E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën hyrëse dhe një segment të unazës së qytetit të Korçës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të punimeve të rrugës hyrëse të qytetit të Korçës dhe segmentit të parë të Unazës së këtij qyteti. Të dyja këto projekte janë financime të buxhetit të shtetit dhe kapin vlerën përkatësisht 73.1 milionë lekë dhe 65 milionë lekë. Unaza e qytetit të Korçës është e ndarë në tre segmente, dhe punimet në dy segmentet e tjera pritet të fillojnë së shpejti.   

Kryeministri Berisha vlerësoi standardet dhe cilësinë e lartë të ndërtimit të këtyre segmenteve, ndërsa përgëzoi kompaninë për përfundimin e punimeve brenda afatit të përcaktuar.

“Dua të përgëzoj kompaninë për punën  shumë të mirë që ka bërë për përfundimin në afat të punimeve me një cilësi shumë të mirë”, deklaroi Kryeministri. 
 
Ndërkohë, vijoi më tek Kryeministri Berisha,  kryetari i bashkisë është i angazhuar të bëjë edhe lulishten në krah të kësaj unaze dhe në këtë mënyrë Korça, me dy segmentet e tjera që pritet të ndërtohen së shpejti, do të ketë një ndër unazat më të mira të vendit, infrastrukturë që ajo e meriton.          

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›