E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon homologun hungarez Orban

Kryeministri Sali Berisha është takuar në Hungari me homologun e tij Viktor Orban. Gjatë një konference për shtyp të dy kryeministrave Orban ka vlerësuar rolin e Berishës për demokracinë në Shqipëri pas diktaturës. Duke e cilësuar kryeministrin shqiptar si luftëtar të demokracisë Orban ka theksuar se Shqipëria pas diktaturës, ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde evropiane, ndërsa shpreson se në të ardhmen Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Liderët e shteteve të Evropës do të kishin parë me sytë e tyre se ka shumë pak vetë që ngjajnë me mikun tonë këtu sot, pasi ai është një person që ka një rol shumë të madh dhe shumë pozitiv, që nga fillimi i historisë moderne shqiptare, dhe historinë moderne shqiptare, pa zotin Berisha, nuk do të ishte e mundur as ta imagjinonim”- u shpreh Orban.
Gjithashtu kryeministri hungarez tha se shqiptarët janë një popull mik, pasi mbi të gjitha, janë një popull që, nga vuajtje të mëdha, kanë arritur të jetojnë në demokraci. Shqipëria tha ai ka kaluar një nga diktaturat më të mëdha dhe më të këqijat e të gjithë historisë evropiane, ndaj mendoj se shqiptarët e dinë më mirë se ç‘do të thotë të jetosh në diktaturë. “Në këtë kontekst, është vërtetë një nder i madh që të kemi sot këtu një luftëtar të demokracisë si ty, zoti Kryeministër i Shqipërisë”- tha Orban
Ndërkaq ai ka vlerësuar lidhjen mes Shqipërisë dhe Hungarisë që sipas kanë një histori të përbashkët, ai e ka konsideruar një shtet të rëndësishëm, që sipas tij këtë duhet të shikojë edhe Europa.
Ai ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në Ballkan si një faktor kyç për stabilitetin në rajon “Unë mendoj se roli i Shqipërisë do të ndryshojë dhe do të zmadhohet shumë në vitet e ardhshme. Prandaj, ne mendojmë se politikë e mirë do të ishte që Hungaria të ndihmonte dhe të merrte parasysh si partner strategjik, jo vetëm Shqipërinë, por të gjitha shtetet e rajonit”- theksoi Orban
Kryeministri hungarez tha se Shqipëria është një vend që sa vjen e rritet më lartë, GDP-ja është në rritje vit për vit. “Unë mendoj se në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Evropë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit. Kështu që, mendimi im është që; në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë potencialë nga ana e vendeve të Ballkanit”-tha ai.
Nga ana e tij kryeministri Berisha i ka shprehur mirënjohjen homologut hungarez për mbështetjen që i jep Shqipërisë në projektet e saj të rëndësishme të zhvillimit të vendit dhe integrimit në NATO dhe tani, integrimit në Bashkimin Evropian.
“Marrëdhëniet mes dy kombeve dhe vendeve tona janë marrëdhënie të hershme dhe do t’i quaja cilësore. Janë marrëdhënie përpjekjesh të përbashkëta në kohëra të shkuara për liri dhe dinjitet dhe mbrojtjen e vlerave të qytetërimit të sotëm perëndimor. Por kjo vizitë e imja koincidon me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona dhe në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”-theksoi Berisha
Ai tha se sot pas 100 viteve shqiptarët janë të lirë, por asokohe, ky ishte vendimi i parë i vetëm në mbështetje të pavarësisë së shqiptarëve, si një gur i çmuar në kurorën mes dy vendeve tona, si një trashëgimi e shkëlqyer në kurorën mes dy vendeve tona mbetet mbretëresha e parë shqiptare në kohët moderne, Mbretëresha Geraldinë. Dashuria e saj për kombin dhe vendin tim është legjendë e dashurisë për një vend dhe një komb. Geraldina ishte pa dyshim mbretëresha më e bukur e Evropës.
Berisha tha se shqiptarët kanë pasur te Hungaria një mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e tyre në NATO, ndërkohë që kanë një mbështetje të vendosur në projektin e Shqipërisë për integrimin e plotë në BE.
“Ne diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fusha, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku ka një hapësirë shumë më të madhe bashkëpunimi. Shqipëria bëhet çdo ditë e më shumë një vend me interes të veçante nga investitorët dhe ka një klimë miqësore ndaj biznesit. Në fushën energjisë, ne jemi vend i pasur në ujëra dhe kompani nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në Shqipëri. Shqipëria po ndërton një infrastrukturë tërësish të re rrugore, ku kompani nga e gjithë bota po marrin pjesë në tender në ndërtimin e kësaj infrastrukture. Kompanitë hungareze janë të mirëpritura në këto drejtime”
Gjithashtu ai e ka njohur homologun hungarez me prioritet e qeverisë së tij si arsimi dhe bujqësia për të cilët do të bashkëpunojë ngushtë me Hungarinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›