Kryeministri Berisha takohet me kryeadministratorin e Kosovës Soren jesen Petersen
Gjatë vizitës në Prishtinë, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Soren Jesen Petersen.
Në fund të takimit, Zoti Berisha dhe Zoti Petersen bënë këto deklarata për gazetarët:
Administratori Petersen: Pata privilegjin dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme për të mirëpritur dhe biseduar me kryeministrin e Shqipërisë, Zotin Berisha.
Unë e përgëzova kryeministrin Berisha për nënshkrimin, në fillim të kësaj jave, të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe rajonin. Ajo tregon qartësisht se rruga drejt Evropës është e hapur. Shembulli i Shqipërisë është një shembull që edhe ne duhet ta ndjekim.
Gjithashtu falenderova kryeministrin për marrëdhëniet e shkëlqyera midis fqinjëve, Kosovës dhe Shqipërisë.
E falenderova kryeministrin Berisha për qendrimin e tij parimor dhe në të njëjtën kohë, shumë mbështetës në procesin e përcaktimit të statusit final të Kosovës. E falenderova kryeministrin se ai vazhdimisht thekson se e ardhmja e Kosovës duhet të jetë ajo e një Kosove shumë etnike, ku të gjithë komunitetet jetojnë e punojnë sëbashku.
E falenderova gjithashtu Zotin Berisha për ritmin, forcën dhe sukseset që ka arritur si kryeministër i Shqipërisë në përpjekjet për të zhdukur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këto janë probleme edhe këtu, por vrulli dhe dinamizmi i kryeministrit duhet të shërbejë si shembull për ne dhe drejtuesit e Kosovës gjithashtu për të bërë përpjekje në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha: E falenderova përzemërsisht administratorin Petersen për ftesën dhe mikpritjen që më rezervoi. E falenderova me mirënjohje për rolin e tij dhe lidershipin që dëshmoi në një periudhë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin. Përkushtimi dhe vizioni i tij kanë qenë faktor shumë të rëndësishëm për ecurinë e këtij procesi.
Kam patur kënaqësinë që, gjatë kësaj periudhe, të punoj ngushtë e të takohem disa herë, në Shqipëri, në Kosovë dhe jashtë, me administratorin Petersen dhe njoh nga afër kontributin e tij të çmuar.
Diskutuam gjërësisht me administratorin Petersen dhe ndajmë pikëpamje të njëjta për perspektivën e Kosovës dhe të rajonit.
Administratori ndërpreu detyrën e tij në Kosovë duke bërë që Kosovës t'i mungojë një administrator i shquar. Por ai largohet si një mik i madh i qytetarë të Kosovës dhe fqinjëve të saj.
Unë e sigurova se Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje, duke dhënë kontributin e saj në këtë proces të finalizimit të statusit të Kosovës. Ne besojmë se ky proces nuk duhet të zgjatet. Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e komunitetit ndërkombëtar për respektimin e kufijve aktualë. Kjo është zgjidhja më e mirë që mundëson të ardhmen europiane të vendeve dhe kombeve tona.
Edhe një herë, dëshiroj të falenderoj administatorin Petersen për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ta siguroj se do të mbahet mend si një mik i madh e i shquar i rajonit.