Të dashur shoqe dhe shokë, Të nderuar deputetë pjesmarrës. Jemi mbledhur sot për të analizuar me seriozitetin që e kërkon koha dhe me përgjegjësi politike e përfaqësuese ecurinë e re
Të dashur shoqe dhe shokë,
Të nderuar deputetë pjesmarrës.
Jemi mbledhur sot për të analizuar me seriozitetin që e kërkon koha dhe me përgjegjësi politike e përfaqësuese ecurinë e reformave dhe realizimin e angazhimeve tona qeverisëse, për të bërë të mundur marrjen e vendimeve që përshpejtojnë ritmet e punës së qeverisë dhe institucioneve shtetërore, që shtojnë rezultatet e kërkuara nga zgjedhësit tanë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sapo kaluam një stinë të ngjeshur analizash, vlerësimesh dhe sugjerimesh nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilat kam rastin të ritheksoj se janë realiste dhe nxitëse për të programuar më mirë energjitë dhe punën tonë si maxhorancë qeverisëse. Me partnerët ndërkombëtarë dhe aktorët tanë kryesorë të progresit ne ndajmë të njëjtat shqetësime, por kemi përgjegjësinë që sfidat që kemi përpara t'i kthejmë në zgjidhje. Kjo duhet bërë pa humbur asnjë minutë kohë. Tashmë kemi hyrë në një vit elektoral, i cili do të jetë vendimtar për fatet e reformave dhe të procesit të integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Gjej rastin të përsëris me bindje të palëkundur në emër të gjithë socialistëve, progresistëve dhe aleatëve tanë në qeverisje, por edhe në jetën shoqërore, se ne ndjehemi krenarë për atë transformim që i kemi sjellë Shqipërisë gjatë 7 viteve të qeverisjes sonë dhe jemi të bindur se vetëm ne kemi moralin, energjitë dhe aftësitë qeverisëse të përmbushim ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve.
Sfidat që Shqipëria ka kapërcyer nën qeverisjen tonë këto 7 vjet janë të pashoqe, duke filluar nga kaosi i vitit '97, zgjidhja e krizës së kosovës e duke vazhduar çdo ditë të kemi përballë një terrorist politik si Sali Berisha dhe fanatikët e tij paramilitarë.
Shqipëria nuk është më një problem i NATO-s dhe Europës, aq më pak socialistët shqiptarë si Partia e Berishës, por një aspirante që po trajtohet me partneritet dhe objektivitet në progresin e arritur apo të munguar në zbatimin e standarteve të botës moderne. Ne kemi bërë shumë për transformimin e Shqipërisë dhe jemi të ndërgjegjshëm, të gatshëm dhe të aftë se edhe më shumë do të bëjmë.
Por edhe më shumë progres, edhe më shumë rezultate konkrete, edhe më shumë dinjitet qytetar, e si pasojë edhe më shumë besim të zgjedhësve dhe partnerëve ndërkombëtarë tek ne si forcë politike misionare dhe reformatore, arrihen vetëm atëhere kur më shumë aktorë dhe faktorë marrin mbi vete përgjegjësi konkrete. Prandaj në rradhë të parë ju drejtohem juve të nderuar anëtarë të KPD-së për të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë dhe kostot që mandati i përfaqësimit ju kërkon. Të njëjtin vlerësim do të bëja dhe për grupin tonë parlamentar, i cili nuk po arrin të mbështesë siç duhet reformat integruese dhe qeverisëse, në plotësimin në kohë të angazhimeve dhe të përballojë çmendurinë politike të Berishës.
Kam dëgjuar se disa deputetë apo anëtarë të KPD-së më fajësojnë mua si Kryetar dhe Kryeministër për çdo vërejtje apo kritikë që vjen në adresë të maxhorancës. Personalisht nuk i shmangem asnjë lloj përgjegjësie, ashtu si nuk kam nevojë për shokë që përfitimet nga pushteti – ato legale dhe ilegale - i duan vetëm për vete, ndërsa kostot ia faturojnë Nanos dhe të tjerëve. Ku është faji i Nanos që kur punonte me Kryeministrin grek për fatet e qindra mijëra emigrantëve shqiptarë apo për gëzimin reciprok të pronave a pasurive të shtetasve shqiptarë a grekë, Kuvendi bllokon punimet sepse mungonin deputetët e maxhorancës për të përballuar "ujkun e tërbuar" Berisha? Ka edhe nga ata pseudosocialistë që bashkojnë zërin dhe votën me Berishën deri duke kërcënuar se do shpërthejnë si kamikaze brenda shtëpisë sonë. Unë dhe qindra socialistë nuk kemi bërë burgun e Berishës që këta të terrorizojnë shpresat evropiane të socialistëve dhe shqiptarëve të ndershëm, thjesht dhe vetëm se u qënka mbushur mendja se kanë "rënë nga qielli" për të jetuar vetëm në fronet e pushtetit. Unë dhe mijëra socialistë e progresistë që e kemi afruar Shqipërinë me botën moderne, nuk mund të lejojmë nipat e "Dum Babës" të përdhunojnë lirinë dhe standartet demokratike duke abuzuar me mandatin që kanë marrë në emrin tonë. Pse shoku Sekretar i Përgjithshëm dhe Kryetar i Grupit tonë parlamentar nuk e mblodhët me urgjencë grupin për të analizuar situatën dhe për të marrë masat që parashikon statuti? Pse nuk doli asnjë deputet socialist të propozojë mbledhjen urgjente të grupit, por shkuat nëpër kafene duke psherëtirë se "Berisha po ju rrëmben pushtetin"? Berisha mund të rrëmbejë pushtete mëkatarësh, por jo atë të socialistëve dhe progresistëve në të gjithë Shqipërinë që kanë besim tek Partia Socialiste dhe tek aftësia jonë për t'u përmirësuar në ecje e sipër.
