Grupi më i madh kinez në prodhimin e teknologjive “Sinoma” përzgjedh Shqipërinë si qendër të vendosjes së biznesit të tyre në Europë
Kryeministri Berisha priti sot një grup drejtuesish të Grupit shtetëror kinez “Sinoma”, të kryesuar nga Kryetari i Bordit Tan Zhongming. Grupi “Sinoma” zë vendin e parë në botë në fabrikimin e teknologjive në fushën e prodhimit të çimentos, të fibrave të xhamit, të minierave jo metalike, të qeramikës etj..
Zoti Zhongming i prezantoi Kryeministrit Berisha vendimin e Bordit të Kompanisë për të investuar në Shqipëri, nëpërmjet ndërtimit të fabrikave në fushat e mësipërme, si dhe për ta konsideruar Shqipërinë si qendër të biznesit të tyre, të përpunimit dhe shpërndarjes së produkteve të tyre në Europë.
Kryeministri Berisha i falënderoi për përzgjedhjen e Shqipërisë si vendin më të përshtatshëm për investimet e tyre. Pasi i bëri një përshkrim të situatës dhe reformave ekonomike në vend, klimës mbështetëse dhe favorizuese për biznesin, avantazhet fiskale dhe procedurale që ofron Shqipëria, Kryeministri u sugjeroi si vendndodhje për vendosjen e biznesit të tyre parqet industriale në Elbasan dhe Spitallë në Durrës, të sapomiratuara nga qeveria.
Kryeministri i garantoi se qeveria që ai drejton do të vazhdojë të mbështesë investimet kineze në Shqipëri.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori kinez në Shqipëri.