Zgjedhjet në Kosovë, rezultatet paraprake nxjerrin fituese PDK-në
Blerina Olldashi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet paraprake të balotazhit për kryetarët e 21 komunave. Sipas kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, ato nga jashtë dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Nga 21 komuna ku janë mbajtur zgjedhjet e balotazhit, dhjetë i ka fituar PDK-ja, pesë LDK-ja, tri AAK-ja.
Paraprakisht, si PDK ashtu edhe LDK kishin shpallur dhe festuar fitoren në Prizren. Por, Nesrin Lushta ka thënë se atje, rezultati përfundimtar do të dihet pas numërimit të votave me kusht, i cili pritet të ndodhë pas dy ditëve. Rezultatet e votave të numërura për secilën parti janë: Mitrovicë: PDK- 53.0 për qind, AKR- 47.0 për qind, Vushtrri: AAK – 36.5 për qind, PDK- 63. 5 për qind, Obiliq: PDK- 48.1 për qind, LDK- 51.9 për qind,
Pejë: AAK- 76.7 për qind, LDD- 23.3 për qind, Suharekë: AAK- 52.4 për qind, PDK- 47.6 për qind, Hani i Elezit: Rufki Suma, kandidat i pavarur -53.3 për qind, PDK-46.7 për qind, Gjilan: PDK – 51.4 për qind, LDK- 48.6 për qind, Kamenicë: PDK- 45.9 për qind, LDK – 59.1 për qind, Dragash: PDK- 53.3 për qind, LDK- 46.7 për qind,
Istog: LDK- 70.8 për qind, AAK- 29.2 për qind, Kaçanik: PDK – 57.9 për qind, AAK- 42.1 për qind, Kline: PDK- 56.3 për qind, AAK – 43. 7 për qind, Lipjan: PDK -50.5 për qind, LDK- 49. 5 për qind, Novobërdë: LDK- 80.9 për qind, SNSD – 19.1 për qind,
Rahovec: PDK- 50.8 për qind, LDK- 49.2 për qind, Podujeve: PDK- 33.5 për qind, LDK- 66.5 për qind, Prizren: PDK- 50.0 për qind, LDK-50.0 për qind, Shterpcë: PDK-35.0 për qind, SLS – 65.0 për qind, Viti: PDK- 55.2 për qind, LDD- 44.8 për qind,
Malisheve: PDK-61.8 për qind, LDK 38.2 për qind,
Junik: AAK – 56.7 për qind, LDK- 43.3 për qind. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerësoi si proces të rregullt zgjedhor votimin për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave. Në balotazhin e 13 dhjetorit votuan 37. 88 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Analistët politikë në Kosovë kanë mendime pozitive për procesin e zgjedhjeve lokale dhe thonë se Kosova ka dhënë edhe një test të demokracisë. Por, ata kanë mendime të ndryshme për mundësinë e ndryshimeve në skenën politike. Procesi sipas tyre është një tregues i mirë i suksesit të Kosovës dhe rezultati, sido që të jetë nuk do të ketë ndonjë ndryshim në skenën politike. Krenar Gashi, nga Instituti “KIPRED”, thotë se të dy raundet e zgjedhjeve treguan se Kosova është duke shkuar drejt rrugës se një shteti të qëndrueshëm. “Nuk mund ta vlerësoj ndryshe procesin zgjedhor në Kosovë nga ajo që është vlerësuar edhe nga faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë, e që është se i gjithë procesi, në parim, ka qenë në rregull dhe një tregues i suksesit të demokracisë në Kosovë”. Edhe analisti Driton Lajçi konsideron se procesi zgjedhor në Kosovës ka qenë i suksesshëm.
Ai thekson se pavarësisht rrethanave të krijuara para datës 13 dhjetor, qytetarët kanë dalë në zgjedhje dhe kanë votuar për të preferuarit e tyre.
Kosovë
Rasmusen: “Situata paraqitet e qetë”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen beson fuqishëm se “integrimi euroatlantik i vendeve të Ballkanit Perëndimor është vendimtar për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë”. Duke folur për kornizën kohore të reduktimit të trupave të NATO-s në Kosovë, dhe nivelin aktual të sigurisë, Rasmussen vlerësoi se “tranzicioni gradual” i trupave të KFOR-it është rezultat i natyrshëm i rritjes dhe i normalizimit të qëndrueshëm të situatës së sigurisë në terren, në Kosovë.
SHBA
Plan sekret për zgjidhjen e “emrit”
Administrata amerikane dëshiron që ta zgjidhë kontestin mes Athinës dhe Shkupit me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Lajmi bëhet i ditur në një artikull të së përditshmes greke “Elefterotipia”, me titullin “Kurthi amerikan për emrin”.
Sipas gazetës, e cila iu referohet burimeve diplomatike amerikane, trysnia e SHBA-ve kohët e fundit është përforcuar ndjeshëm, njësoj si në periudhën para samitit të NATO-s në Bukuresht.
Rumani
Rinumërimi i votave i jep fitoren Baseskut
Rinumërimi i votave të anuluara gjatë zgjedhjeve presidenciale në Rumani nuk ka ndryshuar rezultatin dhe i ka konfirmuar fitoren Trajan Baseskut. Lajmi është bërë i ditur nga Zyra Qendrore e Zgjedhjeve në Rumani. Basesku fitoi balotazhin e 6 dhjetorit, ndaj kundërshtarit të tij Mircea Geoana për vetëm 70 mijë vota. Por Xhoana i kërkoi Gjykatës Kushtetuese rinumërimin e votave, duke denoncuar vjedhjet e votave. Gjykata urdhëroi rinumërimin e më shumë se 138 mijë votave të anuluara. Zyra elektorale ka rinumëruar deri tani 137 mijë vota, dhe Basesku është favorit.
Kopenhagen
Vendet në zhvillim largohen nga debati
Përfaqësuesit e grupit të vendeve në zhvillim janë larguar nga grupet punuese në konferencën për klimën që po mbahet në Danimarkë. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia franceze e lajmeve.
Takimi i organizuar nga OKB-ja synon arritjen e një marrëveshjeje globale për të përballuar sfidat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Mbajtja e konferencës është shoqëruar me protesta të shumta nga aktivistët, të cilët kërkojnë veprime të shpejta e të thella lidhur me ngrohjen globale.
15 Dhjetor 2009