Ide/Koha për demilitarizimin e Luginës së Preshevës
Lugina gjatë historisë - Autoktonia shqiptare në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc) daton qysh nga koha antike, me të cilën konstatim pajtohet edhe historiografia serbe duke e pranuar se në këto treva, dikur ka jetuar fisi ilir i Dardanëve. Pozita gjeografike e këtyre viseve paraqet urën lidhëse në mes Luginës së Vardarit dhe të Moravës, në të cilën kalon korridori tetë, që lidh Siudhjesën Ballkanike me lindjen e afërt. Rruga ndërkombëtare Beograd, Nish, Shkup, Selanik, Stamboll është hallka më e rëndësishme e këtij rajoni. Për këtë shkak, Serbia në vitin 1945 (në një dokument thuhet se në vitin 1952) e vuri nën administrimin e saj, duke ia dhënë Kosovës dy komunat e banuara me serb, Leposaviqin dhe Zubinpotokun. Gjatë periudhës romake këto treva bashkë me Kosovën i takonin provincës së Dardanisë, ndërsa në kohën e Bizantit dhe dyndjeve sllave nga Karpatet në shek.VII, përbërja etnike e tyre ishte e përzier mjaft. Në shek. X këto treva ranë nën sundimin e bullgarëve. Kështu, mbreti bullgar Simeon kishte pushtuar Rashkën (Serbinë e vjetër) mirëpo, në shek.XIII princi Milutin përsëri e rikthen nën sundim të tij. Më 1330 në betejën e zhvilluar afër Qystendilit, Stevan Dushani me të birin e tij Stefan Deçanskin mundën ushtrinë bullgare të mbretit Mihajl Shishman. Me këtë rast, Stefan Dushani shpallet perandor. Mirëpo, më vonë biri i tij Stefan Deçanski e vret të atin. Më pastaj shteti i Dushanit shpartallohet. Më 1371, Lala Shahin Pasha në betejën e Maricës mund ushtrinë e koalicionit ballkanik, e cila udhëhiqet nga vëllezërit Vukashin dhe Uglesha Mërnjavçeviq. Në këtë betejë në anën e forcave të koalicionit ballkanik morën pjesë edhe disa feudal shqiptar, siç ishte Aleksandri nga Vlora. Pas kësaj beteje disa feudalë serbë si Vuk Brnakoviq, Kraleviq Marko, Dragash dhe Konstantin Dejanoviq pranojnë të bëhen vasal të turqve. Para se të vinin turqit kjo trevë ishte nën autoritetin e Dejanoviqëve. Turqit në këto treva erdhën në vitin 1455 me ç’rast edhe filloi periudha e islamizimit të shqiptarëve.
Emri i Preshevës për herë të parë përmendet në vitin 1381 nga romakët si Presianë, kurse gjatë sundimit turk këtë vend ata e quajtën Preshovë, që do të thotë fushë e preshve (purrinjve). Nga kjo kohë e deri më vitin 1912 këto vendbanime ishin nën administrimin e Sanxhakut të Prishtinës dhe Vilajetit të Kosovës. Gjatë luftës së parë ballkanike, ajo u gjend nën sundimin gjermano-austro-hungarez. Mirëpo, në vitin 1915 bullgarët përsëri e okupuan. Nga viti 1918 e deri në 1929 gjendej në administrimin e Zhupës, me seli në Shkup, të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Prej vitit 1929 e deri në vitin 1941 ishte nën administrimin e Banovinës së Vardarit të Mbretërisë Jugosllave.
Pas viti 1917 “Sollunashët”, kështu quheshin serbët të cilët kishin marrë pjesë në frontin e Selanikut, kishin kolonizuar një pjesë të këtij vendbanimi. Gjatë luftës së dytë botërore 1941-1945, ajo ra nën sundimin e fashistëve bullgarë. Vlen të theksohet, se më 15 shtator të viti 1943 fashistë bullgarë dhe çetnikët serb bënë masakër duke hedhur bombë në xhaminë e Preshevës, me ç’rast vranë katër shqiptarë, ndërsa plagosën 28 prej tyre. Më 9 shtator 1944 pas tërheqjes së bullgarëve, kjo trevë administrohet nga shqiptarët dhe ka zgjatur deri më 17 nëntor të vitit 1944, kur Presheva pushtohet nga partizane-çetnikët serb, me ç’rast vranë rreth 600 shqiptarë. Gjatë tre muajve të administrimit nga shqiptarët ky vend u quajt “Shqipëria e vogël”. Edhe në Jugosllavinë e Titos pozita e shqiptarëve ishte skllavëruese dhe njihet si rajoni më i pazhvilluar në ish-RSFJ. Në periudhën e kasapit të Ballkanit të quajtur Milosheviq pozita e shqiptarëve ishte diskriminuese dhe e shtypëse, me qëllim të spastrimit etnik. Nga shtypja dhe represioni i papërballueshëm popullata vendore u detyrua t’i rrok armët kundër këtij regjimi të egër dhe fashist. Në vitin 2000 u formua Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), e cila e detyroi regjimin serb të nënshkruaj Marrëveshjen e paqes. Me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Beogradit nënshkroi Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001, me të cilën obligohen palët, që me mjete demokratike të zgjidhin çështjet e shqiptarëve në këtë rajon. Ndërsa, periudha e tanishme e karakterizohet e rëndë në të gjitha aspektet e jetës politike dhe rrjedhave aspektet tjera të jetës. Kjo bëhet për shkak se Qeveria e Beogradit nuk respekton Marrëveshjen e Konçulit, por edhe indiferencës së Bashkësisë ndërkombëtar, si garantuese e proceseve politike dhe paqes në rajon.
