E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon përfaqësues të konsorciumit EMAAR dhe ATASAY

Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësuesit e konsorciumit nga Dubai dhe Turqia, EMAAR dhe ATASAY.

Përfaqësuesit e këtij konsorciumi pasi përgëzuan Kryeministrin Berisha për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, u shprehën se nisur nga eksperienca pozitive që ka patur grupi turk, ATASAY në Shqipëri, nga klima e biznesit, reformat e ndërmarra dhe siguria në vendin tonë kanë vendosur Shqipërinë në qendër të investimeve të tyre prej qindra milionë eurosh në fushën e turizmit, pasurive të paluajtshme dhe në energji.

Grupi EMAAR nga Dubai operon në më shumë se 18 vende përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesit e këtij grupi u shprehën se Shqipëria është tashmë në qendër të vëmendjes së investimeve të tyre në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Ndërsa grupi turk ATASAY me eksperiencë në fushën e pasurive të paluajtshme dhe energji ka prezantuar tashmë një projekt për kaskadën e Vjosës.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha i falenderoi përfaqësuesit e konsorciumit EMAAR dhe ATASAY  për përzgjedhjen e Shqipërisë si vend me potenciale të fuqishme për investime. Kryeministri u konfirmoi përfaqësuesve të këtij konsorciumi sigurinë dhe garancinë për investimet e tyre dhe vënien në dispozicion konform ligjeve shqiptare të potencialeve të mëdha në turizëm, energji dhe pasuritë e paluajtshme.

Kryeministri Berisha tha se projektet e këtij konsorciumi janë shumë të mirëpritura dhe do të vlerësohen me vëmendje nga institucionet përkatëse.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›