Zv/Kryeministri Gazmend Oketa prezantoi draft-Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013.
Zv/Kryeministri Gazmend Oketa prezantoi draft-Strategjine Kombetare per Zhvillim dhe Integrim 2007-2013.
Dokumenti përfshin paketën e detyrimeve që rrjedhin nga Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Plani i Veprimit për Anëtarësimin në NATO.
"Qeveria shqiptare prezanton sot draftin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim e cila përfshin paketën e detyrimeve që rrjedhin nga Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Plani i Veprimit për Anëtarësimin në NATO.
Ky dokument strategjik për vendin po zëvendëson Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social, e aprovuar në vitin 2001, e cila u adresohej një numri relativisht të vogël politikash, nuk ishte gjithëpërfshirëse, nuk lidhej dhe nuk udhëhiqte procesin më kryesor, atë të përgatitjes së Buxhetit Afatmesëm.
Ndaj në një kohë të tillë, kur Shqipëria po përballet me ndryshime rrënjësore, u ndie nevoja e pashmangshme e rishikimit dhe zgjerimit të qëllimit të kësaj strategjie.
Drafti i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim elaboron Programin e Qeverisë, të miratuar në Kuvend, në vitin 2005.
Ajo do të shtrihet në një hark të gjatë kohor 2007–2013, dhe jo pa qëllim.
-Së pari sepse Shqipëria nuk duhet të ketë më strategji afat-shkurtra që përmbysen për interesa politike. Ndërkohë që strategjitë sektoriale mund të rishikohen në mënyrë periodike, synohet që dokumenti i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të orientojë politikë-bërjen në Shqipëri deri në vitin 2013, pavarësisht forcës politike që do të udhëheqë vendin. Qeveria mbetet e angazhuar që konsensusi të jetë parimi kryesor në finalizimin e kësaj strategjie e cila është gjithëpërfshirëse.
-Së dyti sepse harku kohor 2007-2013 është cikli kohor financiar i Komisionit Evropian. Ishte pra një zgjedhje që erdhi natyrshëm për të bashkërenduar planet strategjike të Qeverisë me ato të vendeve anëtare të BE-së. Vendit do t’i duhet që shumë shpejt të artikulojë kërkesat për mbështetje financiare nëpërmjet fondeve strukturore duke përdorur këto afate kohore të përcaktuara .
Procesi i hartimit të këtij dokumenti filloi në Qershor të vitit 2006. Është shumë e rëndësishme të theksojmë që drafti i përgatitur është produkti final i një procesi të gjatë, i cili është bazuar në përgatitjen e 20 strategjive sektoriale nga të gjitha Ministritë e Linjës e të 15 strategjive ndërsektoriale, të hartuara për koordinimin e punës në fushat e decentralizimit, të drejtës së pronës, anti-korrupsionit, etj.
Dokumenti i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim na jep një përmbledhje të sfidave kryesore me të cilat përballet vendi. Shpreh vizionin kombëtar, identifikon prioritetet dhe qëllimet strategjike që duhen arritur. Përmbledh çështjet kryesore të çdo strategjie sipas prioriteteve strategjike. Paraqet kuadrin makroekonomik dhe diskuton ndryshimet kryesore në shpërndarjen e burimeve sipas sektorëve që do të nevojiten. Thekson nevojën për transparencë dhe përshkruan treguesit nëpërmjet të cilëve do të vlerësohet zbatimi i strategjisë.
Për këtë arësye, janë krijuar 32 grupe këshillimi me përfaqësues të palëve të interesuara, jo qeveritare për cdo strategji sektoriale dhe ndërsektoriale.
Që nga janari e deri në shtator të këtij viti, këto grupe këshillimore kanë organizuar mbi 90 takime, ku janë angazhuar shumë donatorë, përfaqësues të organizatave të ndryshme jo qeveritare, përfaqësues të partnerëve socialë, punëmarrës dhe punëdhënës,
akademikë, specialistë të mirënjohur të fushave të ndryshme dhe përfitoj nga kjo mundësi t’i falenderoj të gjithë për kontyributin e tyre.
Në javët e ardhshme, drafti i dokumentit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim do të diskutohet me të gjitha grupet e interesit sepse për Qeverinë është shumë i rëndësishëm opinioni i të gjithëve.
Ky diskutim i gjerë dhe i hapur po bëhet i mundur përmes një serie debatesh televizive, të cilat kanë nisur të trasmetohen në Televizionin Publik (TVSH) që prej 17 tetorit dhe do të vijojnë të shfaqen çdo të mërkurë në këtë ekran.
Këto debate që do të zhvillohen në qyetete të ndryshme të Shqipërisë do të fokusohen në strategjitë sektoriale më të rëndësishme dhe më të prekshme për çdo qytetar shqiptar.
Kjo do t’i japë mundësi të gjithëve të njihen me planet strategjike që ka hartuar qeveria, për sektorët kyç të ekonomisë, në 7 vitet e ardhshme.
Strategjia do të diskutohet gjithashtu edhe në një seri seminaresh që do të organizohen jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe që do të fokusohen në tre prioritetet kryesore të strategjisë: integrimin, demokracinë e shtetin ligjor dhe zhvillimin ekonomiko-social.
Të gjitha komentet që do të merren do të përfshihen në draftin final e më tej ky draft do të diskutohet në parim në Komitetin e Planifkimit Strategjik dhe do të miratohet në Këshillin e Ministrave. Dokumenti final do të prezantohet në një konferencë kombëtare së bashku me një dokument për Orientimin e Asistencës së Huaj në Shqipëri që bazohet mbi dokumentin e SKZHI.
Nëpërmjet dialogut dhe diskutimeve ne besojmë se do të arrihet konsensusi që duhet të shoqërojë përgatitjen dhe miratimin e strategjisë. Ndaj ftesa për këto debate të hapura u adresohet jo vetëm qytetarëve,por edhe opozitës. Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë në përgatitjen e një dokumenti konsensual që shpreh aspiratat e kombit dhe që do të shërbejë si një mjet i dobishëm për dizenjimin e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë. "