Berisha: Të thjeshtojmë të gjitha procedurat për ndërtuesit
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të thjeshtuar procedurat për ndërtuesit, të martën, gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. "Mbetet moment i rëndësishëm që të thjeshtojmë të gjitha procedurat për ndërtuesit dhe kjo duhet të konkretizohet me një vendim, ligj a çfarë të jetë i nevojshëm, sepse sorollatja e tyre është e pafund", tha ai.
Kryeministri theksoi se, "në rast se qeveria mundësoi shkurtimin e të gjithë kohës së rregjistrimit të biznesit, nga 42 në 8 ditë, kjo frymë dhe kjo praktikë duhet të dominojë edhe për ndërtuesit. Duhet të përcaktojmë metodat më transparente në këtë drejtim". Z. Berisha u bëri thirrje ndërtuesve që të mos pranojnë asnjë lloj trysnie nga asnjë segment i shtetit, në fitimin e të drejtave dhe lejeve të tyre që u takojnë, ndërsa i siguroi ata se do vazhdojnë të merren si bazë sugjerimet e tyre për thjeshtimin e procedurave.
· Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, miratoi vendimin për ndryshimin e destinacionit te planit te rregullimit per disa zona te qytetit te Tiranes.
Kryeministri theksoi se disa nga planet e pjesshme të studimit qe u moren në shqyrtim, janë të bllokuara për 2 vjet, kryesisht nga sekserët e bashkisë, sepse ai institucion është bërë i famshëm për sekserët e tij. "Ne mendojmë se një pjesë e planeve të bllokuara mund të miratohen, pasi nuk kemi të bëjmë me ndryshim destinacioni të sipërfaqeve të gjelbëra, por me ndryshim destinacioni, nga zonë industriale në zonë banimi", u shpreh kryeministri. Ai vuri në dukje se këto janë zona që i mundësojnë kompanive të ndërtimit të ndërtojnë dhe 200 pallate, si dhe u bëri thirrje të gjitha kompanive të marrin përgjegjësitë e tyre, të mos pranojnë asnjë lloj trysnie, të japin të gjithë kontributin që u takon, në mënyrë që procedura e lejeve, e shesheve, të drejtat tërësisht ligjore të tyre, t'i mbrojnë publikisht. Kryeministri inkurajoi fillimin e punës sa më shpejtë, pasi sipas tij, "në 200 pallate mbi 9 katëshe, apo rreth mbi 5000 mijë metra secili prej tyre, është e mundur të qarkullohet një shumë prej qindra milionë eurosh, është e mundur të punësohen qindra e qindra punëtor, është e mundur që vet komuniteti i Tiranës, qytetarët e Tiranës, të përfitojnë direkt taksë për rrugët e tyre, për të mos mbetur me gropa sic janë sot".
Gjithashtu, z. Berisha theksoi se në studimet pjesore që miraton KRTRSH-ja, është bërë kujdes së cilido që të jetë plani i Tiranës, të mos kufizojnë sipërfaqet e gjelbëra të saj, të mos vështirësojnë lëvizjen, në të kundërt t'u japin mundësi kompanive të ndërtimit të luajnë atë rol që kanë në ekonomi, si motorë të zhvillimit ekonomik të vendit. "Tirana, me ndihmën dhe financimin e Bankës Botërore, ka tenderuar kompani për planin e ri urbanistik dhe mua më duhet t'i garantoj ato kompani se, për studimet e pjesshme që ato kanë bërë, të gjitha vendimet do të merren në përputhje me planin e ri urbanistik të Tiranës", nënvizoi Kryeminnistri Berisha.
Zonat e Tiranës, të cilave u ndryshon destinacioni, janë si më poshtë vijon.:
a) Zona 2, me sipërfaqe 8.2 ha, në anën e majtë të rrugës së Elbasanit, pranë qytetit "Studenti", nga "zonë shkolle- universiteti", sipas planit rregullues, në "zonë banimi"
b) Zona 3, me sipërfaqe 34.6 ha, pranë kryqëzimit të rrugës së Durrësit me rrugën që shkon ish Kombinatin e materialeve të Ndërtimit, nga "zonë industriale", sipas planit rregullues, në "zonë banimi dhe tregtare".
c) Zona 7 me sipërfaqe 1.72 ha, pranë rrugës "Ndre Mjeda", nga "zonë sportive", sipas planit rregullues, në "zonë banimi".
d) Zona 9, me sipërfaqe 1 ha, pranë rrugës Sadik Petrela", nga "zonë industriale", sipas planit rregullues, në "zonë banimi".
e) Zona nr. 10, me sipërfaqe 3.2 ha, pranë "Petro Nini Luarasi", nga "zonë pushimi dhe brez sanitar dhe një pjesë zonë banimi", sipas planit rregullues, në "zonë qendre".
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, si dhe Bashkia e Tiranës.
· Po ashtu, KRRTRSH miratoi edhe vendimin për "studimi urbanistik dhe shesh ndërtimi për fazën e dytë të fshatit turistik, në parcelën nr. 14, në zonë turistike Golem Kavajë, për shoqërinë "Mak-Albania".
· Një tjetër vendim i miratuar në mbledhjen e sotme ishte edhe ai për "shfuqizimin e vendimeve për leje ndërtimi për disa objekte të ndërtuara në territorin e shkollave në qytetin e Fierit.