Kryeministri Berisha takon një grup parlamentarësh nga Estonia
Kryeministri Berisha priti paraditen e sotme, një grup parlamentarësh të Estonisë, të kryesuar nga Z. Rainn Rosimannuss, kryetari i grupit parlamentar Estoni-Shqipëri.
Parlamentarët estonezë i shprehën Kryeministrit Berisha ngushëllimet më të sinqerta për humbjet njerëzore në tragjedinë e javës së kaluar në Gërdec, si dhe shprehën solidaritetin e parlamentit estonez ndaj qeverisë shqiptare dhe familjeve të viktimave.
Duke i falënderuar parlamentarët për solidaritetin e shprehur, Kryeministri Berisha i njohu ata me masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përballimin me sukses të situatës së emergjencës.
Parlamentarët estonezë vlerësuan bashkëpunimin dy palësh mes vendeve dhe u shprehën të vendosur për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes ë përbashkët.
Gjatë takimit, bisedimet u përqendruan në bashkëpunimin për zhvillimin e shoqërisë së informacionit, fushë në të cilën Estonia paraqet një ndër ekspertizat më të mira në botë, për sa i përket shërbimeve të qeverisjes elektronike, sigurisë së informacionit, sistemeve të informacionit gjeografik etj.. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të intensifikuar bashkëpunimin në këtë fushë, nëpërmjet realizimit të projekteve të përbashkëta.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të ecurisë së reformave në fusha të ndryshme, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të qenë konstante në luftën me zero tolerancë, kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri u ndal në dy prej reformave shumë të rëndësishme për Shqipërinë, reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, të cilat po ecin në rrugën e duhur , edhe në sajë të një klime shumë të mirë bashkëpunimi me opozitën. Ndër të tjera, Kryeministri I njohu parlamentarët estonezë me përpjekjet e qeverisë për përmirësimin dhe lehtësimin e vazhdueshëm të mjedisit ndaj biznesit, duke ftuar në të njëjtën kohë investitorët estonezë për të shfrytëzuar pasuritë e shumta që ofron Shqipëria në turizëm, pasuri minerale, etj..
Ndër të tjera, parlamentarët estonezë shprehën gatishmërinë e tyre për shtimin e investimeve të biznesit estonez në Shqipëri, sidomos në sektorin e turizmit, atë farmaceutik, të gazit,etj..
Gjithashtu. parlamentarët estonezë shprehen kënaqësinë e tyre për vizitën që Kryeministri Berisha do të zhvillojë muajin e ardhshëm në kryeqytetin estonez, Tallin, gjatë së cilës do të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme me interes të përbashkët.