E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Këshillit të Kombëtar të Ujit

Sot paradite, kryeministri Berisha mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Ujit, ku ishin të pranishëm ministra, prefektë si dhe përfaqësues të institucioneve kërkimore, shkencore të vendit.

Në mbledhje u miratuan disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjeve; me planet e rehabilitimit të shtretërve të lumenjve , të dëmtuara nga shfrytëzimi i inerteve si dhe vendimi " Për disa shtesa dhe ndryshime ne vendimin "Për krijimin e këshillave të baseneve".

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha, i njohu të pranishmit me përfundimet dhe rekomandimet e nxjerra nga grupi ndërministror, mbi studimin e kryer në basenet e lumenjve të mëdhenj të vendit.

Kryeministri tërhoqi vëmendjen për shkatërrimin që kanë pësuar shtretërit e lumenjve nga shfrytëzimi jashtë çdo kriteri i prurjeve të lumenjve, prej firmave të ndryshme, duke kërcënuar realisht jetën dhe territore të tëra pranë këtyre lumenjve.

Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim arriti në përfundimin për ndërprerjen e menjëhershme dhe në një kohë të pacaktuar të shfrytëzimit të inerteve në shtretërit e lumenjve Ishëm dhe Erzen si dhe në disa pjesë të lumit Drin, Shkumbin dhe Vjosë. Gjithashtu marrja e inerteve, në zona të tjera të bëhet vetëm në sezonin me më pak ujë, maj-tetor, sepse vetëm në këtë periudhë mund të verifikohet mënyra e shfrytëzimit dhe rehabilitimi i zonës së shfrytëzuar. Për një shfrytëzim sa më racional të lumenjve u konkludua se nuk duhet të merren më shumë se 50 % e prurjeve.

Kryeministri Berisha nënvizoi domosdoshmërinë e një kthese rrënjësore në qëndrimin ligjor ndaj këtij problemi. Duke iu drejtuar prefektëve, Kryeministri vuri theksin në zbatimin me rigorozitet të ligjit për kompanitë ndaj të cilave janë vendosur sanksione. Gjithashtu kryeministri theksoi rëndësinë e licensimit sa më shpejt të kompanive të materialeve inerte, në mënyrë që këto materiale të nxirren nga zona të tjera si guroret, etj.
"Çdo indiferencë ndaj moszbatimit të ligjit, është korrupsion dhe nënshtrim para presionit", theksoi kryeministri.

Kryeministri Berisha u ndal në rëndësinë e riorganizimit të policisë ndërtimore, në funksion të zbatimit me vendosmëri të ligjit.

Një çështje tjetër e rëndësishme që u diskutua ishte zgjidhja e problemeve ujore që dalin me vendet fqinje, sidomos nga ndërtimi i hidrocentraleve, të projektuara si vepra të përbashkëta me këto vende. Për këtë arsye, kryeministri kërkoi nga Ministria e Mjedisit angazhimin e një grupi ekspertësh që do të negociojë në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›