Kryetarja e Kuvendit takon drejtorin ekzekutiv të GOPAC-ut, John Uilliams Uilliams: Parlamenti rol thelbësor në luftën ndaj korrupsionit.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim drejtorin ekzekutiv të Organizatës Botërore të Parlamentarëve kundër Korrupsionit (GOPAC), John Uilliams.
Zoti Uilliams gjendet në Shqipëri për të marrë pjesë në takimin e grupit parlamentar kundër korrupsionit në një kohë kur Shqipëria u rendit e dyta në botë për suksesin e reformave në tregun e lirë dhe ndër 10 vendet më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, sipas Transparency International.
Rezultatet e luftës pa kompromis ndaj korrupsionit, tha Kryetarja e Kuvendit janë të dukshme mjafton të përmendim faktin se falë luftës nga evazionit fiskal kemi dyfishuar buxhetin e shtetit dhe madje çdo vit në parlament kemi miratuar një buxhet shtesë.
Gjatë viteve të fundit, vijoi ajo, Shqipëria ka ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal. Shqipëria aplikon tashmë taksën e sheshtë 10 përqind, ka taksat më të ulta në Europë, ndërsa po aplikon pagesën e tyre si dhe prokurimet online.
Në raportin e Transparency International Shqipëria u ngjit nga vendi i 134-ët në vendin e 86-të, në renditjen e perceptimit të korrupsionit duke shënuar kështu rritjen më të madhe nga çdo vend tjetër, duke kapërcyer 49 vende brenda një viti.
Duke përgëzuar për të gjithë arritjet që Shqipëria ka bërë vitet e fundit, zoti Ulliams tha se si kudo, lufta ndaj korrupsionit nuk është e lehtë.
Ai vlerësoi rolin e parlamentit në këtë luftë duke nënvizuar se në luftën dhe kontrollin ndaj korrupsionit roli i parlamentit është thelbësor.
Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Uilliams, një ndër themeluesit e GOPAC-ut diskutuan më tej për intensifikimin e bashkëpunimit, veçanërisht atij rajonal përsa i përket luftës ndaj korrupsionit.