Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin merr nw shqyrtim projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10119, datë 23.04.2009 Për planifikimin e territorit.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 10.3.2010, në orën 11:00, filloi shqyrtimin e projektligjit Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10119, datë 23.04.2009 Për planifikimin e territorit.
Për këtë projektligj relatuan dy anëtarët e komisionit: deputetët Ardian Turku dhe Ardian Kollozi. Ata shpjeguan se ky projektligj propozon që planet zhvillimore për bashkitë e kategorisë së parë, të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Kjo është bërë e domosdoshme pasi instrumentet e planifikimit, të cilat duhet të dilnin me akte nënligjore në zbatim të ligjit nr. 10119 datë 23.4.2009 Për planifikimin e territorit, nuk janë hartuar e miratuar dhe nuk duket se do të realizohen, edhe pse afati i tyre i miratimit, është brenda dy vjetësh nga miratimi i ligjit.
Probleme kanë sjellë dhe koncesionet, të cilat ndodhen në burime që nuk janë pjesë territoriale të këtyre bashkive dhe projektligji synon ta rregullojë këtë, duke parashikuar që në çdo rast veprat me interes kombëtar, zhvillimet të planifikohen në KKT dhe lejet përkatëse zhvillimore (për koncesione të pakërkuara) të shqyrtohen në KKT. Për këto raste KKT-ja ka kapacitete njerëzore që mundësojnë një oponencë më të saktë.
Projektligji nuk shkel parimet e decentralizimit, të autonomisë vendore e subsidiaritetit dhe sjell vetëm një kufizim të pjesshëm, ligjor e kushtetues për shkak të interesit kombëtar. Sipas projektligjit, mundësohet përputhja e interesit kombëtar me atë rajonal.
Ligji nr. 10119 Për planifikimin e territorit është kompleks dhe shfuqizimet në të janë parashikuar në formë urdhëruese, por pa bërë përcaktime.
Projektligji parashikon që KKT-ja të jetë dhe organi i fundit miratues për lejet e zhvillimit në zona kombëtare, zona shtetërore dhe në oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, zonave universitare, spitaleve, kopshteve, ku pushteti vendor nuk ka përgjegjësi administrimi.
Shqyrtimi i projektligjit do të vazhdojë nesër, më 11.3.2010, në orën 11:00.