E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vizite ne familjen e nentetarit Aleksander Pecit

“Ne ju jemi mirënjohës familjes suaj, të gjithë shqiptarët ju janë mirënjohës, por dhe të gjithë familjeve te tjera, sepse këta djem shkojnë në fushë betejë dhe pa mbështetjen e familjes, detyrën do ta kishin shumë të vështirë”. Ky ishte mesazhi që përcolli dje në mbrëmje kryeministri, Sali Berisha gjatë vizitës që zhvilloi në familjen e nëndetarit, Aleksandër Peci, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4”, në Afganistan, i cili u plagos një ditë më parë në Kandahar.

Në bisedën me familjarët, kryeministri Berisha u shpreh se gjendja e Aleksandrit është përmirësuar dhe të dhënat e deritanishme japin shpresë se Aleksandri do të bëhet mirë.

Gjithashtu, duke vlerësuar misionin fisnik që Aleksandri dhe kolegët  e tij po realizojnë në Afganistan, kreu i ekzekutivit vlerësoi se në këtë detyrë të rëndësishme ata përfaqësojnë me dinjitet vendin dhe kombin shqiptar. 

Kryeministri u përcolli familjarëve përshëndetjet e Komandantit të ISAF, Gjeneralit John Allen, i cili nëpërmjet telefonatës me kryeministrin Berisha shprehu vlerësimin për aftësinë e ushtarakëve shqiptarë në përmbushjen me sukses  të detyrave të ngarkuara. Kryeministri Berisha u shpreh për familjarët se Gjenerali John Allen e siguroi se, ata që kryen këtë akt të shëmtuar kriminal do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.

Po kështu, shefi i qeverisë shqiptare vlerësoi vendimin e marrë nga Bashkia  e Kamzës për shpalljen e Aleksandër Pecit, “Qytetar Nderi”. “Aleksandri dhe të gjithë shokët  e tij na nderojnë ne, vendin ,flamurin dhe dinjitetin  e kombit”, u shpreh Kryeministri.

Nga ana  e tyre, familjarët  e Aleksandrit, duke falënderuar kryeministrin Berisha për vizitën shprehën mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen dhe kujdesin e treguar nga ana e strukturave shtetërore në përballimin e kësaj situate. Në këtë vizitë, kryeministri Berisha shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe deputeti i zonës, zoti Myqerem Tafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›