Triumfi i Berishës

Partia Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës ka korrur dje një fitore plebishitare, duke dalë forca e parë politike thuajse në të gjithë vendin. Rekord i pjesëmarrjes masive në votime dhe fitore të shkëlqyera të së djathtës në Tiranë, Elbasan e Fier.
Agjencitë më të mëdha ndërkombëtare: Në Shqipëri u regjistrua një fitore e pastër e Sali Berishës
Zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Shqipërisë, u shoqëruan nga një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e qytetarëve, të cilët shprehën të drejtën e kushtetuese, votën, për përfaqësuesit e tyre, legjitimë në parlament. Pjesëmarrja e lartë e votuesve në zgjedhjet e djeshme nuk ishte asgjë më shumë se një konfirmim i fitores plebishitare të PD-së dhe për më tepër një triumf i Kryeministri Sali Berisha.
Në 12 qarqet e vendit, dje votuan 70% e qytetarëve, më e larta se në të gjitha proceset e kaluara zgjedhore. Zgjedhjet e djeshme parlamentare në Shqipëri tërhoqën vëmendjen e mediave në mbarë botën, të cilat njëzëri citojnë se zgjedhjet janë testi që do t’i hapë rrugën Shqipërisë në BE. Rrjete televizive e gazeta prestigjioze si BBC, ABC, CBS, Uashington Post, Reuters, The Guardian, AFP, Associated Press i kanë cilësuar zgjedhjet parlamentare në Shqipëri si çelësin që ka mundësinë t’i hapë dyert Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në BE.
Reuters citoi zëdhënësin e KQZ, Leonard Olli sipas të cilit procesi zgjedhor në vend vijoi i qetë dhe normalisht. Ndërkaq, rrjeti televiziv BBC shkruan këto zgjedhje janë testi për arritjen e standardeve të demokracisë ne vend.
BBC citon Brukselin zyrtar që ka bërë thirrje për zgjedhje të lira e të drejta. Pas ardhjes së demokracisë në vend, thekson rrjeti prestigjioz, duke ia kontribuar meritat kryeministrit Sali Berisha, Shqipëria ka ecur përpara në zhvillimin ekonomik, duke qenë një nga të paktat vende me rritje ekonomike.
Zgjedhjet e djeshme u ndoqën nën syrin e rreptë të vëzhguesve, thotë BBC, pasi nga kjo do të varet edhe rruga e Tiranës zyrtare drejt BE. Po kështu edhe Agjencia e lajmeve AFP e cilësoi ditën e djeshme si mundësinë për të rritur aspiratat e Shqipërisë drejt BE. Shqipëria ndez motorët e zgjedhjeve, thotë agjencia, e cila citon fjalimin e fundit të kryeministrit Berisha, i cili në mitingun e tij përmbyllës u kërkoi shqiptarëve të bashkohen në emër të ëndrrës së përbashkët evropiane.
Lidhur me zgjedhjet e djeshme kanë shkruar dhe gazetat prestigjioze, Uashington Post dhe Associated Press, të cilat e shkruajnë se BE ka kthyer tashmë sytë nga Shqipëria. Shqipërisë i duhet të tregojë që ka arritur pjekurinë politike,- thotë Uashington Post. Gazeta flet edhe për deklaratat e SHBA-ve dhe BE, të cilat janë shprehur se shpresojnë në një proces të lirë e të ndershëm zgjedhor.
Për herë të parë Shqipëria aplikon në zgjedhje sistemin proporcional
Në garën e djeshme elektorale morën pjesë 34 forca politike nga të cilat vetëm njëra konkurroi e vetme ndërsa të tjerat ishin të grupuara në 4 koalicione të mëdha.
Sipas afatit ligjor, numërimi i votave i cili do të bëhet në 66 qendra të posaçme, duhet të mbyllet brenda orës 17 të ditës së sotme.
Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka afat 48 orë që nga momenti i marrjes së materialeve, për të nxjerrë rezultatin.
Pas mbylljes së qendrave të votimit u dhanë edhe rezultatet e anketave në këto qendra, të ashtuquajturat “exit polls”.
Për herë të parë Shqipëria voton sipas një sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura në 12 qarqe të vendit sipas ndarjes administrative.
Pragu i votave për çdo deputet luhatet nga një zonë në tjetrën - nga 3.1 përq ind në Tiranë deri në 25 për qind në Kukës. Pragu për koalicionet është 5 për qind.
...