Z. Berisha: Jemi të vendosur të ndërmarrim çdo hap për të merituar anëtarësimin në NATO
- Fjala e kryeministrit Sali Berisha, mbajtur të martën, në simpoziumin NATO: Sfidat dhe e ardhmja, organizuar nga Divizioni i Diplomacisë Publike i NATO-s, ambasada amerikane në Tiranë dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërjetësim
"Znj. Ambasadore Ries,
Zotërinj ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,
Jam shumë i lumtur të marr pjesë në këtë simpozium të organizuar me liderit e rinj, me studentët, si atlantistë të flaktë, me përfaqësues të komunitetit diplomatik, të legjislativit shqiptar, të forcave të armatosura. Me këtë rast unë dëshiroj të falenderoj organizatorët për organizimin e kësaj konference dhe të theksoj se e konsideroj shumë të rëndësishme dialogun me të rinjtë, për problemet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, probleme të anëtarësisë së Shqipërisë në këtë aleancë, të pozicionit të saj, procese që kanë të bëjnë me themelin e sigurisë, garantimin e lirisë, demokracisë dhe vlerave të tyre në Shqipëri. Mendoj se duke debatuar me të rinjtë problemet madhore shqetësuese, projektimin e vendit në të ardhmen e saj, ne i bëjmë ata bashkëautorë në këto politika, të cilat do të jenë përcaktuese për të ardhmen e vendit.
Le të kthehemi tek tema e ditës. Pse është NATO-ja e rëndësishme për Shqipërinë, pse shqiptarët e përkrahin kaq fuqishëm Aleancën e Atlantikut të Veriut? Së pari, mendoj se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është mënyra më e mirë dhe këtë e perceptojnë në tërësi shqiptarët për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vendin e tyre. Së dyti, duke patur parasysh faktin se NATO është para së gjithash një organizatë politike e vendeve të lira, hyrja në NATO është jetike për konsolidimin e demokracisë, lirisë individuale, shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik. Së treti, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë klub kaq të respektuar, në Aleancën më të suksesshme politike dhe ushtarake që kohërat kanë njohur ndonjëherë e bën vendin tonë të vogël të fitojë një prestigj dhe të drejtë që nëpërmjet këtij forumi të trasmetojë fuqishëm zërin dhe vizionin e saj për një botë më të sigurtë. Së fundi, shqiptarët si komb i mbeten përjetë mirënjohës NATO-s. Ishte kjo Aleancë e cila ndërrmori me një dimension të ri të saj, atë të mbrojtjes të lirive dhe të drejtave njerëzore, operacionin më të madh ushtarak në Europën e pasluftës dhe çliroi shqiptarët e Kosovës nga një regjim shtypës, një regjim aparteidi.
Me rënien e perdes së hekurt vendin e kërcënimit nga ekspansioni sovjetik e zunë kërcënime të reja për sigurinë globale, siç janë konfliktet ndëretnike, terrorizmi ndërkombëtar, rreziku që arsenalet bërthamore të krijuara gjatë luftës së ftohtë të bien në dorën e regjimeve zuzare, të papërgjegjshme. Në konceptin e ri të sigurisë kësaj liste i shtohet krimi i fuqishëm i organizuar, dobësimi i strukturave shtetërore dhe korrupsioni i lartë, rreziku nga arsenalet e vjetra të armëve konvencionale dhe kimike dhe biologjike të kohës së luftës së ftohtë. Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 demostruan qartë se asnjë vend, as dhe supërfuqia e vetme e botës, Shtetet e Bashkuara, nuk është i imunizuar nga rreziku i këtyre kërcënimeve. Nga ana tjetër ne jetojmë në një botë globale, që përveç mundësive të mëdha ekonomiko-financiare dhe teknologjike që ofron globalizmi, ai ka krijuar edhe një situatë të vërtetë ndërvarësie, ku askush nuk mund të thotë se ajo që ndodh në një skaj apo në një pjesë tjetër të kontinentit apo planetit, nuk ndikon në vendin apo rajonin e tij. E kundërta është e vërtetë. Në këto kushte, siguria e çdo vendi është e pandashme dhe drejtpërsëdrejti e varur nga siguria koletive e të gjithëve, çka përbën dhe vetë moton e Aleancën. Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut parashtron qartë parimin e solidaritetit, duke u shprehur se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej anëtarëve të NATO-s do të konsiderohet si një sulmn kundër të gjithëve. Në një botë globale edhe kërcënimet marrin dimesione ndërkombëtare dhe vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi mbi bazën e parimit të solidariteteit të sipërpërmendur ato mund të përballohen në mënyrën më të mirë e të sigurtë. Konfliktet e rrezikshme ndëretnike në rajonin e ish Jugosllavisë si dhe paaftësia për t'i zgjidhur ato nga vetë vendet e rajonit diktuan nevojën e bashkëpunimit të ngushtë, ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ndërkombëtar për ndërprerjen e luftrave, duke patur këtu rolin vendimtar të NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon. Mësimet që u nxorrën nga Bosnja bënë të mundur që Aleanca dhe komuniteti ndërkombëtar të dominojë brenda disa muajve konfliktin në Kosovë, të parandalojë brenda disa javëve shtrirjen e tij në Maqedoni. Përsosja e mëtejshme e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar është një nga domosdoshmëritë më të mëdha që rreziqet e reja të përballohen me sukses. Prania e NATO-s në rajonin e Ballkanit me KFOR-in është një faktor madhor paqeje dhe stabiliteti në rajonin tonë. Karta e Adritikut 3 është një tjetër shembull i shkëlqyer i kontributit, që nismat rajonale, në kuadër të partneritetit për paqe japin në shërbim të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit.
