E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton Kolegjin e IT në Estoni

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Estoni, vizitoi sot pasdite, Kolegjin e IT të Estonisë. Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha u prit dhe u shoqerua nga  Jaag Anton, Kryetar i Këshillit Estonez të Fondacionit të Teknologjisë së Informacionit, zoti Oomas Somera, kryetar i Bordit të Fondacionit, znj Ene Tammeoru Kryetare e Qendrës së Zhvillimit Estonez E-learning, si dhe pedagogë dhe studentë të tjerë.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha u njoh me zhvillimin e teknologjisë së informacionit në  Kolegjin e IT të Estonisë si dhe me përpjekjet e Fondacionit Estonez të IT për promovimin e teknologjive të reja dhe bashkëkohore, si në fushën private ashtu dhe në fushën publike.

Kryeministri Berisha vlerësoi arritjet e mëdha në teknologjinë e informacionit, gjatë këtyre 10 viteve e fundit, të një vendi të vogël si Estonia. Më pas kryeministri bëri një prezantim të hapave të Shqipërisë drejt zhvillimit të teknologjisë së informacionit, duke cilësuar si prioritetin kryesor të qeverisë shqiptare sjelljen e Shqipërisë në moshën digjitale. Gjatë këtyre dy viteve,u shpreh Kryeministri Berisha  është ecur përpara, në këtë drejtim, ndonëse mbetet ende shumë punë për të bërë. Kryeministri u shpreh se në këto dy vjet është rritur shtrirja e internetit në shoqërinë shqiptare nga 4 % që rezultonte para dy viteve,  në 19 %.

Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me kontratat e nënshkruara së fundi me kompanitë e mëdha Microsoft dhe Sisco, për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe. Gjithashtu ai u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin e vendosur  me Estoninë në fushën e IT, duke shprehur vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në këtë fushë.

Kryeministri u shpreh se Estonia përbën një shembull të suksesshëm të praktikave të mira, në mënyrë të veçantë në inkurajimin e biznesit privat, për të marrë pjesë në procesin e informatizimit të shoqërisë, si dhe kontributin e tij në përmirësimin e mësimdhënies dhe teknologjisë të universiteteve dhe të edukimit në tërësi.

Duke vlerësuar se përmirësimi i mëtejshëm i arsimit është rruga kryesore drejt zhvillimit të teknologjive të informacionit, Kryeministri u shpreh se në fund të këtij viti do të realizohet pajisja me internet e të gjitha shkollave në Shqiperi.

Kryetari i Këshillit estonez të Fondacionit të Teknologjisë së Informacionit, zoti Jaag Anton bëri një prezantim të Fondacionit, duke e njohur  kryeministrin Berisha me mënyrën e menaxhimit të Kolegjit të IT, promovimin e mësimdhënies së IT, si dhe  përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës në universitetet dhe kolegjet estoneze.

Zoti Jaag Anton thekoi se është shumë i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit midis universiteteve dhe kompanive private, si dhe promovimi i E-learning, të cilat zhvillohen duke u fokusuar në anën praktike të IT, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me industrinë dhe biznesin.

Kolegji IT në Estoni, i krijuar në vitin 1999, pajis rreth 150 studentë në vit me diploma tre vjeçare në fusha të ndryshme, si zhvillim sistemesh IT, administrim sistemesh IT, analizë e sistemeve të Informacionit dhe komunikim informatik.

Ky kolegj bashkëpunon me kompani të mëdha ndërkombëtare si Erikson, HP, Siemens, Sisco. Microsoft , Oracle, etj. Fondacioni i Teknologjisë së Informacionit dhe Kolegji IT prezantojnë tek publiku teknologji të reja, duke u bazuar në mënyra të reja të mësimdhënies dhe edukimit, në fushën e arsimit universitar. Fondacioni ka krijuar gjithashtu një program për shkollat e mesme, për të krijuar infrastrukturën e duhur të arsimit të mesëm, në mbështetje të zhvillimit të IT dhe stafit akademik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›