Si është e mundur që deputetët socialistë të heshtin përballë shpifjeve monstruoze që Berisha u bën ministrave të Qeverisë së Koalicionit për Integrim? Nëse besoni se nuk duhen mbrojtur, pra se Berisha ka të drejtë, ju kërkoj të gjeni kurajon civile dhe të aktivizoni përgjegjësitë tuaja politike dhe përfaqësuese për t'i denoncuar. Cdo ditë po bëhet e qartë se "pushti" dhe "puçisti" politik shkaktojnë të njëjtin dëm. Juve nuk u lejohet të heshtni. Ashtu siç nuk ju lejohet të flirtoni në dëm të maxhorancës qeverisëse!
Të njëjtin vlerësim kam edhe për strukturat e Partisë që gjithçka e presin nga Kryetari dhe nga Kryesia. Ku është Kuvendimi i Madh? Cili Kryetar i PSSH në qark apo nënprefekturë, cila Kryesi apo KD më dorëzoi mua programin dhe kërkesat për zhvillimin e Kuvendimit të Madh? Pse për strukturat dhe forumet tona në rrethe nuk ka asnjë të korruptuar, abuzues, trafikant apo të paaftë, përveç atyre që godas unë nga qendra ?!
Të dashur shokë,
Kam qenë dhe jam në dispozicion të vlerësohem dhe votbesohem për qëndrimet dhe veprimet e mia si Kryetar i PSSH prej 12 vjetësh. Por dua t'ju kujtoj se gjatë gjithë këtyre viteve kam marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë që më takojnë, të cilat i kam ndarë me të tjerët në bazë të parimit të gjithëpërfshirjes dhe jo të përjashtimit. Besoj se jam nga të rrallët lider Partie që kam provuar të reflektoj mbi të gjitha sensibilitetet deri edhe për mënyrën e të bërit politikë apo të qeverisjes. Zor se ka mbetur ndonjë aktor me kontribut në jetën politike të PSSH pa u provuar në detyra të rëndësishme përfaqësuese dhe ekzekutive. Dhe, jo kur ngarkohen me përgjegjësi, por kur shkarkohen sepse dështojnë, problemet e veta i kthejnë thjesht në një çështje personale me Nanon.
E bëra këtë parashtesë për të bërë të qartë përfundimisht se demokracia mbi bazë të së cilës unë kam udhëhequr PSSH në opozitë dhe në maxhorancë, është një sistem bashkëkohor përfshirjeje, aktivizimi dhe delegim e marrje përgjegjësish, dhe aspak një hobi apo fobi personale, qoftë kjo edhe e Fatos Nanos. Eshtë një sistem që funksionon mirë vetëm nëse 70 mijë anëtarët e Partisë sonë angazhohen në bashkëveprim dhe jo me cmirë apo xhelozi për njëri – tjetrin. Eshtë një sistem ku të gjithë anëtarët e KPD dhe të Grupit tonë parlamentar justifikojnë besimin e atyre që i kanë zgjedhur. Eshtë një sistem ku qeveria dhe ministrat tanë nuk shihen si një lopë për t'u mjelë për interesa personale, por si institucione të cilët me përkrahjen e gjithsecilit që i thotë vetes socialist dhe progresist, realizon angazhimet tona përballë popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
I kërkoj, duke i rikonfirmuar besimin dhe vlerësimin që i dha kongresi Sekretarit të Përgjithshëm të PSSH, njëkohësisht dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, të analizojë së bashku me Kryesinë e Grupit punën e secilit deputet si dhe të rishohin programet e punës në funksion të realizimit të angazhimeve tona qeverisëse dhe përmbushjes brenda vitit të matricës së procesit të Stabilizim Asociimit. Gjithashtu kërkoj nga shoku Ruci të vërë në dispozicion të Konferencave të PSSH në rrethe që do zhvillohen së shpejti vlerësimet e punës dhe të qëndrimeve për secilin deputet respektiv. Maxhoranca nuk ka nevojë as për qehallarë që shpërdorojnë mandatin e socialistëve dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe as për opozitarë kamikaze të tipit Berisha, por për shërbëtorë të votuesve dhe për përfaqësues të interesave të tyre.
