E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet pavarësinë e Kosovës, menjëherë pas shpalljes së saj

Sapo përjetuam si shqiptarë momentin më solemn të kombit, do të thosha ditëlindjen e vërtetë të tij.

Deputetët e Kosovës votuan pavarësinë e vendit të tyre, duke shënuar kështu nxjerrjen dhe vendosjen e Kosovës në brigjet e lirisë, shpresës, dinjitetit dhe integrimit europian, pas një udhëtimi 600 vjeçar sakrificash sa asnjë komb tjetër në histori.

Kjo ditë, ky moment detyron çdo shqiptar të përulet me nderimin më të thellë para lumenjve të sakrificave mbinjerëzore që shqiptarët e Kosovës bënë për liri, dinjitet dhe pavarësi, të përulemi para lumenjve të sakrificave që ata bënë për të shpëtuar kombin. Edhe një herë, dua të theksoj sot se luftuan ata, ishin kryengritjet e mëdha gjigante të fillimit të shekullit të kaluar që e bënë Shqipërinë të pavarur dhe bënë që kombi ynë të mbijetojë si një komb i pavarur në njërën pjesë të tij.  

Për 90 vjet, ata përjetuan regjimin më të egër kolonial dhe nuk u mposhtën, por mbajtën të gjallë besimin tek liria, dinjiteti dhe e ardhmja.

Sot, ne përulemi me nderimin më të  thellë para veprës së pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova, themeluesit të Kosovës moderne europiane, komandantit legjendar Adem Jashari, simbolit më të ndritur të qëndresës dhe sakrificës kombëtare për liri e dinjitet, para dhjetëra e mijëra djemve e vajzave të Kosovës që mbushën rrugët e malet e saj për të mbrojtur nderin e dinjitetin kombëtar.

Ne përulemi me nderimin më të thellë para atyre burrave e grave të botës së lirë të Kongresit Amerikan e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të Britanisë së Madhe, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Parlamentit Europian që në ditët më të vështira qëndruan në anën e lirisë së një kombi të shtypur.

Ne përulemi para NATO-s, Aleancës më të shkëlqyer të historisë së të gjitha kohërave, që bëri të mundur këtë ditë, punës së jashtëzakonshme që ka bërë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ne, shqiptarët, nuk mund të shpërblejmë ndryshe veçse duke çelikosur aty ku jemi, në Shqipëri, në Kosovë, ato parime të mëdha për të cilat ata na  mbështetën.

Akti i pavarësisë së Kosovës e bën Ballkanin më të lirë e më të drejtë se kurrë. Parlamentarët e Kosovës firmosën me votën e tyre fundin e një gadishulli që bazohej në hegjemoninë  e një kombi ndaj kombeve të tjera dhe çelën përfundimisht kapitullin e një rajoni të kombeve të barabartë, të kombeve që punojnë për një projekt të përbashkët, për integrimin europian dhe në NATO, të kombeve të vendosur të lënë mbrapa armiqësitë e konfliktet dhe të ndërtojnë bashkëpunimin, miqësinë dhe të ardhmen e përbashkët.

Pavarësia e Kosovës e bën kontinentin tonë më të drejtë, sepse i jep fund një prej padrejtësive më të mëdha, të realizuar në fillim shekullin e kaluar.

Me këtë rast, përshëndes udhëheqjen e Kosovës, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, deputetët dhe qeverinë, si dhe të përqafoj të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë ditë, në të cilën ne ndajmë të njëjtin gëzim.

Dua të garantoj se qeveria shqiptare do të japë të gjithë ndihmesën e saj për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës, do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për suksesin e plotë të këtij akti madhor jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Ballkanin, për konsolidimin e atij dokumenti që gjeti mbështetje universale, dokumentit të Presidentit  Ahtisaari.

Shqipëria në ditët që vijnë do të bashkërendojë të gjitha qëndrimet e veta me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeveritë e vendeve mike të Bashkimit Europian.

Shqipëria beson se hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve dhe siguron kombin serb, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e mëdha të Bashkimit Europian se ne do të bëjmë çdo përpjekje për paqen, stabilitetin dhe integrimin rajonal.

Zoti e bekoftë Kosovën e pavarur,

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›