E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Giuseppe Valotto

Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Komandantin e KFOR-it, gjeneral Giuseppe Valotto, në Shtabin Qëndror të NATO-s në Prishtinë.

Gjenerali Valotto e informoi Kryeministrin Berisha mbi aktivitetin e KFOR-it në Kosovë, si dhe mbi situatën e sigurisë në vend. Ai vuri ne dukje se përgjithësisht situata është e qetë dhe incidentet me bazë ndëretnike në Kosovë kanë qenë minimale. Gjenerali Valotto theksoi se gjeografia e krimit dhe e shkeljeve të ligjit në Kosovë, nuk ka tendenca etnike. Shpesh herë incidentet në Kosovë ekzagjerohen dhe atribuohen, në mënyrë të pabazuar, si veprime me ngjyrim etnik, edhe pse ato nuk janë të tilla. Shpesh këto incidente janë hedhje gurësh nga fëmijë të vegjël, të cilët nuk kanë asnjë lloj ngjyrimi apo sfondi etnik në këto veprime.

Gjenerali Valotto i bëri të ditur kryeministrit edhe hapat që po ndërmerren për reformimin e KFOR- në Kosovë.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm që KFOR ka luajtur për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Zoti Berisha falënderoi gjithashtu të gjithë kombet kontribuese në KFOR. Kryeministri theksoi se prezenca ushtarake dhe civile në Kosovë, është e rëndësishme edhe pas përcaktimit të Statusit përfundimtar, për të siguruar vazhdimësinë e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

Kryeministri Berisha u shpreh i sigurt se minoritetet e kanë të ardhmen në Kosovë. Situata është përmirësuar, por ajo duhet të përmirësohet edhe më tej. Shqiptarët duhet të bëjnë shumë për sigurimin e kushteve për bashkëjetesën dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve, por dhe minoritetet, veçanërisht minoriteti serb, duhet që të heqë dorë nga qëndrimet intolerante dhe nga refuzimi për t'u integruar në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Kosova multietnike është Kosova e të ardhmes, ku në të minoritetet kanë një vend të rëndësishëm.

Kryeministri i shprehu gjeneralit Valotto gadishmërinë për ta mbështetur dhe ndihmuar përpjekjet e KFOR-it në Kosovë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›