Pozita gjeografike dhe numri i popullsisë/Lugina e Preshevës ka një pozitë mjaftë të rëndësishme gjeostrategjike, si për shkak të korridorit tetë, por edhe për shkak të pozitës së saj, që lidh lindjen me perëndimi. Lugina e Preshevës ka një sipërfaqe prej 1249 kilometra katrorë. Në të jetojnë rreth 107 mijë banorë, ndërsa në një km. katrorë jetojnë 85 banorë. Presheva ka një sipërfaqe prej 264 km. katrorë dhe jetojnë rreth 45.000 banorë. Prej tyre 41.850 janë shqiptar, pra rreth 93 për qind, ndërsa 7000 të tjerë janë serbë, romë etj, të cilët përbëjnë rreth 7 për qind. Në një kilometër katrorë jetojnë 160 banorë. Bujanoci ka një sipërfaqe prej 461 km. katrorë, në të cilin jetojnë rreth 50.000 banorë. Prej tyre 31.000 janë shqiptarë, rreth 62 për qind, ndërsa të tjerët janë serbë, romë etj. Në një km. katrorë jetojnë 108 banorë. Medvegja ka një sipërfaqe prej 524 km. katrorë dhe jetojnë rreth 15.000 banorë. Prej tyre kanë qenë 4.800 shqiptarë, apo rreth 32 për qind e popullsisë, ndërsa 10.000 janë serbë, romë etj.
Militarizimi/Lugina e Preshevës me një sipërfaqe prej 1249 km katrorë ka mbi 10 mijë forca ushtarako e policore serbe, të cilat kanë nën kontroll këtë rajon. Një pjesë e tyre janë po të njëjtat forca që kanë vepruar në Kosovë gjatë periudhës së luftës 1998-1999, të cilat kanë kryer krime dhe masakra të ndryshme. Situata e sigurisë është e rëndë dhe me tendencë të tensionimit të mëtutjeshëm. Bashkësia ndërkombëtare duhet të shtojë trysni ndaj Qeverisë së Beogradit, të ndërmarrë masat e duhura në demilitarizimin e rajonit, krijimin e kushteve për kthim të popullatës së shpërngulur që ata të zhvillojnë jetë të lirë dhe të qetë. Lugina e Preshevës në historikun e saj kurrë më parë si deri më tani nuk ka qenë në një gjendje të rëndë, si në aspektin politik, por edhe në të gjitha aspektet tjera të jetës. Kjo gjendje e rëndë politike dhe e sigurisë është pasojë e administrimit serb, por një pjesë të përgjegjësisë e mbajnë edhe strukturat politike të korruptuara dhe të komprometuara të mëhershme e të tanishme lokale dhe më gjerë, të cilët në momentet më sfiduese për kombin nuk ishin në nivelin e kryerjes së detyrave kombëtare. Për këto dhe shumë shkaqe tjera të cilët do t’i përmendim më vonë jeta e popullatës së këtij rajoni është rënduar shumë. Duke filluar nga siguria, kthimi, respektimi i Marrëveshjes së Konçulit, policia, gjygjësia, decentralizimi, përdorimi i simboleve kombëtare, ekonomia, dygjuhësia, punësimi, arsimimi, infrastruktura, privatizimi, etj. Pra, të gjitha këto çështje kanë mbetur të pazgjidhura dhe kërkojnë zgjidhje.
