E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha vizitoi Xhaminë e Kavajës me rastin e Fiter Bajramit

Me rastin e Festës së Fiter Bajramit Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, vizitoi paraditen e sotme Xhaminë e qytetit të Kavajës, ku u prit nga Myftiu i xhamisë Besnik Leçini, Imami Xhaferr Shkodra dhe besmitarë të tjerë.

Duke i përcjellë urimet më të përzemërta, Kryeministri u shpreh se kjo është një ditë e shënjtë, ditë e nderimit të sakrificave, përkushtimit dhe përpjekjeve të njeriut ndaj zotit, ndaj të mirës, ndaj familjes, ndaj vetes dhe ndaj vendit.

“Përfitoj nga rasti për ti përcjellë besimtarëve myslimanë të Kavajës dhe besimtarëve në mbarë vendin, gëzuar këtë ditë të madhe, ditë të nderimit të sakrificave, të përkushtimit, të përpjekjeve të njeriut ndaj Zotit, ndaj të mirës, ndaj familjes, ndaj vetes dhe ndaj vendit”, u shpreh Kryeministri në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë.

Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që sakrifica të shndërrohet në një mirësi, që Bajramin e ardhshëm t’a festojmë më mirë, më të sigurtë dhe më të gëzuar.

Gjatë bisedës në Xhaminë e Kavajës, Kryeministri diskutoi dhe për Universitetin Teologjik që do të çelet së shpejti në Tiranë.

“Universiteti do të hapet në Tiranë sepse vetë karakteri i këtij Universiteti kërkon një staf pedagogjik të kualifikuar në mënyrë që të ruajë cilësinë. Ky është një universitet i domosdoshëm dhe ju siguroj se do të hapet së shpejti”, u shpreh Kryeministri.

Një tjetër çështje që u diskutua ishte gjetja e mekanizmave të duhur që një pjesë të taksës që paguajnë besimtarët të kalojë në institucionet fetare.

“Po përpiqemi të gjejmë mënyrën e duhur që një pjesë e taksës që paguajnë besimtarët të kalojë në institucionet fetare. Është e domosdoshme një konsultë me të gjithë përfaqësuesit ku të diskutohet që një pjesë e këtyre fondeve të shkojnë për rikonstruksionet e monumenteve”, tha Kryeministri.

Gjithashtu Kryeministri u shpreh se qeveria po punon dhe në drejtim të kthimit të pronave për komunitetet fetare.

Myftiu Besnik Leçini i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen për vizitën dhe mesazhin drejtuar të gjithë besimtarëve të qytetit në këtë ditë të shenjtë për ta.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›