Le t'i kthehemi së NATO-s përsa i përket zhvillimeve brenda vetë vendeve anëtare. Në preambulën e Traktatit të Atlantikut të Veriut janë të konfirmuara parimet themelore të organizatës. Shtron si kusht themelor që vendet anëtare të NATO-s duhet medoemos të jenë të vendosura të ruajnë lirinë, trashëgiminë e përbashkët dhe qytetërimin e popujve të tyre, të ngritura mbi parimet e demokracisë, liritë individuale dhe të sundimit të ligjit. Gjatë këtyre pothuajse të 57 viteve të saj, NATO-ja e ruajti me përgjegjësi të madhe identitetin e saj si klub eksluziv i vendeve të lira e dmeokratike,. Është kjo arsyeja që qysh në vitin 1992 Shqipëria, e sapo e dalë nga regjimi më totalitar i Europës, kërkoi të anëtarësohej në NATO, duke u bërë kështu i pari vend i ish kampit komunist të ndërrmarë një hap të tillë. Duke besuar në mënyrë të palëkundur në parimin siguria fitohet me përgjegjësi, ne e pamë opsionin e anëtarësimit në NATO si një yll polar që do të udhëhiqte Shqipërinë në përpjekjet saj për demokratizimin e vendit, konsolidimin e shtetit ligjor dhe krijimin e shoqërisë, ku respektohen plotësisht liritë e të drejtat e individit. Strategjia e integrimit të Shqipërisë në NATO bazohet në planin e aksionit për anëtarësim. Ky plan parashikon një sërë reformash, qëllimi i të cilave është zhvillimi dhe forcimi i vendit, duke promovuar një ekonomi eficente të tregut të lirë, forcimin e institucioneve, thellimin e demokracisë, vendosjen e shtetit ligjor, shtypjen e kriminalitetit dhe luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit të kufijve, sigurisë së porteve, të vijës bregdetare, reformimin e forcave të armatosura duke i kthyer ato në ushtri moderne, profesioniste, të standarteve bashkohore, e aftë për t'iu përgjigjur sfidave të këtij shekulli. Megjithëse jemi të vetëdijshëm se mbetet shumë punë për të bërë, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, luftën kundër fenomenit të ‘state capture', plani për anëtarësim ka qenë dhe mbetet harta e rrugës dhe sëbashku me procesin e Stabilizim Asociimit përbëjnë projektet më madhore të shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Sot Shqipëria gëzon më shumë stabilitet, më shumë demokraci dhe një vizion shumë më të qartë për të ardhmen e saj.
Le të vimë tek realiteti i ri i krijuar pas rënies së komunizmit, por në veçanëti pas ngjarjeve të 11 shtatorit. Ndryshimi i situatës globale detyrimisht që do të sjellin ndryshime dhe në filozofinë dhe strategjinë e NATO-s dhe do bënin që kjo aleancë të ndërrmerte të gjitha reformat për t'u përballur me sukses me situatën e re, për të marrë përsipër rolin e saj të ri. Në këtë kontekst, ajo çka unë mund të them se NATO-ja është një aleancë në reformim, është një aleancë në zgjerim dhe Shqipëria pret e vendosur të përmbushë kriteret e saj, që në samitin e ardhshëm, që do të vendosë për zgjerimin, të marrë ftesë. Ne duam të garantojmë vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere se jemi shumë të vendosur të ndërmarrim çdo hap, të paguajmë çdo çmim për të merituar anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke qebë të bindur se kjo është e ardhmja më e sigurtë, e ardhmja e sigurisë më të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Faleminderit."