E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi

"Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht vendin pritës Turqinë, Presidentin Sezer, Kryeministrin Erdogan, për këtë mikpritje të ngrohtë dhe organizim të shkëlqyer në këtë samit jubilar në Stamboll. Ky është një qytet frymëzues për bukurinë e tij qysh nga ditët e tij më të arta dhe një pikë referimi në historinë botërore.

Si një nga ata që patën privilegjin të jenë në këtë sallë 15 vjet më parë për nënshkrimin e deklaratës së themelimit të Nismës së detit të Zi, dëshiroj të përshëndes dhe t`ju shpreh mirënjohjen atyre që themeluan iniciativën e Detit të Zi, si një iniciativë që synon pikë së pari rinovimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit që ekziston mes vendeve tona prej shumë shekujsh. Në këtë kontekst, unë mendoj se iniciativa ka pasur sukses në shumë aspekte. Aktualisht vendet tona po bashkëpunojnë në mënyrë dypalëshe dhe shumëpalëshe, kemi nënëshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, volumi i shkëmbimeve tregtare është rritur ndjeshëm dhe ne po punojmë në projekte të përbashkëta. Kështu, ky bashkëpunim ështe shumë i frytshëm dhe inkurajon investimet reciproke.

Ju jeni dëshmitarë se investime të mëdha nga vendet e Detit të Zi janë bërë në Shqipëri. Unë ju siguroj se qeveria ime po bën çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më tërheqëse për investimet tuaja. Së shpejti Shqipëria do të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Ne po reduktojmë burokracinë që të lehtësojmë investimet tuaja dhe tregtinë e lirë në Shqipëri.

Një qëllim tjetër madhor i kësaj nisme ishte të lehtësonte shkëmbimet e mëdha tregtare midis Azisë Qendrore dhe Europës dhe të rinovonte rrugët tradicionale që lidhnin rajonet, qytetërimet, shekuj më parë. Për këtë janë hartuar shumë projekte dhe besoj se ato do të zbatohen në vitet në vazhdim. Ndër to vlerësoj si shumë të rëndësishme Unazën e Detit të Zi, por edhe Korridorin e 8-të dhe rrugë të tjera lidhëse, sikurse edhe projekte të tjera të mëdha që do të sjellin lëvizjen e të mirave materiale, njerëzve dhe kulturave nga rajone të largëta në drejtim të rajonit tonë dhe Europës. Besoj se ka ardhur koha që vendet tona të punojnë se bashku në mënyrë dypalëshe apo shumëpalëshe për të kontribuuar në këto projekte.

Rajoni ynë ka ecur përpara drejt integrimit evropian. 15 vjet më parë ne kishim vetëm një vend anëtar të BE-së. Sot jane 3; Bullgaria dhe Rumania i janë bashkuar Greqisë. Turqia dhe Maqedonia janë kandidatë, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi u është ofruar fillimi i negociatave. Nisma e Detit të Zi, si bashkëpunim rajonal është shumë e dobishme për realizimin e projektit tonë të integrimit.

Por, megjithë këto arritje, në këto 15 vjet rajoni ka kaluar nëpër konflikte e luftëra. Këto janë lënë pas dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kriza ballkanike ishte nga më të këqijat në Europë. Në disa aspekte ishte e ngjashme me krizën e Afrikës Lindore, spastrime etnike dhe varre masive, por, fatmirësisht, tani kjo krizë është lënë pas dhe vendet tona janë shumë të vendosura të punojnë së bashku për një të ardhme të përbashkët.

Egziton një çështje thelbësore që pret ende zgjidhje dhe kjo është statusi përfundimtar i Kosovës. Unë jam plotësisht dakord me deklaratën e fundit të ministrave të Jashtëm të BE-së që Kosova është një rast i veçantë, (sui generis) i vetëm në llojin e tij. Nëse shihni historinë, që nga viti 1386 deri më 1912, Kosova ka qenë vilajet i Perandorisë Osmane, i banuar kryesisht nga shqiptarë.

Në periudhën 1908-1912, populli i Kosovës organizoi kryengritjen më të madhe kombëtare, që Europa përjetoi në atë kohë, për pavarësi. Shqipëria u shpall e pavarur, kurse Kosova u ndëshkua me ndarje nga trungu amë dhe iu dhurua një vendi tjetër vetëm për arsyen se ishte një vilajet i një perandorie drejt shpërbërjes.

Gjatë një shekulli, Kosova përjetoi genocidin, aparteidin dhe spastrimet etnike, varret masive. Këto mizeri kanë ndodhur jo vetëm në vitin 1999, por edhe më parë, qysh nga viti 1945 e këtej. Krimet që populli i Kosovës përjetoi në vitin 1999 përbëjnë më pak se gjysmën e atyre të vitit 1945. Kjo e detyroi NATO-n të ndërmerrte operacionin më të madh ushtarak në kontinentin europian pas Luftës së Dytë Botërore, për t`i dhënë fund "de facto" lidhjes së Serbisë me Kosovën.

Tani është momenti final për t`i dhënë fund procesit "de jure" të ndarjes së Kosovës nga Serbia. Besoj se korniza më e mirë për këtë është korniza e dokumentit të Presidentit Ahtisaari, i cili njeh si zgjidhje të vetme pavarësinë e Kosovës. Për këtë Shqipëria ka zgjedhur të mbështesë plotësisht këtë plan dhe besoj se ky propozim mund të bëhet një bazë e fortë për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe më gjerë. Plani Ahtisaari garanton plotësisht të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve atje si dhe bashkëjetesën e tyre në paqe.

Por, dua të theksoj gjithashtu se, Serbët dhe shqiptarët janë dy kombe rajonalë, ndonëse për arsye të ndryshme dhe të kundërta.

Dëshiroj t`ju siguroj se vendi im është i vendosur dhe ka vullnetin të ndryshojë kursin e marrdhënieve me Serbinë. Të dy kombet kanë arsye të shikojnë përpara për një të ardhme të përbashkët, si dhe të shkruajnë një kapitull të ri për një të ardhme shumë më të ndryshme nga e kaluara e hidhur.

Ju faleminderit!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›