueshme të të ardhurave që parashikohet të kryhet gjatë vitit 2008, e njohu reduktimin e gati 2/3 të licencave dhe lejeve të panevojshme, si dhe me privatizimet e rëndësishme strategjike që po bën qeveria shqiptare. Të gjitha këto reforma theksoi Kryeministri, kanë krijuar dhe do të përforcojnë më tej klimën e favorshme për biznesin dhe investitorët e huaj.

Të dyja palët diskutuan për progresin që po bën Shqipëria për dy projektet e saj më të mëdha, ato të integrimit në NATO dhe në BE.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›