Kryeministri Berisha takon përfaqësues të projektit të madh të gazit “TAP AG”

Ky projekt pritet të prekë një serë vendesh evropiane përfshirë këtu edhe Shqipërinë
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim një grup përfaqësuesish të projektit të madh të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP AG), që kalon edhe në Shqipëri, të kryesuar nga drejtori i projekti Kjetil Tungland. Tungland e informoi kryeministrin mbi zhvillimet e fundit për këtë projekt shumë të rëndësishëm gazi, duke theksuar veçanërisht suksesin e negociatave dhe rezultatet e arritura me vendet pjesëmarrëse në këtë projekt, Norvegjinë, Zvicrën, Italinë, Turqinë, Greqinë, Gjermaninë, Azerbajxhanin. Ai përmendi si shumë të rëndësishëm faktin që grupeve të përfshira në këtë projekt, Statkraft, EGL, iu shtua edhe një partner i tretë shumë i rëndësishëm, kompania gjermane EON Ruhrgas dhe se ishin në negociata edhe me partnerë grekë. Drejtori i projektit, Tungland tha se Memorandumi i Mirëkuptimit, i sapo nënshkruar me Shqipërinë, i shtohet marrëveshjeve që po bëhen me të gjitha vendet, ku kalon projekti. Kryeministri Berisha falënderoi Tungland për informacionin dhe i siguroi ata që mbështetja e qeverisë shqiptare, si vend i përfshirë në këtë projekt dhe përfitues prej tij, do të ishte e vazhdueshme dhe e garantuar. Shqipëria, tha kryeministri, do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht këtë projekt dhe të marrë pjesë në diskutimet dhe marrëveshjet dypalëshe me vendet fqinjë apo shumëpalëshe. Kryeministri Berisha i sugjeroi gjithashtu, grupit që në këtë projekt të përfshiheshin nëpërmjet degëzimeve, edhe vendet e rajonit si Kroacia, Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, etj..
...