E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vizitë zyrtare në Mal të Zi

TIRANË - Kryeministri Sali Berisha u nis të mërkurën për një vizitë zyrtare njëditore në Mal të Zi, me ftesë të Kryeministrit malazez Igor Luksic.
Në një njoftim për shtyp të Kryeministrisë bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite Berisha do të pritet nga kryeministri i malazez Luksic, ndërsa ambasadorët e të dy vendeve do të nënshkruajnë marrëveshjen për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit të kufirit Grabon-Zatrijebacka Cijevna, si dhe do të japin një konferencë për shtyp.

Gjithashtu, kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Zeljko Sturanovic. Ai do të takohet dhe me kryetarin e PDS-së së Malit të Zi Milo Djukanovic.

Kryeministri shqiptar do të ketë takime dhe me përfaqësues të partive shqiptare, si Mehmet Bardhi kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Vasil Sinishtaj i Koalicionit Shqiptar Perspektiva, Genci Nimanbegu i FORCA dhe Mehmet Zenka i Unionit Demokratik Shqiptar.

Në vijim të axhendës së tij, Berisha do të zhvillojë një vizitë në Tuz, ku do të pritet nga kryetari i Komunës Nikola Gegaj dhe do të takohet me përfaqësues të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit.
Vizita e Kryeministrit Berisha do të përmbyllet me takime në Ulqin ku do të pritet nga kryetari i kësaj Komune, Nazif Cungu.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›