E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha uron Hollande

Kryeministri, Sali Berisha i ka dërguar një mesazh  urimi presidentit të ri të Francës, pas fitores në garën e së dielës për një post të tillë. Këshilli i Ministrave përmes një njoftimi për shtyp bëri me dije se në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha pas urimit ftoi presidentin Hollande për një vizitë në Tiranën zyrtare. 
“Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e fitores Suaj në zgjedhjet presidenciale të datës 6 maj 2012 në Francë, t'Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta, si dhe urimet më të ngrohta e miqësore për suksese në detyrën e lartë përpara Jush. 
Me këtë rast dëshiroj edhe një herë të shpreh mirënjohjen Francës dhe kombit francez për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ndërtimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe integrimin në BE”, shkruhej në mesazhin e Berishës për Holande.
Njëkohësisht në këtë urim, kreu i ekzekutivit shqiptar siguroi Presidentin e ri të Francës se “miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Francën mike është dhe mbetet një përparësi e veçantë. Me dëshirën për t'Ju pritur në Shqipëri në kohën më të përshtatshme për Ju, shfrytëzoj rastin për t'Ju përsëritur sigurimet e konsideratës më të lartë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›