Gjithashtu unë ju ftoj sot të marrim një vendim që garanton tolerancë politike Zero ndaj opozitës destruktive kur bëhet fjalë për miratime ligjesh dhe zbatim reformash që janë jetike për antarësimin e Shqipërisë në BE, për rritjen e nivelit të jetesës së shtetasve, për shtimin e infrastrukturës moderne, për respektimin e marrëveshjeve të negociuara ndërkombëtare dhe për nxitjen e investimeve të huaja direkte; për rritjen e sigurisë së jetës dhe sipërmarrjes nëpërmjet ndëshkimit pa hezitim të krimit, korrupsionit, abuzimit, trafiqeve etj. Ne e respektojmë Kuvendin si institucionin më të lartë të Republikës sonë Parlamentare dhe nuk mund të tolerojmë më që ai të përdhoset nga disa individë që u janë errur sytë nga mungesa e pushtetit të cilin, jo vetëm nuk e kanë merituar, por edhe e kanë shpërdoruar. Pjesa më e madhe e projektligjeve që Qeveria ka paraqitur në Kuvend për miratim janë pjesë e detyrimeve për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të cilat asnjëherë nuk janë votuar "pro" nga ana e opozitës e cila çdo ditë po dëshmon se meriton më shumë se stigmatizimi "obstruktive" që raporti i BE i bëri. Ata që i kërkojnë maxhorancës llogari për procesin e integrimit, vetëm e kanë penguar atë deri me akte të rrugaçërisë ekstreme, apo duke vjellë vrerin e tyre nëpër kioskat e botës.
Siç e kam theksuar edhe më përpara, procesi i integrimit të Shqipërisë është një proces kompleks dhe i ndërlikuar, ku bashkërendohen një numër i madh faktorësh. Për këtë arsye, askujt nuk mund t'i lejohet të spekullojë si në një garë datash përsa i përket afateve të mbylljes së tij. Në radhë të parë ai është një proces i thellë reformash të cilat nuk realizohen me fjalime dhe kanë kohën e tyre të domosdoshme për t'u realizuar. Ai është fuqizim i shtetit të së drejtës, është garantim i tregut të lirë, është zgjerim i hapësirave të lirive demokratike dhe institucioneve demokratike. Është përpilim dhe zbatim – e theksoj, zbatim - i një legjislacioni të ri. Ky proces në të cilin pa asnjë dyshim maxhoranca dhe Qeveria kanë rol primar, nuk mund në asnjë mënyrë të përshpejtohet pa një angazhim të të gjithë shoqërisë për të mbërritur standartet europiane. Dhe këtu kam parasysh që nga roli i opozitës, bashkëpunimi mes forcave politike, shoqërisë civile dhe sipërmarjes së lirë, harmonizimi më i mirë i interesave të gjithkujt. Të gjitha këto lidhen me ushtrimin e lirive që siguron demokracia, jo në mënyre destruktive dhe ngushtuese për liritë e tjetrit, siç vepron në shumë raste, për fat të keq opozita shqiptare. Ne nuk do të biem në këtë garë spekulative shifrash dhe datash. Ne do t'i përmbahemi kalendarit agresiv të reformave që e afrojnë vendin tonë dhe jetën e qytetarëve shqiptarë me standartet e vendeve të Europës së Bashkuar.
Së shpejti ne do ta shndërrojmë Komisionin e Përkohshëm të Kuvendit për Integrimin në Komision të përhershëm. Unë paralajmëroj opozitën që pjesëmarrjen në këtë komision dhe në tribuna të tjera të rëndësishme të jetës institucionale demokratike nuk do të mund ta përdorë si një tribunë shtesë të asaj të Sheshit "Skënderbej" vetëm për të shpifur ndaj maxhorancës, por si një institucion themelor që kontribuon në integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Evropën moderne. Kjo nënkupton, siç e kam thënë dhe herë të tjera, bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe përgjegjësi të përbashkëta, por nuk mund të vendosim më në krye ata (njëthundrakë) që ecin së mbrapthi!
Shoqe dhe shokë!
