Të mësosh nga Shqipëria
Libërthi i Jërg Dauscher përbën sjelljen më të re rreth Shqipërisë e shqiptarëve nga një autor bashkëkohor gjerman. Ai paraqet përditshmërinë në një fshat të Shqipërisë Veriore dhe rrëfen mbi jetesën reale të fshatarëve. Ai na jep me veprën e tij letrare, plot vëzhgime e refleksione të mbarsura me figura poetike rreth një vendi në ndryshim.
Një libërth i vogël, por tejet interesant, duket se është edhe sjellja më e re rreth Shqipërisë e shqiptarëve nga një autor bashkëkohor gjerman. “Të mësosh nga Shqipëria: jeta pas krizës ekonomike”. Ky në fakt nuk është titulli i përmbledhjes së tij në fjalë, por titulli ofruar nga kritika e mediat vendase që i bëjnë jehonë vëllimit të tij letrar, i pari në radhën e botimeve të një autori me banim në Berlin, që nga profesioni është këshilltar komunikimi dhe mbikqyr proceset krijuese për ndërmarrje dhe persona privatë. “Drejt Shqipërisë. Reportazh nga një udhëtim” (titulli në origjinal: Nach Albanien. Bericht einer Reise), nuk është vetëm një reportazh gazetaresk apo informativ, por një përmbledhje letrare që pretendon shumë më tepër; duke na dhënë me vërtetësi atmosferën dhe situatën që ai ka ndeshur në kohën që ka kohën ka zgjedhur ta kalojë në Shqipëri e veçanërisht, në atë të Veriut.
Ja ç’ thotë kritika në një recension të publikuar në portalet e njohura të shitjes së librave online si “www.amazon.de”, apo në mediat vendase: Shqipëria ka lënë pas vetes gjithçka: rrënimi i industrisë, i sistemit financiar dhe tregjeve. Libërthi i Jërg Dauscher sjell informacione mbi jetën pas krizës. Më tej aty shkruhet: Me shumë simpati për vendin dhe njerëzit, Dauscher na paraqet përditshmërinë në një fshat të Shqipërisë Veriore. Improvizimet, ekonomia për mbijetesë dhe pamjaftueshmëria janë ato që përcaktojnë jetesën. Dauscher ndriçon – vëren më tej kritika gjermane - si anët e vështira, ashtu dhe ato të këndshme të situatës në një gjendje postindustriale. E aty dalin në pah edhe skena të shkurtra, vëzhgime e refleksione të mbarsura me figura poetike rreth një vendi në ndryshim.
Më poshtë duke u marrë me aspektin e trajtimit të informacionit në sferën ekonomiko-politike, aty thuhet se: Ekonomia shqiptare u rrënua tërësisht si pasojë e firmave piramidale në fund të viteve nëntëdhjetë. Ndodhën trazira me skena të ngjashme me ato të një lufte civile. Me mijëra vetë i kthyen vendit shpinën dhe u përpoqën të shkonin në Itali apo gjetkë në ndonjë vend të BE-së. Ndërkohë, sistemi financiar i Shqipërisë është stabilizuar – në një nivel modest.
Para dy viteve, Dauscher ishte mysafir në një famije shqiptare në veri të vendit dhe banoi atje për disa kohë. Njëkohësisht ai udhëtoi nëpër gjithë vendin, duke shkelur deri në brigjet jugperëndimore të tij. Përshtypjet e krijuara dhe eksperiencat, ai i përmblodhi në rreth tetëdhjetë faqe në një raport udhëtimesh me tipare letrare.
Pjesë nga libri:
"Fshati NADAÇ nuk ka asnjë bërthamë fshatare. Po, madje nuk ka as ndonjë rrugë që ta përshkojë Nadaçin: në fshat kalojnë vetëm rrugë dytësore dhe jo kryesore. Për këtë arsye, Nadaçi në fakt nuk përbën një fshat, një fshat të mirëfilltë them, por një koleksion të rëstësishëm shtëpish të ulëta dhe kopshtesh të vegjël, të ndarë mes tyre nga gardhet dhe muret, të lidhur mes tyre nga rrugët- nëse do mund ta quanim kështu këtë sistem të kombinuar rrugicash e rrugësh.
Fshati Nadaç ndodhet në Veri të Shqipërisë, jo larg qytetit venecian të Shkodrës dhe liqenit me të njejtin emër. Një pistë e vetme e asfaltuar lidh – nga veriperëndimi dhe me atë që vjen nga Shkodra – fshatin Nadaç me botën e jashtme. Fillimisht rruga kalon drejt dhe pa kthesa në oborrin e parë fshatar që has përpara. Por sapo ajo kalon shkollën e fshatit, ajo merr një kthesë të fortë majtas dhe më pas thuajse humbet fare, derdhet në rrëmujën e mbetjeve të tokës së papunuar, të rrugëve të ashpra dhe lidhjeve të improvizuara që kalojnë tërthorazi drejt shtëpive. Nadaç ngjeshet fort në truallin ku kalon, e prej së largu nuk shihet dot më, pasi asnjë minare dhe asnjë kishë nuk gjenden që të tregojnë se aty ka një fshat. Shtëpitë nuk kanë qilar dhe rrallë kanë një kat të dytë, ndërsa shkolla e stilit të ndërtimit socialist, thyen horizontin: ajo qëndron e lirë në hyrje, trikatëshe, e rrethuar nga barërat dhe fushat djerrë; një bllok në panoramën fshatare, e ngjyer me bojëra plot ngjyra, një pikë jashtëzakonisht tërheqëse dhe e dallueshme për fëmijët e rrethinave të afërta e të largëta dhe për më tepër e tejkaluar, e prekur nga një tjetër pjesëz historie; nga epoka e ardhshme, të cilën mjeshtrat e ndërtimit nuk e kishin parashikuar".