E Diel, 1 Nëntor 2026

Zile me muzikë të vjedhur, Vodafon paditet në gjykatë

Tiranë- Problemet e pronësisë vazhdojnë të konsiderohen si pengesë serioze zhvillimit ekonomik por edhe e shkeljes së të drejtave të njeriut. Të gjitha paditë që shtetasit shqiptarë kanë fituar në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg lidhen pikërisht me çështjen e pronave. Por në Shqipëri nuk është vetëm pasuria e paluajtshme që është dhunuar, vjedhur e grabitur, me ose pa ligj.

Në të njëjtën mënyrë është trajtuar edhe pasuria intelektuale, e cila mund të thuhet që është edhe më e shpërfillur. Mjafton një usb dhe komanda copy dhe mund të bësh tënden një punim shkencor, një krijimtari letrare, vepër artistike dhe muzikore, pa u interesuar për investimin intelektual që autori ka bërë dhe mbi të gjitha pa paguar asgjë.

Një prej zerave të njohur të muzikës shqiptare, këngëtari Adrian Trebicka dhe kompozitori Ilirian Mihali, i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke paditur për vjedhje kompaninë e telefonisë celulare Vodafon Albania. Padia është depozituar me 9 korrik 2010 dhe bëhet fjalë për një përdorim të paautorizuar si ringtone të këngës Trendafile, që ka shoqëruar Miss Shqipëria 2001, pjesë e albumit Dhe deti na ka zili i këngëtarit Adrian Trebicka dhe kompozim i Ilirian Mihalit.

Ne iu drejtuam për një prononcim kantautorit dhe njëkohësisht pedagogut të kantos në Akademinë e Arteve, Adrian Trebicka, i cili na rrëfeu që kjo çështje qëndron pezull prej gati katër vitesh. Ai shpjegon se fillimisht ato i janë drejtuar Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, e cila nuk ka pranuar ta marrë në shqyrtim çështjen me motivacionin se kjo zyrë nuk ekzistonte në kohën kur është bërë shkelja. ZSHDA është krijuar në vitin 2003 ndërkohë që kënga është krijuar në vitin 2001.

Z. Trebicka thotë që më pas ato i kanë paraqitur ankesën kompanisë Vodafon Albania dhe në pamundësi të arritjes së një marrëveshjeje me të, ato janë detyruar t`i drejtohen gjykatës. Ne të kemi bërë reklamë, kënga jote është bërë më e famshme për shkak të ringtoneve. Ky ishte i vetmi argument që Vodafon kishte për të më dhënë- shprehet Trebicka. Ai na tregon se emri i tij është përdorur pa autorizim edhe herë të tjera në fletukshkat promocionale të kësaj kompanie. Fletushka që në shumë raste kanë qënë tejet denigruese.

Të drejtën e distribuimit dhe përdorimit të kolonave zanore si ringtone e ka marrë Fitotel Ada Holding, por z. Trebicka nuk rezulton në listat e artistëve që kanë nënshkruar marrëveshje me këtë kompani, si i tillë ai duhet të ishte kontaktuar personalisht.

Trebicka zotëron një numër Vodafon dhe është një nga mijëra klientët e kompanisë. Unë nuk kam asgjë personale me Vodafon Albania, si klient jam i kënaqur, por si autor të drejtat e mija janë shkelur dhe unë kam të drejtë të ngre zërin për to- thekson ai.  Më tej ai thotë se të drejtat e autorëve shkelen çdo ditë në Shqipëri dhe se ai dëshiron që rasti i tij të bëhet shembull, dhe të tjerë artistë t’i bashkohen nismës së tij. Kjo nuk është një çështje financiare. Mbi të gjitha kjo është një luftë morale sepse mendoj që prona intelektuale dhe artistike meriton të mbrohet po aq sa ajo fizike- nënvizon ai.

Në rast se gjykata do të vendos t’i japë të drejtë paditësve artistë, kjo do të thotë që Vodafon Albania ka shkelur, Ligjin për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, i miratuar nga kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2005. Ky ligj parashikon mbrojtejen e të drejtave të autorëve dhe krijuesve origjinalë mbajnë të drejtën ekskluzive për përdorim ose të autorizojnë të tjerët për të përdorur vepren mbi kushte dhe marreveshje të rëna dakord. Në rastet e mungesës së një marrëveshjeje të tillë dhe përdorimi të paautorizuar, të drejtat e autorit janë shkelur me ligj.

Gjykata e Tiranës po e shqyrton këtë padi që prej gati 2 vitesh dhe aktualisht procesi është ne fazën e ekspertimit të provave dhe vlerësimit të dëmit. Ekspertja që është caktuar nga palët për të dhënë vlerën pasurore dhe morale të dëmit është Diana Ziu. Kanautori Adrian Trebicka shprehet i kënaqur me punën e gjykatës deri më tani edhe pse nuk harron të nënvizojë: Nëqoftëse Gjykata e Tiranës nuk më jep të drejtë, çështjen do ta çoj në Strasburg. Gazeta IDEA do të ndjekë në vijim procesin gjyqsor të kësaj çështjeje për të mësuar verdiktin e drejtësisë.

Matilda Alku /IDEA

No related posts.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›