Analizat e raporteve ndërkombëtare për progresin e vendit gjatë vitit 2003 në rrugën e reformave integruese nuk ishin të papritura. Nuk është e tepërt të kujtoj se në shumë analiza që kam bërë unë në emër të përgjegjësisë qeverisëse, kam qënë po aq kritik, madje për çështje të veçanta edhe më kritik se sa këta raporte. Përgjegjësitë këtu janë të shumta, siç e theksova edhe gjatë debatit në Kuvend para një jave. Por ju jeni dëshmitarë se për disa muaj rresht deputetë të dalë nga votuesit socialistë nuk u dhanë mandatin kolegëve të tyre për të kryer funksione ekzekutive në përbërje të qeverisë. Nga ana tjetër vështirësitë e krijuara nga një opozitë e papërgjegjëshme si dhe nga disa deputetë socialistë, nuk mund të justifikojnë disa mangësi të vërejtura në punën e qeverisë dhe të evidentuara publikisht në analizën e punës për vitin 2003 me gojën dhe autoritetin tim me 26 janar të këtij viti. Edhe kjo analizë përmban shumë më tepër vlerësime autokritike sesa raportet ndërkombëtare, për këtë arsye dhe jo për demagogji kam konkluduar se Raporti i fundit për procesin e Stabilizim Asociimit është realist. Për më shumë dua t'ju siguroj se gjatë muajve të parë të këtij viti, shumica e çështjeve që kishin mbetur pezull janë zgjidhur dhe do të reflektojnë një tjetër frymë në raportin e vitit që vjen. Lidhur me programin amerikan të Mijëvjecarit, ju ftoj të mos bëheni naivë dhe të mos pranojmë të biem në grackën politike të ngritur nga opozita. Le të analizojmë vetëm një tregues: edhe sipas vlerësimeve të BE sot Shqipëria ka një GPD për frymë prej 1600 EURO (1900 USD) në vit, ndërsa vendet që përfituan i bashkon ky tregues në nivele katastrofike, nga 380 USD për frymë në Benin dhe Nikaragua, në 900 USD dollarë për frymë në Bolivi dhe Honduras. Pra janë në nivele ekonomike aq sa e la Berisha Shqipërinë para 7 vjetësh. Shqipëria nuk mund të përfitojë nga programi Millenium Challenge Account në të njëjtën kohë me ato vende që janë në këtë nivel të ulët që përmenda. Kjo nuk do të thotë se nuk i njohim apo i anashkalojmë problemet. Ne kemi ende probleme me forcimin e shtetit ligjor, por këto evidentohen krahasuar me objektivin e integrimit evropian. Natyrisht kemi probleme me evazionin, por mos harrojmë se sot kontributet fiskale janë gati dy herë më shumë se 3 – 4 vjet më parë. Natyrisht kemi probleme me korrupsionin, por vitin e kaluar me qindra nëpunës shtetërorë i janë dorëzuar drejtësisë për ndëshkim dhe rezultatet pozitive edhe në këtë fushë nuk do të vonojnë, për shkak të instrumenteve të reja ligjore e moderne të deklarimit dhe kontrollit të pasurive që kemi aktivizuar kohët e fundit.
Ajo që më shqetëson si Kryeministër është se gjithnjë e më tepër po shfaqet një hendek mes ligjeve apo akteve të tjera normative që miratojmë dhe zbatimit të tyre në praktikë, çka në gjuhën e raporteve të institucioneve perëndimore përkthehet si kapacitet i ulët funksionues i institucioneve dhe administratës publike. Ju kujtoj se edhe për shkak të axhendës integruese, vitin e kaluar në Shqipëri janë miratuar nga qeveria 826 projekt akte, por zbatimi i atyre që kanë hyrë në fuqi lë për të dëshiruar. (Megjithëse edhe një kompjuteri shumë të mirë po t'i fusësh 3 programe të reja njëherësh, ditën e tretë do të çmendet, kjo nuk justifikon mangësitë, çka do të thotë se puna jonë për fuqizimin e një administrate publike profesionale dhe të qëndrueshme duhet përshpejtuar). Kështu, praktikisht Shqipëria ka sot një ligj tërësisht sipas standarteve evropiane për prokurimet e fondeve publike, por problemi i korrupsionit në këtë fushë vazhdon të mbetet shqetësues për shkak të moszbatimit ose zbatimit të keq të tij. Shembuj të tillë ka me dhjetra, por unë i kërkoj publikisht anëtarëve të kabinetit qeveritar si dhe deputetëve në funksionet e tyre Kushtetuese të përqëndrojnë vëmendjen në rritjen e kapaciteteve zbatuese të legjislacionit në fuqi. Nuk shkon më që Shqipëria miraton ligje kundër pastrimit të parave dhe këtu vazhdojnë të pastrohen ende para; ka ligje kundër ndërtimeve pa lejë dhe vazhdojnë ndërtimet abuzive; ka ligj kundër korrupsionit dhe vazhdon marrja në mbrojtje politike e atyre që denoncon shteti ligjpor, ka Kod rrugor modern dhe ka njëherësh trafik mesjetar nëpër rrugët që po mbushen edhe me semaforë. Nuk është çështja tek nëpunësi apo polici që tolerojnë "ndonjë rast", por tek koncepti që kanë ata për zbatimin e ligjit njësoj për të gjithë. Zotërinj ministra dhe deputetë, gjeni dhe ndëshkoni administrativisht apo ligjërisht të gjithë ata që abuzojnë me detyrën dhe nuk zbatojnë ligjet që ne miratojmë. Ligjet nuk hartohen për inventar. Vetëm zbatimi i tyre garanton standartet e kërkuara për integrim evropian. Nëse këtë përgjegjësi nuk e realizoni dot, jam i gatshëm të pres me respekt dorëheqjen e gjithsecilit, pavarësisht kostove politike. Ne duhet të jemi më agresivë në përmbushjen e detyrave përfaqësuse dhe ekzekutive dhe për këtë duhet të përdorim mandatin që na është besuar për t'i dhënë jetë dhe formë shtetit me standarte evropiane, duke forcuar autoritetin e ligjit njëlloj mbi të gjithë, pavarësisht nga imunitetet politike.
