Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të Krujës. Duke përshëndetur banorët, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi: "Dëshiroj të përshëndes të gjithë qytetarët e Kru
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të Krujës. Duke përshëndetur banorët, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Dëshiroj të përshëndes të gjithë qytetarët e Krujës, të gjithë banorët e këtij rrethi për mbështetjen e fuqishme e të jashtëzakonshme që ju i keni dhe Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e fundit Kruja solli në parlamentin e ndryshimit tre deputetë. Unë dua t'ju shpreh atyre nderimin tim për përfaqësimin dhe angazhimin që kanë për ju. Sikundër kam ardhur sot tek ju për t'ju dhënë fjalën se qeveria që unë kryesoj do të financojë dhe mbështesë çdo projekt të Lulzim Gunit për qytetin tuaj, i cili është zemra e vërtetë e kombit shqiptar, e historisë sonë kombëtare, qytet që të frymëzon e të mbush me krenari, të jep shprese e optimizëm të thellë për një të ardhme të shkëlqyer të Krujës e Shqipërisë.
Dua t'ju jap fjalën se me zotin Lulzim Guni do të inagurojmë rrugën që lidh zemrën e historisë sonë kombëtare me kryeqytetin, pallatin e kulturës, do të rikonstruktojmë tërësisht spitalin për të cilin janë përcaktuar 100 milion lekë. Ne do ta mbështesim zotin Guni në të gjitha projektet e tij, me vetëdijen e plotë se ai, këshilli bashkiak, parlamenti, qeveria e mbarë kombi kanë këtu detyrime madhore. Ndaj ne do t'i përmbushim ato me përparësi të madhe.
Ne vijmë këtu për të bërë edhe një bilanc të fjalëve e premtimeve të mbajtura. Këtu, në Krujë, ju kam dhënë fjalën se ne kemi një qëllim, të mbrojmë paratë tuaja nga shpërdoruesit e kleptokratët. Kjo për t'i shndërruar paratë tuaja në rroga, pensione, shkolla, rrugë, spitale e shërbime për ju. Në vitin 2006, duke zbatuar politikën e duarve të pastra, ne ia kemi dalë të shpëtojmë nga vjedhja, abuziviteti dhe shpërdorimi 600 milion euro. Secili prej jush duhet ta dijë se çfarë bëmë ne me këto para, sepse ky është buxheti juaj i dytë, pas buxhetit familjar. 94 milion janë përdorur për të rritur pensionet. Ne vendosëm pensionin minimal në qytet 100 mijë lekë dhe në fshat 50 mijë lekë dhe nga kjo masë kanë përfituar 400 mijë pensionistë shqiptarë. 67 milion i kemi përdorur për të rritur rrogat e 38 mijë arsimtarëve, e 12 mijë infermierëve dhe punonjësve të tjerë buxhetorë. Sot çdo arsimtar merr 23 për qind më shumë se një vit më parë, çdo infermier merr 25 për qind më shumë se një vit më parë, në të tërësi punonjësit buxhetorë marrin 20 për qind më shumë se një vit më parë. 220 milion ia kemi kthyer biznesit, duke ulur taksat, përgjysmuar taksën e biznesit të vogël, duke ulur 33 për qind sigurimet shoqërore, 33-45 për qind çmimin e energjisë dhe ulur taksat e tjera. Dhe kjo vetëm me një qëllim, që biznesmenët shqiptarë të zgjerojnë biznesin e tyre dhe të krijojnë vende të reja punë për të punësuar qytetarët shqiptarë. 36 milion u përdorën për të kompensuar rritjen e çmimit të energjisë.
Të tjera fonde u përdorën për të kontraktuar rrugët e mëdha të vendit. Dy muajt fundit të vitit që kaloi dhe në tre muajt e parë të këtij viti në Shqipëri nisën punimet dhe janë të kontraktuara rrugë e korridore më shumë se në 50-të vitet e fundit së bashku. Ne kemi prokuruar në të gjithë segmentin autostrada Durrës-Morinë, është prokuruar dhe fillojnë, javën e ardhshme, punimet në autostradën Fier-Vlorë me 4 korsi, sikundër janë në vazhdim punimet Lushnje-Fier, është prokuruar e do të nisë punën autostrada Korçë-Qafë Thanë, do të përfundojë rruga Vorë-Fushë Krujë, janë bërë dhe po vazhdojnë rikonstruksionet e akseve kryesore rrugore. Gjithashtu do të modernizohet porti dhe po përfundon aeroporti. Janë me dhjetëra punë publike që po vazhdojmë..
