Kryeministri Berluskoni me hundë të thyer, sot del nga spitali
Zyrtarët italianë bënë të ditur se kryeministri Silvio Berluskoni qëndroi edhe një natë tjetër në spital pas incidentit të dy ditëve më parë, në të cilin ai u qëllua nga një person me një statujë të vogël dhe sot pritet të dalë. Ndihmësit e tij thanë se pas një nate të qetë, zoti Berluskoni u zgjua me një dhimbje koke dhe kërkoi t’i sillnin gazetat për të lexuar lajmet mbi ngjarjen. Goditja e la të gjakosur në fytyrë dhe mjekët thonë se mund të duhen rreth 20 ditë që ai ta marrë veten pasi ka pësuar thyrje të hundës dhe të dy dhëmbëve si dhe dëmtim të buzëve. Kryeministri u godit me një statujë të vogël të dielën në mbrëmje pas një mitingu në Milano, kur po jepte autografë. Goditja e la të gjakosur në fytyrë dhe mjekët bënë të ditur se mund të duhen rreth 20 ditë që ai ta marrë veten plotësisht. Ndihmësit e futën menjëherë në një makinë por pas pak ai doli prej andej siç duket për të treguar se nuk ishte dëmtuar shumë. Mjeku personal i kryeministrit, i cili ishte i pari që i erdhi në ndihmë, tha se kryeministri ishte i tronditur dhe nuk e kuptoi menjëherë sa fort ishte goditur. Një pankartë në portën e spitalit i uronte zotit Berluskoni shërim të shpejtë. “Italianët e vërtetë janë me ju,” thuhej aty. Policia ka arrestuar autorin e incidentit, 42 vjeçarin Masimo Tartaglia, për të cilin thuhet se vuan nga probleme mendore. Pas marrjes në pyetje gjatë natës, personi u dërgua në burgun San Vittore të Milanos.
15 Dhjetor 2009