Kryeministri Berisha bën homazhe në nderim të personalitetit të shquar të filmit shqiptar, zonjës Xhanfize Keko
Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të personalitetit të shquar të filmit shqiptar, zonjës Xhanfize Keko, e cila u nda nga jeta një ditë më parë. Në homazhet e zhvilluara në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Kryeministri Berisha la një shënim në librin e përshtypjeve, ku vlerësoi lart kontributin e zonjës Keko në jetën artistike dhe kulturore të vendit.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, Kryeministri Berisha tha:
“Sot është një ditë zie për botën artistike dhe kulturore shqiptare. Xhanfize Keko ishte një nga personalitetet më të shquara dhe më të suksesshme të filmit shqiptar. Ajo sot ndahet nga familja dhe nga shoqëria të cilës i shërbeu me përkushtim shumë të madh. Ajo ndahet nga bota e artit, por le pas një trashëgimi shumë të pasur, të çmuar në arkivin e filmit shqiptar”