Ne jemi të vendosur që çdo qindarkë ta përdorim me duar të pastra. Nëse pyesni se si ka mundësi që brenda një viti qeveria duke ulur taksat, - vitin e kaluar Shqipëria zuri vendin e parë në botë për uljen e taksave si përqindje, - arritëm këto të ardhura, 100 milion euro janë shpëtuar nga abuzimet e zyrtarë dhe qeveritarëve. Kur shkova në Këshillin e Ministrave, ajo zyrë shpenzonte 220 milion në vit. Ne i përgjysmuam me gërshërë këto shpenzime dhe ju siguroj se kam pritur e përcjellë me dinjitet çdo mik që ka ardhur, sikundër kam udhëtuar me dinjitet. Këto para ishin udhëtime, dieta të pamerituara, biseda të pafundme telefonike. Kjo frymë u shtri në të gjithë administratën dhe në këtë mënyrë ne kursyem100 milion euro. Vitin e kaluar, prokurimet publik kanë pasur një kosto 25 për qind më të ulët se një vit më parë, sepse ra zarfi i ministrit dhe i drejtorit. Tani prokurohet me duar të pastra. Por ende ka shumë për të bërë.
Paratë e tjera ua morëm kontrabandistëve. Kemi zhdoganuar 2 mijë ton kafe më shumë se një vit më parë, 33 mijë ton naftë me shumë se vit më parë, 2 mijë ton birrë. Të gjitha ato që i vidhnin zyrtarët e kontrabanda tani i kanë qytetarët.
Kjo luftë e kjo beteje jo vetëm na bëri të mundur të kemi një buxhet shumë më të fuqishëm, por, për shkak të besimit tek kjo qeveri, bota do të trefishojë nivelin e kredisë financiare për Shqipërinë. Përsëri ne mbetemi një vend i varfër dhe përballemi me vështirësi, por ju garantoj se çdo muaj dhe çdo vit këto do të vijnë duke u pakësuar.
Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, presim të marrin ftesën për anëtarësim në NATO. Në këtë mënyrë ne realizojmë projektet tona, ëndrrën shekullore që Kruja e mbrojti dhe mbajti në gjirin e saj të pashuar, ëndrrën evropiane të kombit shqiptar.
Sot vij këtu t'ju informoj se ky vit do të jete viti i investimeve jo vetëm publike, por edhe investimeve private më të mëdha në historinë e vendit. Janë të shumta investimet private që nisin së shpejti në sektorin e energjisë, jo një por disa TEC-e. Ne do të ndërtojmë me shpejtësi një zinxhir TEC-esh, që kurrë thatësira të mos na dalë përpara. Gjithashtu janë një seri investimesh të tjera në vepra publike. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse. Vetëm në rrugë gjatë këtij mandati do të investohen 1.4 milion dollarë. Nga mesi i vitit fillon një projekt tjetër i madh i asfaltimit të 6 mijë kilometrave rrugë rurale e dytësore të qyteteve tona.
Ne bëjmë çdo përpjekje që të afrohemi me Evropën me dinjitet, si qytetarë me mirëqenie, me infrastrukturë evropiane, me shkolla moderne, për të cilat do të dyfishojmë investimet në arsimin për edukimin e fëmijëve tanë, të afrohemi si qytetarë me spitale moderne.
Ndaj ju bej thirrje që më 18 shkurt të gjithë, në lartësinë e mençurisë krutane, të votoni për Lulzim Gunin e mos harroni se në Shqipëri po shëtit në ditët e fundit si një hije ‘mister kriza'. Unë, sikundër dhe ju, kemi dhe do të kemi respekt të palëkundur për kundërshtarin, sepse kemi qenë pa kundërshtar dhe uroj të mos mbetemi kurrë pa kundërshtar. Por zoti Rama është ‘mister kriza'. Ai është ciklik në krizën e tij. Në 18 shkurt t'i japim mundësinë të dalë në profesion të lirë. Dhe Shqipëria të eci drejt Evropës."