Kryeministri Berisha priti Ekipin e Bankës Botërore, “Doing Business”
Kryeministri Berisha priti Ekipin e Bankës Botërore, “Doing Business”, të kryesuar nga Marialisa Motta dhe që shoqërohej nga përfaqësuesja e BB në Tiranë, znj.Camilla Naumah. Ekipi i Bankës Botërore viziton Shqipërinë për t’u njohur me situatën dhe klimën e bisnesit.
Vlerësimi në raportin e Bankës Botërore liston vendet e ndryshme në këtë drejtim dhe shërben për të informuar investitorët lidhur me situatën dhe klimen e bisnesit në vendet përkatëse.
Reformat e ndërmarra nga qeveria dhe implementimi i tyre luajnë një rol shumë të rëndësishëm në klasifikimin e vendeve në këtë raport.
Kryeministri njohu ekipin me efektet e reformave të qeverisë gjatë vitit 2007: rritjen e sigurisë nëpërmjet luftës kundër krimit të organizuar, luftën e efektshme kundër korrupsionit dhe ekonomisë informale, rritjen e turizimit në 74 %, klimën tërheqëse për bisnesin që ka sjellë dhe një listë të gjatë projektesh të investitorëve të huaj, në fushën e energjitikës dhe minierave, përfshi edhe çimenton. Në ekspozenë e tij Kryeministri përmendi edhe përmirësimin e ligjit të prokurimeve dhe kalimin në prokurimin elektronik, ligjin e konçensioneve që iu hapi rrugë investimeve në energjitikë dhe miniera , heqjen e barrierave burokratike dhe aplikimin e shërbimit “One stop shop”. Ky shërbim së shpejti do të aplikohet edhe në disa liçensa.
Kryeministri Berisha e njohu Ekipin e Bankës Botërore edhe me reformën fiskale qe ka lehtësuar bisnesin:
aplikimin e taksës së sheshtë prej 10 %, rritjen e kreditimit të ekonomisë, suksesin e investimeve të huaja në telekom, banka dhe sigurime, ratifikimin dhe amendimin e një sërë ligjesh që garantojnë dhe lehtësojne investitorët e huaj si dhe garantimin e konkurencës së lirë.
(Në raportin e Komunitetit Europian, Shqipëria cilësohet vendi, ku shteti nuk ndërhyn në veprimtarinë e sektorit privat.
Ky vlerësim pasohet edhe me renditjen e “Heritage Foundation”, ku Shqipëra klasifikohet si vendi me lirinë ekonomike 90 %).
Ekipi i Bankës Botërore pasi u njoh me zhvillimet e fundit në fushën ekonomike, përfshi edhe bisnesin vlerësoi se Shqipëria ka bërë hapa para në këtë drejtim dhe se klasifikimi nga të dhënat e deritanishme është shumë premtues.
Ata siguruan se do të jenë transparentë në vlerësim dhe në raportin që do të përgatitet , do të konsiderojnë të dhënat aktuale.