Kryeministri Berisha zhvilloi një takim miqësor me Drejtoren Ekzekutive të UNICEF-it, Ann Veneman
Në vazhdim të takimeve të zhvilluara në Stamboll, Kryeministri Berisha pati një takim miqësor me Drejtoren Ekzekutive të UNICEF-it, zonjën Ann Veneman.
Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Veneman mirënjohjen për ndihmesën e madhe që OKB-ja në përgjithsi dhe UNICEF në veçanti i japin shoqërisë shqiptare. Kryeministri theksoi se me arritjen e nismes "Një OKB", Shqipëria është në pararojën e vendeve të përzgjedhura për këtë projekt.
Duke vlerësuar koordinimin si një çështje thelbësore, Kryeministri Berisha u shpreh se një koordinim i mirë mes agjencive të OKB-së të pranishme në Shqipëri e bën më efikas bashkëpunimin mes tyre dhe qeverisë shqiptare. Kryeministri u shpreh ndër të tjera se qeveria shqiptare ka një raport shumë të afërt dhe të frytshëm bashkëpunimi me UNICEF-in, i cili ka dhënë një ndihmesë të madhe në vendin tonë, nëpërmjet zbatimit të shumë projekteve të rëndësishme. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha shprehu dëshirën dhe angazhinin e tij për koordinimin e një programi ndërmjet UNICEF-it dhe qeverisë shqiptare në ndihmë të fëmijëve të komunitetit rom. Kryeministri u shpreh se fëmijët e kësaj shtrese shoqërore meritojnë një vëmendje dhe përkujdesje më të madhe.
Nga ana e saj, Zonja Veneman tha se Shqipëria është një prej vendeve ku operojnë disa agjenci të OKB-së dhe angazhimi i UNICEF-it është të realizohen në rradhë të parë objektivat e ndërmarra.
Duke vlerësuar rëndësinë e përshtatjes me ndryshimet e shpejta në shoqërinë e sotme, zonja Veneman the se eshte e rëndësishme, që organizatat ndërkombëtare të adaptojnë një klimë të tillë ndryshimi për t'iu përgjigjur kërkesave të kohës, me vënien në zbatim të politikave të qarta, të cilat kanë për qëllim nxjerrjen në pah të problemeve, të cilat mund të lihen në hije nëse nuk do të kishte përkujdesje nga UNICEF.