Kryeministri Berisha takon kryetarin e Dhomës së Parlamentit, zotin Johei Kono
Në vijim të vizitës së tij në Japoni, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Dhomës së Parlamentit, zotin Johei Kono
Kryetari i Dhomës së Parlamentit Kono u shpreh i kënaqur që priste Kryeministrin shqiptar, në këtë vizitë historike edhe për faktin e lidhjeve të tij të hershme me shqiptarët dhe vizitës që kishte zhvilluar disa kohë më parë në Kosovë.
Zoti Kono shprehu vlerësimin e tij për suksesin e reformave në Shqipëri dhe masat e ndërmarra për inkurajimin e investimeve të huaja. Ai theksoi se stabiliteti politik, siguria në vend dhe potencialet natyrore të Shqipërisë, janë faktorë të rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve japonezë. Duke e vlerësuar vizitën e kryeministrit shqiptar historike, Zoti Kono u shpreh se kjo vizitë do të shërbejë si një mjet shumë i mirë njohje dhe promovimi për potencialet që Shqipëria mbart. “Rritja e shkëmbimeve dhe bashkëpunimi dypalësh ndërmjet dy popujve tanë, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në kulturë dhe art është një hap domosdoshëm, për përshkallëzimin e lidhjeve midis vendeve tona. Kjo vizitë është themeli i forcimit të marrëdhënieve tona në këto fusha.” u shpreh zoti Kono.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin shumë të frytshëm që zhvilloi me Kryeministrin Fukuda , si dhe për mbështetjen që ai mori nga kryeministri japonez dhe anëtarë te tjerë të lartë të qeverisë si Ministri i Financave, Ministri i Ekonomisë, si dhe nga Guvernatori i Bankës japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar dhe Kryetari i Organizatës së Tregtisë së Jashtme të Japonisë. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi të një rëndësie të veçantë takimet me përfaqësues të lartë të biznesit japonez.
Kryeministri Berisha u shpreh i kënaqur që Kryeministri japonez Fukuda do të vazhdojë t’i japë mbështetje të plotë Shqipërisë, në realizmin e projekteve të shumta për investimin në zhvillimin e turizmit, energjisë, si dhe vlerësoi dhënien e kredisë së butë prej 12 miliard jen.
Kryeministri theksoi ndër të tjera se do të ishte një inkurajim i madh për investuesit japonez hapja e ambasadës japoneze në Shqipëri.
Në prezantimin e situatës së përgjithshme ekonomike dhe politike të Shqipërisë, Kryeministri theksoi se tashmë është konsoliduar një kornizë ligjore e përshtatshme sipas standardeve evropiane për tërheqjen e investimeve. Kryeministri e njohu zotin Kryetarin e dhomës së parlamentit me masat e ndërmarra nga qeveria për të minimizuar sa më shumë të jetë e mundur pengesat burokratike, nëpërmjet digjitalizimit të një sërë proceseve të rëndësishme, të cilat i kanë hapur Shqipërisë rrugën drejt moshës digjitale. Kryeministri theksoi se si pasojë e implementimit të reformave në sektorin ekonomik si dhe e një sërë masave, si vendosja e taksës së sheshte prej 10 %, ulja taksave për biznesin, etj është shënuar një rritje ekonomike prej 6 %, duke e bërë Shqipërinë, vendin me barrën më të ulët fiskale në Evropë.
Zoti Kono vlerësoi hapat e rëndësishme të ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të tërheqjes së investitorëve të huaj si dhe i shprehu kryeministrit Berisha përshtypjet shumë pozitive për prezantimin e tij para biznesit japonez.
Kryeministri Berisha takon grupin e përfaqësuesve të lidhjes parlamentare Japoni-Shqipëri
Kryeministri Berisha pati sot një mëngjes pune me një grup të madh përfaqësuesish të lidhjes parlamentare Japoni-Shqiprëi, të kryesuar nga Kryetari ETO Seishiro, ish ministër i mbrojtjes dhe sekretarja e përgjithshme zonja Hoike Juriko, ish ministre mjedisit.
Në këë takim ishin të pranishëm gjithashtu zoti Hosoda, ministër i shtetit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Liberal-Demokrate në fuqi, senatori Okada, zonja Akiko Janamaka, zëvendësministre e jashtme, zoti Chihiro Murakami, ish ministër i shtetit, zonja Majumi Morijama, ish ministre e Drejtësisë, zonja Nidori Masushita, ish zv ministre e transportit, etj
Në fjalën e tij, Kryetari i Lidhjes Seishiro shprehu në emër të parlamentarëve japonezë, kënaqësinë e veçantë dhe nderin që presin, në një vizitë historike, kryeministrin shqiptar Berisha. Zoti Seishiro e vlerësoi vizitën e kryeministrit Berisha shumë të suksesshme dhe një mundësi e madhe për promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Zoti Seishiro i premtoi kryeministrit Berisha se grupi i parlamentarëve do të bëjë cështe e mundur për të bërë të njohura potencialet e Shqipërisë për investime si dhe të ndikoje tek qeveria japoneze për vazhdimin e ndihmave ndaj shqipërisë.
Duke falënderuar parlamentarët për mikpritjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e zhvilluar në Japoni, si dhe për takimin tepër të frytshëm me Kryeministrin e vendit Fukuda. Kryeministri shqiptar u drejtua me një falënderim për qeverinë japoneze për ndihmën bujare dhe të çmuar që ajo ka dhënë përgjatë 15 viteve në Shqipëri, duke filluar nga energjia, infrastruktura arsimi, asistenca teknike, etj, si dhe për kredinë e butë prej rreth 12 miliard jen që qeveria japoneze i ka akorduar Shqipërisë.
Kryeministri Berisha shprehu angazhimin për forcimin e lidhjeve me Japoninë në të ardhmen dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke inkurajuar investitorët japonezë për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha bëri një prezantim të hollësishëm për parlamentarët japonezë të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në progresin e ekonomisë shqiptare, e cila shënon tashmë një rritje vjetore prej 6 % , si dhe në masat e vazhdueshme që po ndërmerr qeveria shqiptare për krijimin e një mjedisi atraktiv për investuesit e huaj.
Kryeministri Berisha theksoi se ai dhe qeveria shqiptare do të punojnë për forcimin e lidhjeve me Japoninë, duke inkurajuar investitorët japonezë për investime në Shqipëri.
Kryeministri Berisha u shpreh se nga takimet që ai zhvilloi në Japoni, mesazhi më i rëndësishëm që u përcoll ishe ai i miqësisë mes dy vendeve, i cili do të forcohet në të ardhmen, nëpërmjet mbështetjes që Japonia do të ofrojë për Shqipërinë, si dhe rritjes së interesit të investitorëve japonezë për të investuar në Shqipëri.