E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton komunën e Fushë Kosovës

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një vizitë në komunën e Fushë-Kosovës. Kryeministri Berisha u mirëprit në kryesinë e komunës nga kryetari i saj, Skënder Zogaj, anëtarët e këshillit të komunës të të gjitha etnive, shqiptarë, serb, ashkali, etj., nga përfaqësues të partive politike të zonës, si dhe nga përfaqësues të dy komuniteteve fetare atje, ortodoks dhe myslimanë.

Kryetari i komunës Zoti Zogaj e njohu Kryeministrin Berisha me gjendjen ekonomike dhe sociale të Fushë Kosovës, me përpjekjet dhe arritjet e këtij komuniteti për të siguruar një bashkëjetesë dhe harmoni ndëretnike dhe ndërfetare.

Në takim përshëndeti edhe kryetari i Partisë Demokratike të serbëve të Fushë Kosovës. Duke shprehur dëshirën dhe vullnetin e serbëve për të jetuar në një shoqëri multietnike në Fushë Kosovë, ai theksoi se është e rëndësishme të bëhet më shumë për të nxitur rikthimin e të zhvendosurve dhe për të krijuar një harmoni ndëretnike.

Në përshëndetjen e tij, ndër të tjera, kryeministri Berisha theksoi:

"Dëshiroj t'ju shpreh nderimin dhe kënaqësinë më të madhe që jam këtu me përfaqësues të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Fushë Kosovë, që sëbashku e kanë shndërruar Fushë Kosovën në simbol të shkëlqyer të qytetarisë dhe të së ardhmes.

Marrëdhëniet ndëretnike në Fushë Kosovë janë dëshmi dhe një shembull bashkëpunimi dhe miqësie që duhet të ndërtojnë popujt e Ballkanit, përfshirë shqiptarët dhe serbët.

Fushë Kosova është një shembull i shkëlqyer sesi qytetarët dinë të shkëputen nga e shkuara për të kapur të ardhmen. Asgjë nuk ka më të shtrenjtë për njeriun se e ardhmja. Sfida më e madhe është gara për të ecur me të ardhmen.

Dua të garantoj serbët e Fushë Kosovës, por dhe serbet e gjithë Kosovës se në axhenden time në të gjitha takimet me drejtuesit politikë shqiptarë të Kosovës pika e parë e bisedimeve ka qenë liria dhe të drejtat e tyre.

Unë i kam përjetuar me një ndjenjë shumë të hidhur ngjarjet e marsit të 2004-s dhe i kam dënuar me ashpërsinë më të madhe. Ju, qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, qytetarëve shqiptare kudo në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi nuk ju duhen grupet ekstremiste. Ata janë një rrezik i madh për të gjithë ne që dëshirojmë të ndërtojmë sëbashku një të ardhme evropiane, të cilën e meritojmë.

Unë e kam dënuar me ashpërsinë më të madhe dhunimin e institucioneve tuaja të kultit. E kam theksuar dhe e theksoj se ato janë një trashëgimi e madhe dhe e mrekullueshme kulturore jo vetëm e Kosovës, por e mbarë Evropës. Ne, shqiptarët, jemi një komb i varfër, por kemi një gjë të çmuar, që është toleranca e shkëlqyer fetare. Ngjarjet e marsit të 2004-s ishin në kundërshtim flagrant me shpirtin e shqiptarëve.

Dje, në parlament, i drejtova një thirrje qytetarëve të Kosovës që të bëjnë çdo përpjekje për pajtim shoqëror. Dhe i ftoj të vizitojnë Fushë Kosovën për të parë sesi qytetarët me origjinë të ndryshme etnike dinë të mbyllin me shpejtësi plagët e së shkuarës, të nderojnë gjuhën, kulturën, identitetin dhe besimin fetar të njëri-tjetrit.

Të gjithë jemi nisur drejt Evropës dhe duam të arrijmë atje. Ne do të shkojmë në Evropë vetëm në rast se çdo ditë përshtasim për vete standartet më të mira të tyre.Çështja e minoriteteve është një çështje delikate. Ajo nuk zgjidhet vetem me ligje dhe akte të tjera ligjore. Ajo zgjidhet, para së gjithash, duke kërkuar dhe krijuar hapësirat e domosdoshme për respektimin e të drejtave të tyre. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi, Serbia mund të ketë ligjet për minoritetet edhe më të mira se të disa vende evropiane. Por gabojnë shumë rëndë nëse mendojnë se gjendja e minoriteteve tek ta është më mirë se në vendet e tjera të Evropës. Në vendet perëndimore ka gjykata të pavarura që, për fatkeq, nuk është rasti në vendet tona. Dhe gjykatat janë garanti kryesor i lirive dhe të drejtave të njeriut. Në këto vende ka mirëqënie, në vendet tona jo. Askush në Evropë më shumë sesa ashkalitë dhe romët nuk përjeton trashëgiminë e hidhur dhe varfërinë e tejskajshme.

Dëshiroj t'ju përshëndes edhe një herë përzemërsisht dhe e konsideroj takimin me ju një nga momentet më të rëndësishme të vizitës sime në Kosovë. Edhe pa ardhur këtu kisha shumë informacion për ju. Të gjithë bashkëbiduesve të mi u kam kërkuar që eksperiencën pozitive të Fushë Kosovës ta shtrijnë në të gjithë Kosovën.

Faleminderit".

Pas takimit, kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, bëri këto komente:

Kryeministri Berisha: Edhe një herë shfrytëzoj rastin për t'i përcjellë nderimet më të thella dhe përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve të Fushë Kosovës, shqiptarëve, serbëve, ashkalinjve, romëve, burra dhe gra me zemër të madh që në një hark kohor prej 7 vjetësh janë ringritur nga rrënimet dhe kanë shëruar plagët e së shkuarës. Ata kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin duke i faktuar të gjithë Kosovës, Ballkanit dhe Evropës se bashkëjetesa dhe respekti reciprok është e ardhmja e sigurtë e mbarë Kosovës.

Dëshiroj të përgëzoj kryetarin e komunës, bashkëpunëtorët e tij, shqiptarë, serbë e ashkalinj për punën e shkëlqyer që kanë bërë. Me këto arritje të mrekullueshme, ata kanë nderuar veten dhe dinjitetin njerëzor. Qytetarët e Kosovës duhet që këtë shembull të shkëlqyer ta përhapin me shpejtësi në të gjitha fshatrat, qytetet, komunat e këtij vendi të lirë, që ecën i sigurtë drejt Evropës.

Pyetje:Çpërshtypje ju bën që jeni në të njëjtën ndërtesë, ku 17 vjet më parë Millosheviçi mbajti një fjalim, i cili qe fillimi i hegjemonisë serbe ndaj shqiptarëve?

Kryeministri Berisha: Ajo që të bën përshtypje është sesi këta burra e gra, të asaj periudhe që ju përmendni, e kanë shndërruar Fushë Kosovën në trevën e bashkëpunimit, të mirëkuptimit, respektit reciprok, në trevën e burrave dhe grave që shohin me besim të madh të ardhmen dhe jetën e përbashkët.

Pyetje: A mos është Fusha Kosova vetëm një ishull bashkëjetese?

Kryeministri Berisha: Nuk është e vërtetë që Fushë Kosova është një ishull. Edhe në komuna të tjera, veçanërisht në lindje të Kosovës, ka marrëdhënie shumë të mira. Kjo harmoni është duke u përhapur. Fushë Kosova është një simbol i shkëlqyer, por jo vetëm një ishull.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›