Gjithashtu, në funksion të rritjes së transparencës ndaj shtetasve urdhëroj që të gjithë ministrat të bëjnë publike brenda këtij muaji projektet dhe financimet respektive që do të realizojnë gjatë këtij viti. Është e pafalëshme që një numër ministrish apo agjensish shtetërore, jo vetëm që nuk i kushtojnë vëmendje rritjes së transparencës, shumë pak komunikojnë me publikun, por madje ende nuk kanë freskuar faqet e tyre në internet. Unë e di se aksesi i popullsisë shqiptare në internet është tepër i ulët, por freskimi i këtyre faqeve do të rriste minimalisht transparencën me mediat shqiptare të cilat duhet të konsiderohen gjithnjë e më shumë aleate të rëndësishme tonat në rrugën për integrim. Cdo shqiptar duhet të ketë mundësi dhe të dijë se sa rrugë, sa spitale, sa shkolla, sa linja apo kabina elektrike etj, do të ndërtohen sivjet. Duhet të ketë mundësi të dijë për administrim fondesh publike dhe për mënyrën si shpenzohen taksat e veta. Rritja e kapaciteteve zbatuese të kuadrit ligjor si dhe transparenca ndaj objektivave dhe projekteve të secilit dikaster do të sjellin një përmirësim të ndjeshëm të ritmeve të punës dhe përmbushje të angazhimeve që kemi ndërmarrë. Kjo do të jetë një mënyrë shumë e mirë për të gjykuar punën e gjithsecilit duke shmangur klanizmin dhe allishverishin.
Në këtë funksion dhe në kuadrin e amendimeve të buxhetit 2004 që po përgatit qeveria, i kam kërkuar ministrit të financave dhe atij të ekonomisë të realizojnë qysh sivjet shkurtimin e shpenzimeve korrente buxhetore në masën 2 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë US dollarë që do të shkojnë në dobi të investimeve publike. Kjo tendencë e shkurtimit të shpenzimeve korrente do të thellohet dhe konsolidohet në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke kapur shifrën 5 miliardë lekë, ose 50 mln US dollarë.
Siç e thashë më sipër, përmbushja e angazhimeve tona do të mbetej e rrezikuar pa një administratë publike profesionale, të qëndrueshme, efikase dhe të ndershme. Qeveria dhe deputetët kanë përgjegjësinë e politikëbërjes për reforma, ndërsa zbatimin e saj gjithnjë e më shumë e ka si funksion organik administrata publike me nëpunësit e saj civilë. Nëse shtetasit apo sipërmarrësit ankohen për burokraci, abuzivizëm apo korrupsion, kjo do të thotë se ata i ndeshin këto fenomene në zyrat e administratës publike ku kanë nevojë të shkojnë dhe jo në zyrat e ministrave. Eshtë bërë e modës që për çdo abuzim me detyrën apo me ligjin në dëm të interesave legjitime të shtetasve dhe të sipërmarrësve, nëpunësit e administratës justifikohen se kanë urdhër nga Ministri, ndërsa ndonjëri prej këtyre të fundit, nga Kryeministri. Ju, besoj e keni plotësisht të qartë se unë çdo rast abuzimi që vërtetoj, nuk hezitoj ta bëj shembull publik politikisht dhe ligjërisht. Të njëjtën gjë kam kërkuar nga çdo ministër i kabinetit për vartësit e vet. Kështu vepruam tash së fundi me kryetarin e Hudënishtit. Ne nuk mund të heqim baltën që përpiqen të hedhin mbi supet tona, veçse duke vërtetuar në organet e drejtësisë abuzimin me detyrën të kujtdoqoftë.
Është e qartë se vetëm ndershmëria nuk mjafton për të qenë nëpunës i mirë civil. Aq më pak militantizmi i shtirur klanor për interesa private. Ftoj deputetët që kanë ende "hobi" të merren me emërime të kuptojnë se çdo ditë po bëhet e qartë që administrata publike, aq më pak ajo e rendit, policisë së shtetit apo e doganave, nuk është qypi i ndereve, por armata e ekzekutorëve profesionistë të vullnetit tonë politik për të arritur standartet europiane.
Ligjet që ne miratojmë në Kuvend, asnjëherë nuk do të gjejnë zbatim nëse nëpunësit civilë do vazhdojnë të chat-ojnë (apo grijnë sallatë) në internet, të tregojnë telenovela dhe të merren me tenderat e radhës, në vend që të zbatojnë detyrat për të cilat paguhen. I kam kërkuar ministrit të shtetit Marko Bello që në bashkëveprim me Departamentin e Administratës Publike të çertifikojnë edhe njëherë të gjitha emërimet në këtë administratë si dhe të përmirësojnë rrënjësisht kriteret e emërimeve, të vlerësimeve dhe të karrierës. Kam ngarkuar zv/kryeministrin Dokle të mbikqyrë dhe të mbështesë këtë proces me plotësimin sa më parë të përshkrimeve të punës për të gjitha pozicionet në administratën publike, veçanërisht për administratën e lartë.
