E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon në Nju Jork kryeministrin e Turqisë, Rexhep Erdogan

Shqipëria dhe Turqia do të thellojnë bashkëpunimin ekonomik

Kryeministri Sali Berisha, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork në kuadër të punimeve të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua me Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, gjatë takimit të dy personalitetet, pasi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, rishprehën vendosmërinë e tyre dhe të qeverive që ata drejtojnë për të forcuar edhe me tej ato, si edhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat, sidomos në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare. Kryeministri Erdogan e siguroi z. Berisha për vendosmërinë dhe përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë turke për të nxitur investitorët turq për të ardhur dhe investuar në Shqipëri ,duke e falënderuar njëkohësisht Kryeministrin Berisha për klimën e favorshme që qeveria shqiptare ka krijuar për biznesin dhe investitorët e huaj. Duke u ndalur në krizën globale, Kryeministri Berisha u shpreh se reformat ekonomike e financiare që qeveria shqiptare ndërmori në mandatin që sapo u mbyll 2005-2009, kanë bërë të mundur që pesha e krizës globale të mos sjellë pasoja të konsiderueshme në vend dhe se ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet me ritme të larta edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009. Më tej, të dy personalitetet u ndalën në zhvillimet në rajon, në veçanti tek njohja e pavarësisë se Kosovës. Kryeministri Erdogan dhe Kryeministri Berisha ndanë të njejtin mendim se njohja e shpejtë e shtetit më të ri të pavarur të Evropës, Republikës se Kosovës është dhe mbetet faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›