Saga e zvarritjes së gjyqeve në Tiranë
Tiranë- Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Kjo shprehje ka kuptim më shumë se kudo tjetër në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Në arkivat e kësaj gjykate dosjet nuk flenë, siç thuhet rëndom, por ato harrohen.
Gazeta IDEA në një seri shkrimesh mbi paditë e dëmshpërblimit, ka zbuluar se indeksi i mesatares se kohëzgjatjes së çështjeve është një standart që shkelet me të dyja këmbët nga gjykata e Tiranës.
Mesatarja e kohëzgjatjes llogaritet me të dhënat e vitit paraardhës citohet saktësisht në rregulloren e gjykatës. Ajo çka është e paqartë, është fakti se cilat janë këto të dhënat që janë përdorur për të nxjerrë këtë mesatare sepse, pjesa me e madhe e çëshjeve të mbylluara apo në gjykim e sipër i kalojnë afatet e mesatares me muaj deri edhe me vite të tëra.
Në kuadër të çështjeve të vonuara, ne risjellim në fokus Byronë Shqiptare të Sigurimit dhe një nga paditë e ngritura ndaj saj për mos pagimin e dëmshpërblimeve në rast aksidenti. Shtetësja Nazmie Kodra ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një padi ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve me datë 2 qershor të vitit 2009.
Nazmie Kodra kërkon nga Byroja e Sigurimeve dëmshpërblim për humbjen e jetës së Klodian Kodra në një aksident automobilistik. I ndjeri Kodra rezultonte i siguruar pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhë në bazë të ligjit kompania i detyrohet atij një dëmshpërblim në rast aksidenti dhe humbje jete.
Pas sagës së zakonshme të kërkesave papërgjigjje për dëmshpërblim nga ana e kompanisë, Kodra vendosi të depozitonte në gjykatë një padi ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Padia ka si objekt detyrimin e kompanisë së sigurimeve të paguajë në favor të paditëses Nazmie Kodra, dëmin real pasuror dhe jo pasuror, shpenzimet e varrimimit dhe të ceremonive mortore, për shkak të dëmit të shkaktuar nga aksidenti automobilistik i datës 31 korrik, ku si pasojë gjeti vdekjen shtetasi Klodian Kodra.
Kjo padi figuron në dosjet e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë që nga qershori i vitit 2009. Në gati 3 vitet e gjykimit, kjo çështje ka patur 22 seanca, ku çështja është shtyrë kryesisht për arsye të procedurës së ekspertimit. Aktualisht Nazmie Kodra po i nënshtrohet një eksertize psikologjike se si ka ndikuar tek ajo humbja e jetës së Klodjan Kodrës dhe sa i përket cilësisë së jetës dhe marrëdhënieve familjare.
Paditësja po i nënshtrohet kësaj analize psikologjike gati tre vjet pas humbjes së të ndierit. Se sa e mundshme është matja e dëmit jopasuror, dhe matja e një trauma psikologjike tre vjet pas ndodhjes së saj, kjo ngelet në dorën e psikologes për të thënë fjalën e fundit.
Çështja do të ketë seancën e rradhës, e 23-ta, me datën 3 shkurt 2012, që do të jëtë edhe dita e 994-të që kjo çështje pushon ne dosjet e gjykatës . Ndërkohë që nga mesatarja prej 385 ditësh do të kenë kaluar 609 ditë më shumë.
Nuk dihet nëse ka apo jo të drejtë qytetarja që kërkon dëmshpërblimin, por një gjë e dimë me saktësi: Gjykata nuk ka të drejtë ta zvarrisë procesin deri në harresë!
Matilda Alku/IDEA
Shkrime të tjera me interes:
- Partizani ne rruge, Xhani zvarritet gjyqeve Ne prag te sezonit te ri futbollistik, partizani, nje nga...
- Ferri i sigurimeve, kompanitë nuk paguajnë dëmet Tiranë – Vëzhgimi i gazetës IDEA mbi çështjet e padi...
- Kompanitë e Sigurimeve- Beteja për drejtësi dhe me drejtësinë vazhdon… Tiranë- Gjykata e Tiranës shqyrton çdo ditë dhjetra padi shkaktim...