Vetëm në këtë mënyrë shtetasit do të besojnë se ne nuk e kemi fituar pushtetin për të rregulluar veten në punë, por për të rregulluar punët e Shqipërisë.
Koha po vërteton se vullneti ynë politik apo realizimi i matricave tona qeverisëse do mbeten të rrezikuara për sa kohë nuk funksionon si duhet sistemi i drejtësisë. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë çuar për ndjekje penale rreth 300 nëpunës shtetërorë, por efekti nuk ndihet. Vetëm vitin 2003 janë liruar nga detyra 333 policë, por efektet janë ende të zbehta. Të pandehurit, pasi lënë vendin e punës, shndërrohen në sipërmarrës, duke ndarë ndonjë fitim me ndonjë prokuror apo gjykatës të korruptuar.
Ne i dhamë sistemit të drejtësisë pavarësinë reale, por nuk mund të lejojmë që ky pushtet të përdoret për të abuzuar në kurriz të së drejtës ligjore.
Pa një funksionim normal të sistemit të drejtësisë (polici gjyqësore apo ekzekutive, prokurori dhe gjykata), të gjitha përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin apo fenomene të tjera të paligjëshme do të mbeten në boshllëk.
Policitë gjyqësore që nga shërbimi i kontrollit të brendshëm në rendin publik, strukturat e kontrollit në dogana e tatime, policia ushtarake, ajo ndërtimore, elektrike, pyjore etj nuk mund të vazhdojnë më të sillen si struktura informative, por në përputhje me autoritetin investigues dhe ekzektues që u jep ligji të garantojnë provat e nevojshme për të ndëshkuar çdo keqbërës apo shkelës të ligjit. U kam kërkuar titullarëve të këtyre policive që brenda muajit maj të analizojnë punën e stafeve të tyre mbi bazën e kritereve profesionale dhe të rezultateve konkrete. Strukturat e policive gjyqësore duhet të pastrohen me çdo kusht nga individë joprofesionalë, të korruptuar apo të lidhur me botën e krimit. Këto struktura duhet të jenë model i oficerëve dhe nëpunësve të ndershëm, të përkushtuar dhe profesionistë. Për këtë arsye, në muajin qershor, Këshilli i Ministrave do të zhvillojë një mbledhje analizë për reformën e ndërmarrë në policitë gjyqësore dhe hapat e mëtejshme që duhen hedhur.
Vullneti politik i maxhorancës nuk mund të kthehet në realitete të dobishme për të gjithë pa reforma të thella në pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë, sic janë prokuroria dhe gjykatat, që mbyllin ciklin e forcimit të autoritetit të ligjit.
Vullneti politik i qeverisë dhe i maxhorancës për të luftuar fenomene si korrupsioni, abuzivizmi, trafiqet, monopolet në tregje, konflikti i interesave etj, deri tani nuk ka gjetur sa dhe si duhet përkrahjen në aksionin konkret të prokurorisë dhe gjykatave. Deklaroj me përgjegjësi si Kryetar i maxhorancës dhe Kryeministër se do të mbështetet çdo veprim ligjor i prokurorisë dhe gjykatave shqiptare që nisin në bazë provash procese edhe kundër zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera të paligjshme, qofshin edhe ministra apo deputetë të maxhorancës.
Natyrisht që ne jemi të vendosur për të forcuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por si ligjvënës të votuar nga populli nuk mund të lejojmë që ato të shndërrohen në kulla të izoluara ku punët e familjes apo fisit dëmtojnë interesat tonë të përbashkëta dhe legjitime. Kjo do të thotë se, aty ku na lejon kushtetuta dhe ligjet, ne do të ndërhyjmë për të ndikuar që edhe këto institucione të funksionojnë mbi bazën e ligjit dhe t'u përgjigjen nevojave të shoqërisë, shtetit dhe sipërmarrjes për më shumë rregull ligjor dhe drejtësi.
Vitin e shkuar rreth 300 punonjës të shtetit i janë dorëzuar Prokurorisë për cështje të korrupsionit, por në shumicën e rasteve, sic përmendet edhe në raportin e BE, akuza është reduktuar në "shpërdorim detyre" nen që përmban dënimin më të lehtë. Nuk dua të besoj në sensibilitetin e përhapur se prokurorët dhe gjyqtarët paguhen nga të pandehurit për ta katandisur kokoshin një thelë. Por ne kemi mundësi si maxhorancë qeverisëse të ashpërsojmë dënimet për ato vepra penale që kanë të bëjnë me abuzimin me detyrën. Maxhoranca dhe aq më pak interesi evropian i vendit, nuk mund të pranojnë të ndëshkohen politikisht për shkak të disa individëve të papërgjegjshëm që detyrën e shohin si një mjet për të përfituar në kurriz të të tjerëve, në kushte destabiliteti.
