Akti Normativ i Këshillit të Ministrave për rialokimet e buxhetit ndikon në shtimin e investimeve në vend
- Akti normativ u mundësua ndër të tjera, nga mirëmenaxhimi i fondit të pagave dhe shkurtimi i shpenzimeve administrative
Ministri I Financave Ridvan Bode shpjegoi sot gjatë një konference për shtyp detajet e Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave për rialokimet e buxhetit.
Zoti Bode u shpreh se Akti Normativ i nxjerrë nga qeveria lidhur me ligjin e buxhetit për vitin 2007, synon rritjen e përdorimit me efikasitet të fondeve publike, si dhe rialokimit të shpenzimeve të pa realizuara gjatë vitit. “Në mbledhjen e saj të fundit qeveria nxori një akt normativ lidhur me ligjin e buxhetit për vitin 2007, i cili synon rritjen e përdorimit të fondeve publike me një vlerë që shkon deri në 17 miliard lekë. Qëllimi i këtij akti normativ ka të bëjë me rritjen e përdorimit me efikasitet të fondeve publike, rialokimit të shpenzimeve të pa realizuara gjatë vitit dhe nga ana tjetër përmes këtij akti synohet që të parapërgatitet realizimi me sukses i buxhetit të vitit 2008” tha Ministri Bode.
Zoti Bode theksoi se akti normativ u mundësua nga performanca e mirë fiskale që ka demonstruar administrata tatimore dhe ajo doganore dhe të gjithë kontribuuesit e buxhetit të shtetit.
Ministri I Financave Bode sqaroi se rialokimet ose ndërhyrjet në shpenzime në këtë fund viti, nëpërmjet aktit normativ, nuk kanë prekur vëllimin e investimeve, por janë përqendruar tërësisht në shpenzimet korrente. "Prekja e rialokimeve që bëhet përmes aktit normativ nuk prek vëllimin e investimeve, përkundrazi i shton ato."- u shpreh Bode
Ministri Bode tha se në mundësimin e këtij akti ka ndikuar ndjeshëm edhe një ndjekje më e mirë e shpenzimeve që bëjnë dikasteret nga ana e Ministrisë së Financave, e cila bën të mundur identifikimin e fondeve të papërdorura në kohë dhe mundësinë për të rialokuar këto fonde.
Në këtë kontekst, Ministri i Financave shpjegoi se rreth 1.8 miliardë lekë janë pakësuar në fondin e pagave dhe këto të ardhura janë rezultat I një administrimi më të mirë të fondeve nga disa ministri si dhe nga vendet vakante që ekzistojnë në administratën publike.
Një tregues shumë i rëndësishëm, sipas Ministrit të Financave është shkurtimi I shpenzimeve operative me 500 milionë lekë, të cilat pas kësaj ndërhyrje, përbëjnë 2.4 % të PBB-së duke rënë në këtë mënyrë në nivelin më të ulët. Ndër të tjera, shpjegoi zoti Bode shpenzimet për subvencione pakësohen me 1.3 miliard lekë, por do të rialokohen përsëri për subvencione të tjera sipas një programi të caktuar.
Ministri I Financave tha se rreth 7 miliard lekë përftohen nga shpenzimet korente për t’u rialokuar. Gjithashtu rialokohen edhe 3.1 miliard lekë investime nga ministritë dhe përdoruesit e buxhetit, të cilët nuk kanë mundur të realizojnë procedurat e prokurimeve gjatë këtij viti.
Më tej Ministri I Financave Bode shpjegoi se për periudhën 11 mujore përtej rritjeve të bëra në muajin korrik, të ardhurat tatimore dhe doganore janë 99 % e programit, të cilat përbëjnë dhe burimin kryesor të financimit të buxhetit të qeverisë qendrore.
Ministri Bode theksoi se për periudhën 11 mujore me përjashtim të të ardhurave nga pushteti vendor, të cilat rezultojnë dukshëm më pak ato të vitit të kaluar, të gjithë zërat e tjerë mundësuan marrjen e këtij akti normativ. Duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar Ministri I Financave se ky 11 mujor shënoi 20 miliard lekë më shumë , ose 14 % më shumë se sa viti që shkoi.