SHBA, Berishës: Shqipëria, partner serioz në NATO
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë Shqipërinë një partner serioz në strukturën e Atlantikut të Veriut. Kjo iu bë e ditur Kryeministrit shqiptar Sali Berisha gjatë qëndrimit në SHBA nga senatori i njohur, John McCain, kandidat presidencial në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe zëvendëssekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, z. Gordon England. Gjatë takimit që zhvilloi dje me të, falënderoi senatorin McCain për pritjen e rezervuar, si dhe për gjitha përpjekjet dhe kontributin në dobi të çështjes shqiptare. Më pas, Kryeministri Berisha e njohu z. McCain me procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe me reformat e qeverisë që ndikuan në përshpejtimin e këtij procesi. Pas pasqyrës së zgjeruar të bërë nga z. Berisha për luftën ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit, reformat ekonomike, shndërrimin e imazhit të Shqipërisë në një vend tërheqës dhe i sigurt për investimet e huaja, senatori McCain vlerësoi sukseset e qeverisë shqiptare dhe reformat e qeverisë si shumë mbresëlënëse. Më tej, z. McCain u interesua për rrugët dhe mënyrat për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke vlerësuar rolin e palëkundur të Shqipërisë në kuadër të partneritetit dhe aleancës me SHBA-të. Biseda u përqendrua edhe në çështjen e Kosovës. Senatori McCain është një mbrojtjes dhe luftëtar i kësaj çështjeje. Kryeministri Berisha dhe senatori McCain ndanë pikëpamje të njëjta edhe për sa i përket të ardhmes së zgjerimit të aleancës së NATO-s, misionit në Afganistan etj. Në përfundim të takimit, z. McCain, duke vlerësuar punën e Kryeministrit Berisha, shprehu bindjen se në të ardhmen marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të jenë më të afërta. Senatori McCain është një nga anëtarët më aktivë të Kongresit amerikan në mbrojtje të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Në ditën e dytë të qëndrimit në Uashington, Kryeministri Berisha pati një takim dhe me zëvendëssekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së z. Gordon England. Kryeministri Berisha falënderoi z. England për punën dhe angazhimin institucional dhe personal të tij për ta parë Shqipërinë sa më parë anëtare të aleancës më të fuqishme të globit, NATO. Më tej z. Berisha e njohu nga afër zyrtarin e lartë amerikan me punën dhe përpjekjet e pandërprera të qeverisë shqiptare, që deri në momentin e fundit të anëtarësimit, në prill 2009, do të punohet me të njëjtin ritëm dhe përkushtim për të merituar dhe për t’u prezantuar me dinjitet përpara vendeve anëtare të NATO-s. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë beteja me të cilat qeveria shqiptare ndeshet dita-ditës, por me gjithë rezultatet e mëdha, akoma edhe më të mëdha janë përpjekjet e qeverisë për të thelluar më tej këto rezultate, vijoi më tej Kryeministri. Duke u ndalur tek reformat për modernizimin e administratës publike, z. Berisha e njohu zëvendëssekretarin e Mbrojtjes, England, me përmbysjen e thellë që ka ndodhur në procedurat administrative me zbatimin e programeve më moderne si prokurimet elektronike, regjistrimi elektronik i bizneseve etj., duke merituar denjësisht dhe mbështetjen e programit Sfida e Mijëvjeçarit. Nga ana e tij, zëvendëssekretari Mbrojtjes, England, shprehu kënaqësinë tij për sukseset e Kryeministrit Berisha, seriozitetin dhe përkushtimin me të cilin po drejtohen këto reforma. Ai shprehu bindjen e tij se Shqipëria do të jetë tashmë një anëtare e denjë dhe partner serioz i Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke konfirmuar bashkëpunimin gjithnjë e në rritje mes vendeve dhe qeverive tona.
Berisha, Rumsfeld: Përshpejtim procesit të anëtarësimit
Kryeministri Sali Berisha dhe ish-Sekretari i Mbrojtjes amerikane, Donald Rumsfeld, ndajnë të njëjtin mendim se duhet përshpejtuar procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në vazhdën e takimeve me figura të nderuara të administratës dhe politikës amerikane, Kryeministri Sali Berisha u takua me ish-Sekretarin e Mbrojtjes, z. Donald Rumsfeld, një mik dhe mbështetës i integrimit të Shqipërisë në NATO. Në fillim të fjalës së tij z. Berisha përshëndeti ish-Sekretarin e Mbrojtjes, Rumsfeld, për kontributin e tij të çmuar në dobi të integrimit të Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha e njohu z. Rumsfeld me procesin e integrimit të vendit në NATO, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përshpejtimin e këtij procesi, si dhe ritmin e lartë për të merituar plotësisht anëtarësimin në Aleancë. “Anëtarësimi në NATO, - theksoi Kryeministri Berisha, - do të thotë për Shqipërinë rikthim në gjirin e kombeve të lira, në dinjitetin dhe bashkësinë demokratike, por gjithashtu, edhe një stad më të lartë të rritjes ekonomike, për të cilën qeveria që unë drejtoj po punon pa u ndalur. Reformat ekonomike e kanë dhënë efektin e tyre, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja. Rezultati i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit bëri të mundur mes të tjerash një buxhet më të lartë për Forcat e Armatosura, duke synuar në të ardhmen rritjen e mëtejshme të tij”, - theksoi Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, z. Rumsfeld vlerësoi punën e Kryeministrit Berisha dhe suksesin e reformave, duke e evidentuar Shqipërinë si një vend me tregues pozitivë në rajon. Sekretari i Mbrojtjes, z. Rumsfeld, u shpreh i sigurt për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe rrugën e proceseve integruese të vendit. Ai u shpreh se ndihej i gëzuar që e takonte Kryeministrin Berisha në Uashington dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet më shumë në të ardhmen.
Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe çështje të politikës globale, procesin e zgjerimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut etj.
Cohen: Shqipëria e meriton anëtarësimin në NATO
Kryeministri Sali Berisha bashkëbisedoi në Nju Jork me ish-Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-ve z. William Cohen, aktualisht president i kompanisë së fuqishme të konsulencës në botë “Cohen Group”. Në këtë vizitë, z. William Cohen shoqërohej nga ish-drejtues të lartë dhe të njohur të Departamentit të Mbrojtjes si ish-zëvendësasistenti i Sekretarit të Mbrojtjes, z. Daniel Fata, Gjeneral Joseph Ralston, Admiral James Loy, LTG Harry Raduege, BG Maria Owens etj., të cilët ndoqën me interes takimin. Në bashkëbisedimin e hapur dhe miqësor, ish-Sekretari i Mbrojtjes, z. Cohen, shprehu kënaqësinë tij për vizitën e Kryeministrit Berisha në Uashington, si dhe për takimin.
Z. Berisha falënderoi personalisht ish-Sekretarin e Mbrojtjes, z. Cohen, për kontributin e tij personal në dobi të procese integruese euroatlantike.
Në përgjigje të interesimit të lartë të bashkëbiseduesve, z. Berisha parashtroi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të arritur standardet e NATO-s, nëpërmjet modernizimit të ushtrisë shqiptare, rritjes së buxhetit për Forcat e Armatosura, etj. Duke i prezantuar reformat e qeverisë së tij për një integrim të shpejtë e të sigurt në NATO dhe BE, Kryeministri Berisha u përqendrua në rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat po bëjnë të mundur anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO.
Ish-Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, z. William Cohen, vlerësoi punën e qeverisë “Berisha” dhe sukseset e reformave të ndërmarra. Ai u shpreh se Shqipëria ka bërë progres domethënës dhe se e meriton plotësisht anëtarësimin në NATO, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të thellohen akoma më shumë në të ardhmen.
Berisha në drekën e Mëngjesit të Lutjeve
Kryeministri Berisha ishte i ftuar nderi në drekën e organizuar nga komiteti organizator i Mëngjesit të Lutjeve, me pjesëmarrjen e 1200 të ftuarve, kongresmenë, senatorë, zyrtarë të lartë të administratës amerikane, zyrtarë të lartë të shteteve të ndryshme, figura ndërkombëtare të shkencës e kulturës etj. Kjo drekë, si një aktivitet që i paraprin Mëngjesit të Lutjeve, shërben si një mënyrë për njohjen dhe bashkëpunimin e figurave të larta dhe drejtuesve të shteteve dhe administratës. Me këtë rast, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në panelin e nderit të kësaj dreke madhështore, duke mbajtur me këtë rast një fjalë përshëndetëse për të pranishmit. Në frymën e kësaj dreke tepër miqësore, Kryeministri Berisha u ndal tek vlerat e kombeve, paqja dhe bashkëpunimi, pajtimi dhe e ardhmja. “Së pari, për mua është një rast i madh t’i drejtoj përpara kësaj audience të nderuar, mirënjohjen time më të thellë komitetit organizator për ftesën që më kanë bërë për të marrë pjesë në këtë aktivitet vërtet madhështor. Është gjithashtu një nder i madh për mua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë juve, anëtarë të Kongresit amerikan, administratës amerikane, si dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme që keni mbështetur kaq shumë vendin tim, gjatë rrugës e përpjekjeve të tij për të ndërtuar një shoqëri të lirë”, - tha në fillim të përshëndetjes së tij Kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek historia e dhimbshme e kombit shqiptar, Kryeministri Berisha shtoi: “Si një nga kombet me të vjetra në kontinent, ai është ballafaquar me shumë, shumë vështirësi. Historia e tij ka qenë historia e mbijetesës. Ka vuajtur shumë pushtime, diktatura të tmerrshme. Sapo fituam lirinë, ne filluam të lëvizim në drejtim të hapësirës së lirisë. Ishte ndihma dhe mbështetja juaj që theu kufijtë dhe e ktheu vendin tim në drejtimin që ai ka tashmë drejt demokracisë”. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se kombet tona karakterizohen nga diversiteti etnik, por kjo ka shërbyer për të nxitur më tej tolerancën dhe pajtimin si vlera universale. Duke vazhduar më tej në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha i njohu shkurtimisht pjesëmarrësit me vuajtjet e kombit shqiptar nën pushtimet më të egra dhe më të gjata, si dhe nën një nga diktaturat më të tmerrshme në kontinent.
Diaspora, mbështetje për integrimin e Shqipërisë
Përfaqësuesit e dy organizatave të diasporës shqiptare në SHBA “Vatra” dhe NAAC, vlerësuan dje reformat e qeverisë shqiptare dhe garantuan mbështetjen e tyre për Kryeministrin Berisha në rrugën dhe programin e tij qeverisës. Z. Berisha pati një bashkëbisedim tepër miqësor me përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dy nga organizatat më të fuqishme të diasporës dhe lobimit shqiptar, shoqatës atdhetare “Vatra” dhe të Këshillit Kombëtar Amerikano-Shqiptar (NAAC). Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e madh që diaspora ka luajtur duke mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarizmit si në të shkuarën, ashtu edhe me rolin e saj në zhvillimet demokratike. “Roli i diasporës, - u shpreh Kryeministri Berisha, - ka qenë veçanërisht vitet e fundit, shumë i rëndësishëm, duke mbështetur proceset integruese në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për nxjerrjen e vendit nga harta e krimit dhe korrupsionit”. Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me reformat politike dhe ekonomike, si dhe me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.