Demilitarizimi/Lugina e Preshevës kurrë më parë, si deri më tani nuk ka qenë e militarizuar nga forcat e shumta serbe. Pas përfundimit të luftës në mes forcave ushtarako-policore serbe dhe atyre të UÇPMB-së dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit në vitit 2001, ky rajon jo që është demilitarizuar, por është stërmbushur nga këto forca. Sipas raporteve serbe në këtë rajon tani për tani janë të stacionuara rreth 10 mijë forca ushtarako-policore serbe. Kjo nënkupton se në një hapësirë prej 1249 km. katrorë sa ka Lugina e Preshevës të operojnë një numër kaq i madh i forcave ushtarake e policore nuk do koment. Qartazi shihet dhe dihet se për çfarë shteti bëhet fjalë.
“Bondsteel-i serb” dhe indiferenca ndërkombëtare/Mirëpo, habit indiferenca e Bashkësisë ndërkombëtar ndaj kësaj çështjeje. Liderët e Luginës disa herë kanë përsëritur kërkesën për demilitarizimin e rajonit, por kjo kërkesë ka hasur në veshë të shurdhër të Beogradit dhe Bashkësisë ndërkombëtare. Gjithashtu, sa herë që politikanët lokalë kërkojnë largimin e këtyre forcave nga rajoni, Qeveria serbe shton numrin tyre dhe asgjë më shumë. Kjo në një mënyrë heshtet edhe nga Bashkësia ndërkombëtare. Rasti i fundit i ndërtimin të një baze ushtarake e policore serbe e quajtur “Bonstili serb” në Cepotine të Bujanocit tregon se Beogradi nuk ka ndryshuar kursin e saj militarist dhe kjo ka ndikuar në shqetësimin e popullatës së këtij rajoni dhe më gjerë. Iniciativa e Qeverisë serbe për ndërtimin e kësaj baze ushtarake e policore ka tensionuar edhe më shumë sigurinë e brishtë që mbretëron në rajon. Kjo, njëherësh është edhe shkelje e Marrëveshjes së Konçulit për demilitarizim e rajonit, që është garantuar edhe nga Bashkësia ndërkombëtare. Sipas Beogradit ky “Bonstil” serb do të shërbej si pikë kryesore për kontrollimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë së rajonit. Duhet theksuar se Qeveria serbe ka ndarë mjete të konsiderueshme nga Buxheti i saj, por janë ndarë edhe mjete të mëdha nga donacionet e ndryshme dhe nga taksapaguesit evropianë.
Siguria/Siguria dhe fati i rreth 100 mijë banorëve të Luginës së Preshevës mbetet nën tutelën dhe kujdesin e forcave ushtarako e policore serbe. Se për çfarë sigurie bëhet fjala më së miri e di popullata e kësaj treve, sidomos gjatë krizave kombëtare, e cila ishte e pambrojtur dhe kishte pësuar masakra, shpërngulje, gjenocid e spastrim etnik. Lufta e fundit ishte dëshmia më e freskët se këto forca ushtarake janë të huaja dhe krimogene për popullatën e këtij vendi. Ata kurrë nuk do t’i pranojë këto forca, si forca të sigurisë së tyre. Për këtë shkak duhet përmendet fakti se vetëm gjatë luftës së fundit këto forca kishin dëbuar rreth 30 mijë banorë nga vendbanimet e tyre. Shumica e tyre sot e kësaj dite janë nëpër Kosovë, Evropë, Amerikë e gjetiu. Shumica prej tyre ende nuk janë kthyer në vatrat e tyre. Gjithashtu, duhet përmendur rasti i vrasjes së të riut 17 vjeçar Dashnim Hajrullahut nga Rahovica e Preshevës, nga forcat ushtarake serbe, i cili u vra në Miratocë deri sa shkonte te e ëma e tij në Vaksincë të Kumanovës. Edhe kjo tregon sheshazi “përkujdesjen” e këtyre forcave ndaj shqiptarëve të kësaj ane. Kjo nuk do shumë koment se me çfarë sigurie kanë të bëjnë qytetarët e Luginës së Preshevës.
Zgjidhja/Faktori politik i Luginës së Preshevës dhe ai kombëtar të shqyrtojnë kërkesat e popullatës së këtij rajoni dhe të kërkojnë nga Bashkësia ndërkombëtare dhe Beogradi, që ky regjion të demilitarizohet, të krijohen kushte të favorshme për kthimin e të gjithë të shpërngulurve me dhunë nga këto vise, si në Malësinë e Karadakut, Malësinë e Bujanocit dhe të Medvegjës. Të kthehen të gjithë të shpërngulurit, të jetojnë të lirë dhe në paqe në trojet e tyre shekullore. Njëherësh, Qeveria e Beogradit të respektoj Marrëveshjen e Konçulit, që siguria e rajonit të kontrollohet nga forcat ndërkombëtare dhe të policisë vendore, gjithnjë të monitoruara nga Bashkësia ndërkombëtare.