Edhe më imperative bëhet reforma në sistemin e drejtësisë përballë percepsioneve se Shqipëria po rrezikohet nga krimi i organizuar. Qeveria prej më shumë se dy vjetësh ka mbylluar industrinë kriminale të skafeve dhe gomoneve, por ky realitet i njohur nga të gjithë nuk u reflektua nga drejtësia. Organet e hetimit dhe të akuzës nuk arritën të shkojnë përtej disa skafistëve rrogtarë që ne arrestuam. Pronarët e vërtetë dhe organizatorët e kësaj industrie mbetën të paprekur dhe, siç kuptohet, vazhdojnë të gëzojnë paratë e krimit.
I kam kërkuar Ministrit të Drejtësisë të paraqesë një program konkret me afate dhe përgjegjës për të gjitha rregullimet ligjore e proceduriale që duhet të kryejmë në sistemin e drejtësisë. Boll më me policë gjyqësorë apo prokurorë që janë të paaftë të garantojnë prova për proceset që i nisin me aq bujë. Në shumë raste, çështjet e filluara më parë i merr vesh media, sesa të pandehurit. Në shumë raste çështja hapet dhe mbyllet vetëm në prokurori dhe edicione lajmesh kundrejt pagesave.
Nga ana tjetër Kontrolli i Brendëshëm i Financave publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Policitë gjyqësore, Prokuroria, Gjykata paguhen nga kontributet fiskale të taksapaguesve që kërkojnë luftë kundër fenomeneve të korrupsionit dhe drejtësi. Përse e marrin rrogën mijëra vetë në këto institucione? Mijëra rrogëtarë që vetëquhen profesionistë nuk kapin dot 2 hajdutë zyrtarë apo të zotët e dhjetra skafistëve të arrestuar!!! Dhe për këtë fajin e ka Qeveria? Normalisht më duhet të dëgjoj se për këtë fajin e ka Fatos Nano. Apo mos duhet që të propozoj në Qeveri që të gjithë këtë armatë kontrollorësh ta zëvendësojmë me stafin e zhdërvjellët të emisionit "Fiks Fare" që po tregohet më efikas se shumë prej nesh në "Kuvendimin e Madh" ??!!
Shoqe dhe shokë!
Pa vazhduar të reformojmë më tej veten tonë, ne nuk mund të reformojmë sistemin shtetëror që administrojmë, pasi, siç e thashë, ky është një proces kompleks dhe harmonik që ndërvaret nga shumë faktorë. Jemi në prag të zgjedhjeve për forumet vendore partiake dhe nga të gjitha informacionet që kam, në shumë raste analizat e punës dhe kandidimet bëhen në mënyrë shabllone, të sipërfaqëshme dhe pa analizën e duhur. Veçanërisht në ato rrethe ku PSSH humbi në zgjedhjet e 12 tetorit 2003, nuk po dalin përgjegjësitë dhe rrugëzgjidhjet që do të na shërbejnë për zgjedhjet parlamentare të mesit të vitit të ardhshëm, të cilat nuk mund të fitohen pa zëvendësuar drejtuesit dhe shkaktarët e humbjes në zgjedhjet e fundit. Pranimet e reja në shumë raste po bëhen fiktive për të rregulluar nëpër Konferencat zgjedhore votat "pro" dhe "kundër", kryesisht mbi bazë tarafesh dhe farefisnie. Shumë anëtarë Partie, bile edhe të zgjedhur, edhe deputetë madje, nuk marrin mundimin të paguajnë as kuotat. Tashmë kemi dhjetra raste kur kemi përzgjedhur specialistë të aftë dhe të vlerësuar në detyra ekzekutive, madje edhe në detyra të rëndësishme, por për ta nuk hapen dyert e forumeve të Partisë. Kjo është frikë nga konkurenca, është paaftësi për të përballuar realitetet e një shoqërie të hapur. Thënë shkurt kjo sjell mbylljen atrofizuese të partisë. Dhe ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë. Prandaj ju bëj me dije vullnetin tim dhe të Kryesisë të PSSH se duke shfrytëzuar detyrat dhe atributet statutore ne po ndjekim me vëmendje punimet përgatitore të çdo konference dhe do të anullojmë çdo vendim që bie ndesh me interesat politike dhe evropiane të socialistëve dhe progresistëve në maxhorancë të palëkundëshme.
Nëse nga përfundimi i Konferencave nuk do të rezultojë një përmirësim i cilësisë së forumeve, i punës dhe angazhimit militant dhe profesional të gjithsecilit, jam gati t'i kërkoj anëtarësisë së Partisë Kongres të Jashtëzakonshëm zgjedhor në fund të vitit, me qëllim që vitin tjetër të hyjmë në zgjedhje parlamentare të motivuar dhe solidarë për të fituar.
