E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ka ultimatume për një vend që ka zhvilluar zgjedhjet më të lira në histori

Kryeministri Berisha rikomenton takimin e Strasburgut dhe hedh poshtë “përpëlitjet” politike të Edi Ramës dhe veglave të tij mediatike

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje para anëtarëve të kabinetit qeverisës në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, se nga darka e Strasburgut, palës shqiptare nuk i është dhënë asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët, për zgjidhjen e ngërçit politik. Duke iu rikthyer edhe njëherë darkës së Strasburgut në restorant “Crocodile”, kreu i qeverisë Berisha tha se takimi ishte konstruktiv, ku mbizotëroi fryma e përbashkët, për zgjidhje të situatës politike në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Dua t’ju garantoj një gjë: nuk ka pasur, në mënyrë kategorike dhe absolute, asnjë ultimatum. Se një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. çdo interpretim i kësaj natyre është tërësisht interpretim primitiv, thellësisht primitiv. Ne jemi një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat kanë plotësuar standardet më kryesore të OSBE/ODIR-it. Ata që imagjinojnë se kësaj qeverie i qenkan dhënë ultimatume, atyre u ka mbetur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi. Nuk ka pasur as edhe një ultimatum. Meqenëse e kanë qarkulluar këtë gjë me kaq pasion, mund të them se, përkundrazi, janë diskutuar opsione, për të cilat, për shkak të karakterit të tryezës, pasi ishte një darkë pune, nuk kam marrë dhe nuk marrë përsipër t’i bëj publike. Por, ka spikatur dhe spikat në mënyrën më të qartë vendosmëria për të respektuar Kushtetutën e këtij vendi, për të respektuar ligjet e këtij vendi, për të pasur dialog të padiskutueshëm midis forcave politike, për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme dhe për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar. Por jashtë çdo lloj konteksti të një borxhi ndaj ndokujt. Këtë dua t’jua them në mënyrën më të prerë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit, cilësoi më tej se qeveria ka detyrime konstante morale ndaj opozitës dhe kjo nuk mund të mohohet.
“Mbi bazën e këtij sensi përgjegjësie janë bërë oferta pa asnjë lloj kompleksi. është ofruar vullneti për të marrë pjesë në komisionin hetimor, ç’ka s’ka asnjë detyrim, por sigurish ka një detyrim moral ndaj opozitës deri sa të fton dhe të tjera që dihen. Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë ultimatum. Atyre që i mbahen doktrinës së ultimatumeve mund tu them se nuk u shërben. Doktrina e ultimatumeve është një doktrinë e papajtueshme me dialogun, është doktrinë e papajtueshme me kompromisin. Duhet ta studiojnë mirë politikën dhe të shohin se kur hyjnë në fuqi ultimatume dhe në cilat rrethana aplikohen ato”, nënvizoi më tej Kryeministri.
Berisha vlerësoi edhe njëherë takimin si qartësisht pozitiv me tematikë shqyrtimin e problematikës.
“Takimi në Strasburg, në vlerësimin tim, ishte një takim qartësisht pozitiv. Miq të Shqipërisë, të cilët me preokupimin më të mirë dhe më pozitiv, me ftuan mua dhe zotin Rama për të shqyrtuar problematikën. Shkova, shkoj dhe do të shkoj pa asnjë lloj problemi. Unë kundërshtarin nuk e marr për armik. Unë nuk udhëhiqem kurrë në mendjen time nga kulti i armikut, sepse është rruga më e papranueshme në rrafshin psikologjik, por rruga më e sigurt e dështimit në rrafshin politik”, tha më tej Kryeministri Berisha.
Reagimi i kryeministrit vjen gati një javë pas takimit të zhvilluar në Strasburg me kryetarin e opozitës. Eksponentë dhe media të kontrolluara nga e majta, keqpërdorën për ditë të tëra informacionet, duke e kthyer darkën e Strasburgut, në ultimatum të qeverisë dhe mazhorancës. E vërteta është se Strasburgu, por edhe Brukseli kanë shfaqur prej disa muajsh shqetësim për ngërçin politik dhe darka mes palëve kishte si objeksion shqyrtimin e tematikave dhe diskutime të gjëra për t’i dhënë zgjidhje situatës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›