E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha votoi në qendrën e votimit numër 1728, të njësisë bashkiake nr. 2 të kryeqytetit

“Këto janë zgjedhje, që shqiptarët firmosin projektin e tyre evropian”

Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, votoi dje rreth orës 10:00 në qendrën e votimit numër 1728, të njësisë bashkiake nr. 2 të kryeqytetit.

Pas votimit, kryeministri Berisha komentoi situatën zgjedhore dhe përshëndeti të gjithë qytetarët shqiptarë, për pjesëmarrjen e tyre masive në votime. 

“Më lejoni të përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë në këtë ditë, në të cilën ata takojnë dhe vendosin fatin e tyre. U jap përshëndetjet më të përzemërta dhe thirrja ime është që të marrin pjesë masivisht në këto votime. I ftoj të shkojnë në qendrat e votimit familjarisht, por të votojnë individualisht”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë përshëndeti të gjithë vëzhguesit e huaj, të cilët ndoqën dje nga afër të gjithë procesin zgjedhor në vend. 

Berisha përshëndeti të gjithë emigrantët, të cilët u kthyen në Shqipëri, vetëm për të shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet votës. 

“Dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra e mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët kanë ardhur nga të katër anët e të votojnë dhe të ndikojnë me vendimin e tyre”, tha Berisha.

Shefi i ekzekutivit garantoi se këto zgjedhje janë plotësisht të lira dhe të ndershme, nëpërmjet të cilave do të fitojë çdo shqiptar. 

“Këto janë zgjedhje, në të cilat shqiptarët firmosin projektin e tyre evropian”, deklaroi kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›