Për këtë arsye edhe kemi vendosur në rendin e ditës të kësaj mbledhjeje edhe analizën për punën që po bëhet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mesvitit 2005.
Së pari ritheksoj bindjen dhe angazhimin tim dhe të gjithë socialistëve dhe progresistëve se këto zgjedhje do fitohen sërish nga ne, sepse kemi dhënë prova që duke përmirësuar veten, kemi çuar përpara drejt realiteteve euroatlantike Shqipërinë.
Së dyti dua të bëj të qartë se përgjegjësia për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standarteve të kërkuara euroatlantike nuk është vetëm e maxhorancës, më pak akoma e Qeverisë, e cila është plotësisht e angazhuar të përmbushë detyrimet e veta dhe po i përmbush ato pa rënë në grackën ku mundohen të na fusin të një ankthi të paarsyeshëm zgjedhor.
Në të gjitha raportet dhe rekomandimet bëhet fjalë për PSSH dhe opozitën. Kam kënaqësi të vecantë të kujtoj se raportet për zgjedhjet vendore të tetorit të vitit të kaluar (reflektuar dhe në raportin e BE) nuk kanë asnjë vërejtje për Partinë Socialiste, por kanë për opozitën. Që nga viti '92, sa herë opozita humb zgjedhjet apo atje ku ajo i humb ato, dalin probleme dhe ndryshohet kuadri ligjor. Këtë herë opozita është në kundërshtim jo vetëm me ne, por dhe me Presidentin e Republikës dhe me partnerët ndërkombëtarë që na asistojnë dhe monitorojnë.
Unë garantoj në emër të maxhorancës se jemi të gatshëm të pranojmë çdo lloj zgjidhje për çështjet elektorale që garantojnë institucione, procedura dhe rezultate të certifikuara sipas rekomandimeve dhe standarteve ndërkombëtare. Unë e kam të qartë si buka që ha se humbësi Berisha do vazhdojë në rrugën e tij të bllokimit dhe mohimit. Është një film të cilin ka 14 vjet që e shohim dhe na është bërë bajat. Për këtë arsye do të uroja që media dhe opinionbërësit publikë të cilët bëjnë gallatë me qëndrimet dhe deklarimet e Berishës, këtë herë të merren seriozisht me këtë politikan botërisht të kalamendur dhe të rrezikshëm, pasi fatet evropiane të Shqipërisë nuk janë vetëm në dorën tonë. Ndryshe nga ai, ne i njohim, i pranojmë dhe analizojmë me themel të metat tona dhe nuk do të rreshtim së punuari për tu përmirësuar.
Nëse ajo që ndodhi në Tiranë në zgjedhjet e tetorit 2003 përsëritet sërish, Shqipëria nuk do marrë notë kaluese. Natyrisht jo për fajin tonë, por ne jemi këtu për të moslejuar më amullinë dhe bllokimin e shtetit dhe të ekonomisë.
Të dashur shokë dhe shoqe,
Vendin e vlerave të maxhorancës progresiste nuk mund t'a zënë antivlerat e Berishës;
Vendin e tolerancës sonë nuk mund ta zëvendësojë terrorizmi politik i Berishës;
Progresin e arritur nga qeverisja jonë dhe dimensionet europiane të ëndrrës sonë mbarëkombëtare nuk mund t'i shkatërrojë etja kanunore e Berishës;
Ndaj nuk e ftoj më, por do të vazhdoj t'i kërkoj pa asnjë mëdyshje berishës që të bëhet sadopak i përgjegjshëm për fatet e Atdheut tonë të përbashkët, të hyjë në konkurime të lira dhe të ndershme elektorale dhe të pranojë rezultatet, të bashkëpunojë me shumicën e shqiptarëve për të gjitha reformat që duhen kryer për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe të deklarojë publikisht se nuk do të bllokojë më këto procese në Kuvendin e Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë i kërkoj pa asnjë mëdyshje që të paraqesë menjëherë në prokurorinë e përgjithëshme denoncimet ligjore për të gjitha pseudoakuzat politike për "korrupsionin" dhe "inkriminimin" e Fatos Nanos, për " pasurim të paligjshëm apo konflikt interesash" të kryeministrit legjitim të vendit. Unë jam krejt i gatshëm të ballafaqohem me të në gjykata, me cilindo dhe pa asnjë mbrojtje kushtetore, përveç dinjitetit dhe nderit tim të papërlyer, as nga burgjet e tij, as nga shpifjet apo lehësit e tjerë pispinjollë të Berishës.
Dhe përsëris se ne jemi në gjendje që reformat e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Europian t'i bëjmë edhe vetë, siç e kemi bërë deri tani, në partneritet me progresistët, veçse kostoja ka për të qënë më e madhe, rruga më e gjatë dhe më e lodhëshme.
Ne jemi gjithashtu dhe plotësisht në gjendje të bëjmë zgjedhje të lira dhe t'i fitojmë ato për të përmbushur misionin tonë qytetërues dhe integrues.
Ju faleminderit!