E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ultimatumi” i Namik Dokles, si “ultimatum” i Namik Dokles

Që prej ditës së djeshme, personalisht kam krijuar bindjen se kutitë e fletëve të votimit nuk do të hapen. Këtë bindje e krijova, jo se di ndonjë gjë të saktë, por thjesht dhe vetëm duke “lexuar ndryshe” mesazhin në formë “ultimatumi” të artikuluar dje alla-Namik Dokle.
Në vijim të kësaj “logjike”, në qoftë se do të besojmë “kërcënimin” e djeshëm të Namik Dokles, sipas të cilit “Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar; kryeministër, qeveri apo KQZ dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit. E përsëris, që ta marrë vesh mirë Berisha, Ristani dhe gjithë stani i tyre, se fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen!”, atëherë duhet të besojmë se ende sot, do të kishim një çadër edhe më të stërmadhe ngujimi në segmentin e bulevardit para dy kullave binjakë në Tiranë dhe brenda tyre të kishim, jo mbi 200 deputetë e militantë të PS-së, por mbi 2000 përfaqësues nga ky “komunitet”.
Pse...?
Sepse a nuk na tha këtë Namik Dokle jo larg, por fiks një javë më parë.
Nuk e mbani mend...?
Po ua kujtojmë...
“Gjithë grupi parlamentar dhe mbi 2000 mbështetës janë të gatshme të hyjnë në grevë. Se kur do hyjmë në grevë nuk vendoset nga media por nga grevistët të cilët kanë moral të lartë dhe janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund kësaj kauze”, shprehej Namik Dokle në 19 maj 2010.
Dhe vetëm pas orë, pas këtij “ultimatumi”, të gjithë e mbajmë po aq mend, se si Namik Dokle, ia kishte futur kot (sepse në kushtet e të moskuptuarit, atij ashtu i kishin thënë të thoshte), dhe e kishte pasur fjalën për të kundërtën.
Historia përsëritet...
Asnjëherë s’ka ndodhur që kjo “përsëritje historie” të ndodh ka shpejt..., vetëm jo më larg se “të shtatat” e “ultimatumit” të Namik Dokles.
E pra, Namik Dokle këtë bëri edhe dje...
Lëshoi “ultimatumin” e radhës, këtë herë për mosasgjësimin e fletëve të votimit, sepse sipas tij “mund të bëhet nami”...
Por, sipas “standardit” që vetë Namik Dokle ka betonuar që prej një jave (për namin që nuk bënë mbi 2000 deputetë e mbështetës të PS-së), i bie që vetëm disa orë pas “ultimatumit” të tij të djeshëm, saktësisht sot, “fletët e votimit” të harrohen dhe se pas takimeve e bisedave me delegacionin e ekspertëve të BE-së, nga “ultimatumi” i Namik Dokles, të mbahet mend vetëm Namik Dokle, përfaqësuesi i “politikës së re”, si personi “adap”, i vetëm dhe i papërsëritshëm edhe kur duhet ndonjë kandidat sa për numër për President Republike, bie fjala përballë Ramiz Alisë, apo edhe kur Edi Ramës i duhet “të trafikojë” ndonjë “ultimatum”...
Të presim, çfarë “ultimatumi” do të na rezervojë Namik Dokle, në fund të këtij 7-ditëshi të radhës, të sapo filluar...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›